Ka nisur gjatë paradites së sotme seanca e dytë në Gjykatën Speciale në Hagë, mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqit dhe shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.
Prokurorja Speciale, në fjalën e saj, ka folur rreth materialeve që u konfiskuan në shtëpitë e ish-krerëve të UÇK-së.
Prokurorja u shpreh se ka mbetur që të hetohet një numër i lartë i materialeve qëjanë konfiskuar gjatë bastisjeve në shtëpitë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Një numër i këtyre hapave hetimor mund të kryhen vetëm kur çështja mund të bëhet publike. Një pjesë e materialeve që u morën gjatë këtij hetimi. Prokuroria përpiqet që nxjerjrja e materialeve të jetë në rregull dhe pala mbrojtëse dhe gjykata të informohet në mënyrën e duhur”, ka thënë prokurorja.
Ndërkohë avokati i ish-kreut të PDK-së dhe njërit ptrej ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veselit, Ben Emmerson, është shprehur se gjyqi nuk mund të nisë para muajit qershor dhe se kjo çështje mund të zgjasë nga 18 muaj deri në 2 vite, bazuar kjo edhe në gjyqet e mëparshme që kanë ndodhur për anëtarët e UÇK-së.
“18 deri në dy vjet të paktën mund të zgjasin këto hetime. Kjo mbi bazën e gjykimeve të mëparshme ku janë bërë gjyqe për UÇK, ku kishin një objekt të njëjtë. Do i kalojnë akuzat një nga një dhe do t’i hetojnë ata një nga një. Gjyqi nuk mund të nisë para qershorit”, ka thënë Emmerson.
Sipas prokurorëve të Gjykatës Speciale, disponohen rreth 40 mijë faqe materiale e dosje për këtë çështje, si dhe do të ketë një numër të lartë dëshmitarësh që do të paraqiten në Dhomat e Specializuara.