Më 28 qershor, në Gazimestan, vetëm dhjetë kilometra nga Prishtina, serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet fqinje mblidhen tradicionalisht për të shënuar Vidovdanin, një ditë që kujton Betejën e Kosovës të vitit 1389 mes forcave serbe dhe ushtrisë osmane.
Kjo datë ka një rëndësi të veçantë fetare dhe kombëtare për serbët dhe shënohet me ceremoni fetare nga Kisha Ortodokse Serbe, në nder të ushtarëve të rënë në atë betejë.
Policia e Kosovës ka vënë në zbatim një plan operativ për të garantuar sigurinë gjatë aktivitetit, ashtu si në vitet e kaluara. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia ka bërë thirrje për maturi dhe shmangie të çdo provokimi, duke theksuar angazhimin për të zbatuar ligjin dhe për të garantuar një ambient të qetë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo përkatësie.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë para zhvillimit të ceremonisë, paralajmëroi se sipas shërbimeve të inteligjencës, Serbia po përgatit provokime me pjesëmarrjen e grupeve serbe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Sipas tij, këto grupe shfaqin simbole nacionaliste serbe dhe ruse, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me vlerat demokratike që vendi synon të mbrojë.
Nga Beogradi, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Kurtit, duke i cilësuar si “të çmendura dhe të pabazuara”. Ai akuzoi Kurtin se po kërkon të krijojë një justifikim për veprime shtypëse ndaj serbëve të Kosovës.
Në një zhvillim paralel, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi këtë muaj një vendim të mëparshëm të Komunës së Graçanicës, komunë me shumicë serbe, që lejonte ekspozimin e flamurit serb me rastin e Vidovdanit. Gjykata vendosi se vendimi i komunës ishte në kundërshtim me ligjin, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare në Kosovë dhe leja për simbole të tilla bie jashtë kompetencave të pushtetit vendor.
Ndërkohë, Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka theksuar se përdorimi i simboleve nga komuniteti serb nuk duhet parë si kërcënim, por si një shprehje e lirive themelore në një shoqëri demokratike që respekton të drejtat e pakicave.
Reagime ka pasur edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila kërkon barazi në trajtimin e simboleve kombëtare, duke argumentuar se të njëjtat masa duhet të aplikohen edhe ndaj flamurit shqiptar kur ai shfaqet në publik.
Gazimestani, përveç rëndësisë historike për serbët, mbart edhe ngarkesë simbolike për shkak të fjalimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1989, një moment që shpesh përmendet si preludi i shpërthimit të konflikteve në ish-Jugosllavi.