Gjykata ka caktuar masën e sigurisë për Luftar Panahorin, shoferi i cili shembi urën e Darëzezës, pasi kaloi mbi të me një mjet të tonazhit të rëndë.
Për Panahorin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ai u arrestua nga policia më datë 4 qershor, pas shembjes së urës, nën akuzën “shkatërrim të rrugëve”. Shoferi kaloi në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike.
Ura u shemb mëngjesin e 3 qershorit, ndërsa prej kohësh ishte e amortizuar. Shembja e urës ka ndaluar kalimin e banorëve të fshatit në zonat e tjera që ndodheshin përreth.
Në njoftimin e arrestimit të 52-vjeçarit Policia bënte me dije se Luftar Pahori është kapur në flagrancë për veprën penale “Shkatërrim i rrugëve”.
Pahori në orët e para të mëngjesit mësohet të ketë kaluar mbi urë me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” shtetasin L. P., 52 vjeç, banues në Roskovec, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shembur urën.