Në prangat e policisë në Vlorë kanë rënë disa persona, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Policia ka vënë në pranga edhe një 51-vjeçar, ndërsa ka shpallur në kërkim vëllanë e tij, pasi kanë goditur me sende të forta një të ri në Borsh. I riu është dërguar menjëherë në spital dhe është nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se është arrestuar nga policia shtetasi Ndoc Përbibaj, si dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, Marin Përbibaj.
Po ashtu në prangat e policisë ka rënë edhe një shtetas kosovar, pasi mbrëmjen e djeshme, në Jalë, Himarë, është kapur në flagrancë duke vjedhur telefonat dhe portofolat e dy shtetasve.
Njoftimi i policisë:
Goditën me sende të forta një shtetas, arrestohet në flagrancë njëri prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shpallet në kërkim vëllai i tij.
Vihen në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Dashos”, në Borsh, ishte goditur me mjete të forta shtetasi A. S., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar.
Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale, nga specialistet për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit N. P., 51 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi M. P., 36 vjeç, të dy banues në Borsh.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri tjetrin, gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me mjete të forta, shtetasin A. S., 30 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
– – – – – –
Po nga specialistet për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. M., 24 vjeç, banues në Kosovë, pasi mbrëmjen e djeshme, në Jalë, Himarë, është kapur në flagrancë duke vjedhur telefonat dhe portofolat e dy shtetasve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 22 vjeç banues lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi i mitur S. M., 17 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë, pasi dyshohen se kanë tentuar të vjedhin në banesën e një shtetasi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë ndalimin e shtetasit F. A., 19, banues në fshatin Karbunarë e Madhe, Lushnjë, sepse dyshohet se ka kryer vepra të turpshme me një shtetase të mitur 14 vjeçe.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. J., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë në Dhërmi, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.