Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë ditën e sotme kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave, të cilët janë ndaluar dje, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kilogramë narkotikë të llojit kokainë.
Ata akuzohen për 3 vepra penale, konkretisht: “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, dhe “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit të shtatë personave Prishtinë, 18 maj 2021 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se, sot ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të shtatë (7) personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh për ditën e hënë, ka treguar se përveç rreth 400 kg kokainë që janë sekuestruar në Lipjan, dje kanë sekuestruar edhe armë, para, telefona dhe laptopë.
Sipas raportit të Policisë, gjatë kontrollit në lokacione të tjera janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy pistoleta, një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy laptop, katër DVR dhe një Hard Disc”, ka njoftuar policia.
Sipas raportit, i gjithë operacioni është bërë në koordinim me policinë italiane dhe atë shqiptare.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka konfirmuar se të hënën janë sekuestruar rreth 400 kg kokainë me vlerë rreth 20 milion euro, në një operacion ku kanë qenë të përfshirë autoritetet nga Kosova, Shqipëria dhe Italia.