Një përplasje e rëndë është regjistruar në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ku drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta, është dhunuar brenda institucionit.
Sipas informacioneve, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit dhe kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të nisur një ditë më parë, pas një debati verbal mes palëve.
Burime brenda institucionit bëjnë me dije se përplasja ka të bëjë me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Sipas këtyre burimeve, Fatmir Meta ka bllokuar mjete të subjekteve që po derdhnin dhera në zonat përreth Tiranës, çka ka sjellë tensione mes drejtuesve.
Pas debatit fillestar, situata ka përshkallëzuar një ditë më vonë në dhunë fizike. Sipas raportimeve, brenda ambienteve të IKMT janë përdorur qyta pistoletash, ndërsa Meta është goditur nga Çela dhe personat që e shoqëronin. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Pas incidentit, mësohet se Klesti Çela është paraqitur në zyrën e drejtorit të IKMT, Afrim Qendro, ku ka kërkuar dorëheqjen.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga IKMT apo nga palët e përfshira. Rasti pritet të hetohet nga organet kompetente për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.







