Sot ishte parashikuar që në Gjykatën Kushtetuese të merrej vendimi për presidentin Meta, por sërish është shtyrë seanca për ne datën 7 shkurt 2022.
Këshilltari Ligjor i Presidentit Meta ai që kërkoi 48 orë për t’iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve.
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për të hënën, më datë 7 shkurt, seancën për marrjen e vendimit pas shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Në total Dervshajt iu bënë 70 pyetje. Fillimisht kërkesa u kundërshtua nga përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushaka, por më pas Kushtetuesja u tërhoq për marrjen e një vendimi. Pas rikthimit në sallë, trupa gjykuese deklaroi se kishte vendosur që t’i linte afat Dervishajt deri ditën e hënë.
Kujtojmë që ndërkohë që Kuvendi ka deklaruar se arsyeja e shkarkimit të presidentit është për shkelje të rënda të Kushtetutës, përfaqësuesi ligjor i presidentit tha se mbrojtja e Presidentit është një dosje me 140 faqe dhe se Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën.
Ai deklaroi se Presidenti i qëndron plotësisht kërkesave të 1 korrikut.
“Presidenti i Republikës pas marrjes së njoftimit të nisjes së procesit të shkarkimit të tij, ka mbajtur komunikim shkresor me kuvendin, duke i nisur ankesat apo këshillat që të mos binte ndesh me parimet kushtetuese.
Neni 90 i kushtetutës përcakton se nuk ka përgjegjësi në aktet e ushtruara gjatë detyrës se tij… duke e vlerësuar gjithë procesin e iniciuar për shkarkimin e kreut të shtetit, rezultoi se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve apo të raportit të komisionit të ligjeve, nuk është arritur të zbulohet asnjë akt i vetëm i presidentit që mund të kishte shkelur në mënyrë të rreptë kushtetutën.
Edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor”, tha Dervishaj.