Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka ironizuar vizitën e duputetëve shqiptarë në Itali përmes një shkrimi të ndarë nga ai në rrjetet sociale. Edhe më herët deputeti ka bërë një shkrim në lidhje me këtë çështje.
ANALIZA
Letër e hapur Babos pse duhet ta takojë Kostën?!
Kosta është lënduar shumë nga dobësia që tregoi në avion gjatë kthimit nga Italia ose nga versioni im për ngjarjen. Prej ditësh nuk është ai që njohim, gëzimi i Kuvendit, marifeti i lagjes, mirësia e kushërinjve, hareja e komshinjve, qejfi i shokëve dhe urtësia e shtëpisë.
Ekstremet e tij vetëm letërsia i përshkruan dhe unë ku fati dy herë me vendosi të jem dëshmitar.
E kam parë të lumtur si udhëtar në bahçen e Pejgamberit a kopshtin e Edenit, kur dorën i jepte Etildës në akçihanen e Parlamentit, madje i pata bëre edhe një himn që ja thashë veç atij “shtrëngojë të Etildës dorë, Kostë o dash me këmborë, eh Etildë e gjorë”. Po rasti e çasti e kërkojnë që të behet publik për të kuptuar hendekun emocional.
Natën fle keq i ngrati Kostë, ditën lebetitet si xhind i uruari. Të hutuar ka shikimin, të zbehte vëmendjen. Gjuha i thahet, etje ka , uji si bën derman. Çapitet pa adresë, flet pa kujtesë. Rrokjet duken si guri i Sizifit. Pikat e shiut si heshta e shpojnë. Djerse i kullojnë temperaturë s’ka, aspirina pi, xhani i digjet, dru në atë zjarr holla për të madhin fajin tim. Shkon te Lindita ta këshillojë e ta ndihmojë si ngaherë me gjasë ajo e sheh ashtu të këputur, të lëshuar e të zalisur Kastën e saj e të Gramozit, burrin e zgjidhjeve përfundimtare dhe trishtohet teksa fajin ma vë mua që i dhashë gojës.
Kësisoj jetën institucionale në fije të perit paskam vënë. Me gjasë në delegacione s’do më qasin më. Po kush do i tregojë Babos sa e duan e sa se duan? Pyeta sot meqenëse vete nuk isha në Kuvend në Kosta u pa asaj ane?
As zog as fjalë, as qyqe as kalimtar se kishte parë. Jona nuk dinte gjë, Dori jo e jo. E kërkonin si të shastisur, si grigja barinë po asnjë haber. Meraku me mbuloi të tërin si dëbora malin. Vendosa të marr Kosten në telefon. Pas shumë rënkimesh një zë si i Ago Ymerit nga ana tjetër u ndie. Në kohë e hapësirë një jave ishte transformuar në shekuj epikë.
Me tinguj që kishin udhëtuar në zgavrat e dhimbjes m’u drejtua “të dinja byrazer, njeri të besës, e rob perëndie, gojë kyçur e shpirtdhembshur, katolik të përshpirtshëm, nuk prisja nga ti atë dalldi e mynxyrë që një çast dobësie bijë e hutimit ma tellallite faqe gjithë Shqipërisë kur ti e di që unë jetoj t’i shërbej Babos dhe ta stolis madhështinë e tij siç i ka hije, ti me nxore sikur pata frike për vete, kur në fakt po qaja nga malli që do më merrte në boten e përtejme nëse nuk do piqesha më me të, ti nxore hero Arben Pellumbin dhe mua renegat e Hamza të mjerë edhe pse Skënderbeu e dinte që jam epirot ndaj pat dyshime kur i thatë që Arber jam, tani unë jetoj të vetendeshkohem që dhimbja të më rendojë si zhgualli breshkën”. M’u duk sikur Krishti Kostë i fliste Judës.
Veç Zoti e di si u ndjeva pas këtij bashkëbisedimi asgjësues që e kisha menduar krejt tjetër se gjithsesi nga larg do e bëja një kuvendim buzë akshami.
I bindur që do ishte në krye të detyrës do të me rrëfente në Margeriti i qëndroi duhisë së Inës pa ju dridhur qerpiku apo egërsi e sulmit e bëri të sertë dhe shikimin blu si ujë të valë mbi sallë derdhi?
Se shova dot kuriozitetin në Salianji u kthye pas udhëtimit të gjatë në Bahrejn e bashkë me të paqja, naiviteti, çiltërsia e fjala e pafaj, kovat me mjaltë e jo helm gjithashtu ?
Teksa ora fundore po bën tik-tak dhimbja e Xhelës për Kamzen po shndërrohet në madhështi e zemërim?
Mendoja se ai do më thoshte në Jorida ishte e gëzuar apo e trishtuar nga mungesa ime në krah apo vëmendja e saj ishte e gjitha për Xha Borrelin? Në Gaz Bardhi si Teodor Muzaka u priu të vetëve për betejë finale pas së cilës mbetet shkrumb e hi nga pas? As për mërzinë e Taos, i cili prej kohesh ka marrë çehre babloku e vërtit në kokë vizione për mëmedhëne e s’më pat në krah për t’i ndarë gjë nuk mora vesh.
Peng me mbet që askush nuk më dha lajme në Kryezevendes lideri ishte në sallë apo jo aty ku hidhet benzinë në flaken e revolucionit, a i pa venger e plot lëngatë ai marrësit e vulës, a ju tha me krenari merreni vulën dhe shëtiteni mbi një tezge nëpër vatan? Në Bana me retoriken e saj prej Safoje e ngjit lart e më lart opozitarizmen?! Doja të dija në Teta Gerta më ka ënde zët, në ka psherëtirë gëzimi që aty nuk isha për kroniken e së enjtes ku kësaj here do i lartësoja portretin.
Ti kërkoja në Bela me vështrim të paepur ndanë shtrëngatave po i mbante me gajret gratë e burrat të mos tuteshin nga akuzat e sidomos Ulsi qyqarin mos dihatej a ndonjë të pabërë kryente sa salla të pastrohej?!
Keq mbeta qe padija ime s’u shua në Tezja ishte mirë me oreks në byreqet u struken kur e panë a Mimi di Puccini ishte krehur si zanat në lugje të verdha në pritje të Mujit?
As per Niko Nikoqirin gjë prej gjëje s’di në kishte shkuar në Opera a në atë bina politike me frak zotnilleku ja kishte behur?
Më brente kureshtja në Flutura kishte gjetur mjaftueshëm lëndë të parë për romanin e saj “Pavioni i njerëzve shakaxhinj” !
Po kaq e shumë me tepër ënda ma kishte te di në Dhurata me Bushken bën duel, në tundi kokën njëra apo u skuq tjetra? Hej o Perendi po Dash Sula a ka vikatur sot si Zeus kundër padrejtësisë dhe banalitetit njerëzor?
As Oltën se kam harruar në ata dreqër aty poshtë të ma kenë merzitur aq sa serioziteti t’i skalitet në aurë si mburojë?
Shpresë pata se do mbërrinte tek unë llafi se Ferdinand Xhaferri si një senator i lodhur përsëritjesh t’u ketë thënë që kotësia nuk është e përkohshme apo Bujar Leskaj që as mërzia e përjetshme?!
Por jo u çmerita. Kosta më la pa fjalë. U ndjeva si vrasës pa pagesë ku për qejf të gojës i heq frerin asaj dhe ajo si harabel glasa lëshon mbi besimin e vërtetë. I premtova që Babos do ti bëja një letër publike me lutjen që ai ta thërrasë, t’ja marrë atë kokë të lënduar e mbi gjoks ngrohtë t’ja mbështesë si asokohe Taos, ku Kosta le t’i derdhë ca pika lot e ai ti thotë, pusho de pusho se ti do të quhesh Kosta i Babos , Gramozit e Linditës e në jetë jetëve askush nuk guxon të ta heqë. Ai nuk më tha as po as jo. Në gojëmbyllje me la të kallkanosem. Nëse Babo bën zahmet, Kosta sigurisht do të donte të qante edhe ca, të shkrehej e dlirej, t’i thoshte me emrin tënd në gojë Babo asnjë beteje nuk do ti shmangem, te keqen çdo frikë do më marrë.
Derisa kjo të ndodhë oh sa ligsht ndihem. Babo veje dorën mbi zemrën tendë mbushur me nektar dhe beje kaq. Kosta ka nevojë për altarin, gjoksin tënd!