Tashmë, është shëruar personi i parë me COVID-19 në Shqipëri dhe lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili ka informuar se edhe testi i dytë ka rezultuar negativ për kontaktin e parë të pacientit zero.
Ju rikujtojmë se bëhet fjalë për 54-vjeçari, Viktor Kola, babi i 28-vjeçarit të njohur si pacienti ‘zero’ në vendin tonë.
Disa ditë më parë ai rezultoi negative në analizën e kryer, e tashmë ka dalë negativ edhe në analizën e dytë, duke patur mundësinë për t’iu rikthyer jetës normale.
Ndërkohë, Rama shkruan se ka dalë negativ edhe një pacient tjetër, por nuk dihet ende për kë bëhet fjalë.
“TESTI I DYTË KONFIRMON NEGATIV KONTAKTIN E PARË TË PACIENTIT ZERO
DEL NEGATIV EDHE NJË PACIENT TJETËR
MIRËNJOHJE ME PËRUNJËSI MJEKËVE TË SPITALIT INFEKTIV
#HERONJ”, shkruan Rama.
Disa ditë më parë, Kola dha një intervistë për emisionin ‘Open’, ku është shprehur se ai ia ka transmetuar virusin të birit dhe jo anasjelltas, siç është raportuar deri tani.
Ai tha se ka patur simptomat dy ditë para se djali t’i kthehej nga Italia dhe se të afërmit e të riut në Firenze me të cilët ai kishte kaluar ditë të tëra, kishin rezultuar negativ.
Flet babai i ‘pacientit 0’ dhe ndryshon skenarin: “S’ma transmetoi djali virusin, por unë atij”
Deri tani në vendin tonë janë regjistruar 2 viktima dhe 70 të infektuar, teksa ditën e sotme kryeministri Rama ka ashpërsuar masat, pasi ka njoftuar se nga dita e nesërme, orari i lëvizjes do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13.00 të pasdites dhe ky orar do të përdoret për të gjitha pikat e shitjes së ushqimeve, ilaçeve, shërbimeve bankare, por do të jetë edhe koha kur do të punojnë edhe punonjësit e administratës.
Ndërkohë, gjatë gjithë ditës së dielë, deri të hënën në orën 05.00, do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të Republikës së Shqipërisë dhe në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike.
Shoqata e Bukës njoftim të rëndësishëm: Të gjitha furrat mbyllen nesër, ja kur do hapen
Numri total i viktimave në rang botëror deri tani është 11, 299 persona dhe janë 271, 670 të infektuar në 183 vende.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.