Një konflikt në ambientet e punës ka përfunduar me dhunë fizike ndaj një zyrtare në Bulqizë, duke sjellë në vëmendje sërish problematikën e tensioneve në institucionet shtetërore.
Policia e Dibrës ka referuar në prokurori çështjen ndaj 40-vjeçarit Juljan Damzi, drejtor i Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë, i cili dyshohet se ka goditur me shuplakë Shime Dodën, 26 vjeçe, drejtuese e Task Forcës në Ujësjellës-Kanalizime Dibër.
“U referuan materialet në Prokurori për shtetasin J.D., 40 vjeç, banues në Bulqizë, i cili dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me shuplakë, për shkak të detyrës shtetasen Sh.D, 26 vjeçe. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një debati për inventarin e zyrës. Në dëshminë e saj, Doda thotë se gjithçka nisi kur bashkëshortja e Damzit, Erla Damzi, u paraqit në ambientet e institucionit duke pretenduar se kishte urdhër për të marrë mobiliet e zyrës.
“Nxorri tavolinat në korridor dhe më pas u fut tek zyra tjetër duke marrë një karrige. Karrigia ishte dëmtuar dhe filloi duke bërtitur që ‘si e keni marrë këtë karrige, ashtu do e dorëzoni’. Unë i thashë që karrigia është një mjet për t’u përdorur për punët e zyrës së shtetit dhe i thashë se ajo karrige ekziston, është, por thjesht është prishur. Nga ky moment, ajo vazhdoi duke bërtitur dhe duke thënë që ‘do t’i them drejtorit që keni prishur karriget dhe do të mbani ju përgjegjësi për këtë që keni bërë ose do paguani 15.000 lekë të reja për karrigen e dëmtuar’,” ka deklaruar Doda.
Sipas saj, situata është përshkallëzuar kur në ambientet e zyrës është paraqitur edhe Juljan Damzi, i cili sipas kallëzimit ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
“Në këtë moment vjen përsëri Erla Damzi bashkë me bashkëshortin e saj, Julian Damzi, i cili më drejtohet me zë të lartë duke më thënë: ‘Çfarë ke ti që zihesh me nusen time?’ dhe direkt më ka shtyrë dhe më ka goditur me shuplakë. Më pas kanë ndërhyrë punonjësit që ishin prezent, të cilët janë Norald Zuna, Luljeta Mullameti, Elda Curri, për të ndaluar, por ai përsëri nuk ndalonte dhe vazhdonte duke më ndjekur për të më goditur”, vijon dëshmia e saj.
Ngjarja ngre shqetësime për tensionet në institucionet publike dhe ndërhyrjet e jashtme në mjediset e punës.
Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, u raportua një tjetër rast dhune në Dibër, ku drejtoresha e Spitalit dyshohet se ka dhunuar shefin e Financës, Shaba Ukla.