Shqipëria po përballet me një shpopullim të jashtëzakonshëm, të krahasueshëm me atë të viteve 90, por tashmë thjeshtë ka ndryshuar mënyra. Drama më e madhe është largimi i të rinjve të cilët në shumicën e rasteve ikin për mos tu kthyer më. Që nga viti 1945, qeveritë në Shqipëri kanë bërë regjistrime të rregullta të popullsisë (cense) të paktën një herë në 10 vjet, përveçse dy vitet e fundit. Censi i vitit 2020, që fillimisht u shty nga pandemia, nuk u realizua më 2021, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, kurse këtë vit u bë shkak dështimi i një tenderi për të prokuruar tabletët. Grupet e interesit, si partitë politike, qeveria, komuniteti i biznesit dhe bota akademike i kanë emergjente të dhënat mbi popullsinë dhe banesat, pasi tranzicioni demografik është bërë shumë i egër nga emigracioni masiv. Politikat e zhvillimit po rezultojnë problematike nga të dhënat e pasakta mbi kapitalin human.
Zhvillimet ekonomike dhe demografike të vendit tonë janë në një fazë që e kanë emergjente shifrën e saktë të popullsisë që jeton në Shqipëri dhe inventarin e banesave. Grupet e interesit, politika, bizneset dhe organizatat e kanë të vështirë të zhvillojnë projeksione të sakta, pasi siç duket, popullsia në vend është më e vogël se sa raportohet në shifrat zyrtare.
Nga ana tjetër, të gjitha fondet e lira në ekonomi janë përqendruar në sektorin e ndërtimit, në një kohë që inventari i banesave bosh është shumë i lartë.
Përvoja historike ka treguar se regjistrimi një herë në 10 vjet i popullsisë është i mjaftueshëm për të freskuar të dhënat dhe ky periodicitet respektohet nga shumica e shteteve nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kështu ka ndodhur edhe në vendin tonë që pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjistrimi i popullsisë është bërë në mënyrë korrekte brenda 10-vjeçarëve nga viti 1945 – 2011.
Regjistrimi tjetër, i planifikuar të kryhej në vitin 2020, u shty për shkak të kufizimeve që krijoi pandemia COVID-19. Në vitin 2021, censi i shty sërish për shkak se, standardet ndërkombëtare të përafruara nuk lejojnë që popullsia të numërohet në vite zgjedhore. Regjistrimi që pritej të kryhej në tetor të këtij viti, u shty sërish së fundmi nga INSTAT, për arsye që lidhen me mungesën e infrastrukturës teknologjike.
Kjo është shtyrja e dytë e regjistrimit të popullsisë që nga censi i parë zyrtar në vitin 1923. Numërimi i popullatës është bërë rregullisht, përveçse në vitet 1940 kur vendi ishte përfshirë në Luftën e Dytë Botërore. Shtyrja e fundit rezulton të jetë e dyta në historinë e censeve dhe e para pas Luftës së Dytë Botërore.
Që nga viti i fundit, kur u regjistruan popullsia dhe banesat në vitin 2011, demografia e vendit ka pësuar ndryshime të mëdha nga emigrimi dhe lëvizjet e brendshme. Matjet e tërthorta të INSTAT sugjerojnë se nga vendi, gjatë dekadës së fundit, janë larguar 230 mijë deri në 600 mijë persona.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur zhvendosje të mëdha të popullsisë nga qarqet drejt qendrës së vendit. Qeveria që është operatori më i madh ekonomik duket se po bën investime në disa zona që në dhjetë vitet e ardhshme nuk do të ketë asnjë banor.
Instituti i Statistikave, që është prodhuesi kryesor i të dhënave për vendin tonë, vlerëson se, njohja e numrit dhe strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë është jetike, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, si dhe brenda komuniteteve të ndryshme.
Pa informacion kombëtar dhe lokal mbi popullsinë, karakteristikat e saj, arsimin, statusin në punësim dhe shëndet, shërbimet dhe bizneset tona publike nuk mund t’u shërbejnë komuniteteve tona sa më mirë që të jetë e mundur.
Komuniteti i biznesit është mjaft i shqetësuar, sidomos këtë vit, ku vërehet një rritje më agresive e emigrimit të të rinjve, aq sa në disa kompani, konsumi ka pësuar rënie të fortë edhe për këtë shkak.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se, pasaktësia e të dhënave ose vështirësia në sigurimin e statistikave për kapitalin human po i vë në vështirësi sipërmarrjet në Shqipëri. Ai shtoi se, kapitali human, arsimi profesional gjithnjë e më shumë po bëhen një nga barrierat që po vënë në vështirësi sipërmarrjen, e cila po përballet çdo ditë me fenomene si: mungesa e fuqisë punëtore e kualifikuar, plakja e popullsisë dhe emigracioni.
Akademiku Selami Xhepa, ekspert në ekonomi dhe kërkime, e vlerësoi thelbësore statistikën e popullsisë, sidomos në rrafshin ekonomik. Sipas tij, kapitali human është burimi themelor i rritjes.
Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet se për një parti politike, censi është shumë i rëndësishëm, sepse jep informacionin, jo vetëm për numrin e popullsisë, por për punësimin, demografinë, emigracionin dhe për ndërtimet, bujqësinë etj.
Sipas saj, janë të gjitha çështje të cilat, së pari, shërbejnë në funksion të zgjedhjeve dhe së dyti, në funksion të politikave. Tabaku e konsideroi problem faktin se, sipas ligjit të Kombeve të Bashkuara, censi nuk bëhet në periudhë zgjedhjesh dhe vitin që vjen janë zgjedhjet lokale.
Sipas saj, është shumë e rëndësishme shifra e saktë e popullsisë, pasi përcakton madhësinë e fenomenit të emigracionit, po njëkohësisht përdoret për çështje elektorale dhe bazë të dhënash.
Shtyrja e censit, peng i tenderit të tabletëve
Duket paradoksale që angazhimi më i madh statistikor në vend të mbetet peng i një tenderi. Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, Instituti i Statistikave (INSTAT) sqaroi se, Censi i Popullsisë dhe Banesave është shtyrë si pasojë e mossigurimit të mjeteve për një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe njëkohësisht monitorimit të informacionit në terren që janë tabletët.
Ndryshe nga Censi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2011, INSTAT në këtë cens do të mbledhë informacionin pranë familjeve me tabletë me të cilët përpunimi i informacionit të mëtejshëm do të jetë më i shpejtë, më i saktë, totalisht i monitorueshëm dhe do të mundësojë publikimin e rezultateve në një periudhë më të shpejtë se sa ai i vitit 2011, sqaroi INSTAT.
Përpjekjet për tenderimin e tabletëve kanë dështuar dhe procesi ka hyrë në një rrugë të gjatë, pasi pjesëmarrësit në garë kanë ankimuar te Komisioni i Prokurimit Publik, i cili do kohën e tij për të marrë vendimet që shpesh kërkojnë ribërjen e tenderëve.
Në mars të këtij viti, INSTAT shpalli garën për blerjen e rreth 8 mijë tabletëve me vlerë 225 milionë lekë, të cilët do të shërbenin për regjistrimin e popullsisë në tetor të këtij viti. Të dhënat nga Agjencia e Prokurimit Publik treguan fituese subjektin “PC Store” sh.p.k., me ofertën më të ulët 169.6 milionë lekë, me kursim gati 500 milionë lekë nga fondi total.
Në qershor, dy kompani pjesëmarrëse në garë, “Infosoft Systmes” dhe “Ligus” u ankuan te Komisioni i Prokurimit Publik, edhe pse kishin paraqitur vlera të larta në ofertat e tyre, me idenë se kompania fituese nuk plotësonte kriteret teknike.
Ankesat lidhen me disa kritere teknike që duhet të përmbushnin tabletët dhe aktualisht janë proces vlerësimi nga KPP, por ndërkohë është penguar një nga operacionet më të mëdha statistikore, ku i interesuari kryesor është vetë qeveria.
Burime nga INSTAT bënë të ditur se ankesat e kompanive për kriteret teknike të tabletëve nuk qëndrojnë. Tabletët do të përdoren vetëm një herë dhe nuk ka asnjë kuptim të kërkohen kritere të përdorimit të zakonshëm dhe as të ketë një servis të autorizuar, siç kanë kërkuar konkurrentët.
Fatura 15.8 milionë euro e 2018-s nuk mjafton
Këto kohë, regjistrimi i popullsisë është bërë i kushtueshëm kudo në botë. Censet që u bënë në dekadën e kaluar kishin kosto mesatare të regjistrimit për një person 1 dollar, por në vitin 2021 arriti mesatarisht në 3 dollarë, sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara.
Në Shqipëri, për të realizuar censin e vitit 2020, që në vitin 2018 ishte miratuar një buxhet prej 15.8 milionë eurosh, i cili do të përdorej për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Kjo shumë do të financohej në masën 52% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. Bashkimi Europian ka financuar 31% të totalit dhe 17%, donatorë të tjerë. Por shtyrjet që u bënë për tre vite rresht kanë zhvlerësuar fondin fillestar. Çmimet janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet dhe INSTAT duket se ka ngecur në qarkun e tenderave dhe fondeve për të bërë statistikën e re të popullsisë.
INSTAT shpjegon se Censi i radhës do të shërbejë si bazë për kalimin nga metoda tradicionale drejt metodave të bazuara në regjistra pas vitit 2021. Mbështetja e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të sigurojë që elementet e nevojshme për ngritjen e regjistrave statistikorë të inkorporohen dhe të testohen në terren, duke përfshirë edhe Censin Pilot.
SDC, nëpërmjet projektit SALSTAT, kontribuoi në aktivitetet e Censit me testimin e procesit të përditësimit të informacionit gjeografik (hartave të Censit) nëpërmjet përdorimit të metodave të reja në mbledhjen e të dhënave në terren, si dhe identifikimin e elementeve të përbashkëta me regjistrat administrativë ekzistues. Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida) ka dhënë kontributin e saj për blerjen e serverëve që do të shërbejnë për Censin.
Ambasada Franceze do të mbështesë përgatitjen e analizës së rreziqeve, ndërsa Departamenti i Popullsisë në Kombet e Bashkuara financoi pajisjen me tabletë. Por, tenderi i tabletave, në fakt, ka ndërlikuar të gjithë procesin duke e shtyrë në kohë dhe duke e bërë më të kushtueshëm censin e radhës.
Afati i ri për Censin, vjeshtë 2023
INSTAT shpjegoi se do të propozojë në planin vjetor të vitit 2023 periudhën dhe datën e kryerjes së Censit. Viti 2023 është vit zgjedhor dhe ka kufizime për zhvillimin e Censit, për shkak se legjislacioni në fuqi e ndalon regjistrimin e popullsisë në kohë zgjedhjesh.
Mirëpo burimet nga INSTAT mendojnë se procesi i censit do të mund të zhvillohet gjatë vjeshtës së vitit 2023, teksa zgjedhjet lokale do të mbahen në pranverë.
Regjistrimi i popullsisë pas zgjedhjeve nuk e cenon integritetin e procesit, shprehen ekspertët e INSTAT. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nëpërmjet një njoftimi drejtuar partive politike, ka bërë të ditur se, 14 maji 2023 është data e fundit kur mund të zhvillohen zgjedhjet vendore në Shqipëri, ndërsa data e mundshme është 16 prilli.
Partitë politike janë përdoruesit kryesorë të shifrës së popullsisë, për shkak të rëndësisë që ka në zhvillimin e projeksioneve sipas zonave.
Qeveria përdoruesi më i madh i Censit
Nga të gjithë grupet e interesit, Qeveria është përdoruesi kryesor i statistikave të popullsisë dhe banesave. Duke pasur të dhëna të sakta mbi popullsinë dhe projeksionet rreth saj, qeveria zhvillon një plan të drejtë të investimeve në infrastrukturë, politikën arsimore dhe të gjitha reformat në vend që në finale synojnë kapitalin human.
Nevojën më të madhe për të mësuar shifrën reale të popullsisë në vend e ka qeveria, e cila, në dekadën e fundit i ka përqendruar investimet në infrastrukturën rrugore në zonat periferike të vendit, duke lënë qendrën e vendit ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë pa investime.
E njëjta situatë po ndodh edhe në sektorin e arsimit. Qeveria ka hapur shkolla dhe universitete në qarqe, të cilat po mbyllen për mungesë të nxënësve. E njëjta situatë edhe me investimet në shëndetësi. Duke mos pasur të dhëna të sakta për popullsinë, qeveria ka bërë shpërndarje të padrejtë të investimeve dhe politikave zhvillimore.
Në situatë të ngjashme janë edhe bizneset. Në një kohë që vendi po përjeton emigracion masiv, Shqipëria, sidomos Tirana, është përfshirë në një valë ndërtimesh të reja. Një nga metodat e INSTAT (rishikimi vjetor i popullsisë) evidenton se nga viti 2011-2022 janë larguar në emigracion 7.5% e popullsisë së vendit ose 213,748 persona. Ndërkohë sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në Tiranë ka arritur një nivel rekord në 6 muajt e parë të këtij viti.
Po sipas INSTAT, në kryeqytet, për periudhën janar-qershor 2022 është dhënë leje për ndërtimin e një sipërfaqe prej gati 1.2 milionë metra katrorë, me rritje prej 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më 1 janar 2022, popullsia e Qarkut të Tiranës arriti në 919,511 persona, 7032 më shumë se në janar 2021 me zgjerim 0.8%. Rënia e ritmeve të rritjes së popullsisë në kryeqytet ka qenë e dukshme në dy vitet e fundit, në krahasim me 7 vite më parë kur zgjerimi ishte me mbi 16 mijë persona në vit.
100 vite nga Censi i parë, shqiptarët po tkurren
Në 1 janar 2022, popullsia e Shqipërisë zyrtarisht është 2,793,593 persona, me rënie 1.3% nga viti 2020. Kjo ecuri është më negative se skenari pesimist i projeksioneve të INSTAT për ecurinë e popullsisë 2019-2030. Shqipëria ka hyrë në një fazë rënie pa kthim të popullsisë, duke bërë një kthesë historike që kur tregojnë të dhënat zyrtare të regjistrimit të popullsisë në vend.
Regjistrimi i parë i popullsisë nga shteti i pavarur shqiptar rezulton në vitin 1923 nga qeveria e Nolit, ku në vend rezultuan 823 mijë banorë. Që nga ky vit, në Shqipëri janë bërë gjithsej 11 regjistrime të popullsisë me periodicitet një herë në 10 vite.
Në kohën e mbretit Zog, në vitin 1930 u bë një regjistrim tjetër në bazë të deklarimit të lirë të moshës për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit, ku popullsia e regjistruar rezultoi 833,600 banorë me një shtesë 19,200 banorë, ose 2.4% më shumë se më 1923.
Më pas, regjistrimi i popullsisë nuk u krye gjatë 15 viteve pasi vendi u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Regjistrimi i parë pas luftës u bë nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës në vitin 1945. Regjistrimi u krye në një ditë (“dita me ndalim qarkullimi”), më 30 shtator 1945 dhe popullsia rezultoi me 1,122,000 banorë me një rritje 288 mijë banorë, ose 34.6% më shumë se nga regjistrimi i vitit 1930.
Një regjistrim tjetër u bë 5 vite më vonë më 1950, po nga regjimi komunist që, ndër të tjera, kishte për qëllim rindërtimin e regjistrit të gjendjes civile. Në këtë vit, popullsia rezultoi 1,218,900 persona, me zgjerim 8.6% në pesë vjet.
Në këtë periudhë nisi rritja e shpejtë e popullsisë, që u nxit nga emigracioni zero dhe normat e larta të lindshmërisë për grua. 10 vite më vonë, në 1960, popullsia e Shqipërisë u zgjerua edhe me 33.4%, duke arritur në 1,626,300 banorë. Në vitin 1960 u krye në të njëjtën ditë censi i Popullsisë dhe ai i Banesave.
Regjistrimi i radhës u bë në vitin 1969, kur popullsia e vendit kishte arritur në 2,068,200 banorë, 441 mijë banorë më shumë, ose +27%. Në këtë regjistrim u kryen më shumë pyetje në lidhje me karakteristikat sociale e ekonomike të popullsisë.
Në censin e vitit 1979, popullsia e Shqipërisë shënoi 2,590,600 banorë ose 25% se në vitin 1969, ku për herë të parë u përfshinë pyetje për fëmijët e lindur dhe ata ende gjallë. 10 vite më vonë, më 1989, u bë regjistrimi i fundit i popullsisë nga regjimi komunist, ku numri i banorëve të regjistruar ndonjëherë brenda territorit zyrtar të Shqipërisë arriti në 3,182,400 banorë, me një zgjerim 23% në një dekadë.
Ky cens ka ndjekur pjesërisht rekomandimet e Kombeve të Bashkuara. Gjatë regjimit komunist, popullsia e Shqipërisë u rrit me 183%, ose me rreth 2 milionë banorë. Rritja e shpejtë e popullsisë solli edhe fundin e regjimit komunist, pasi në një ekonomi totalisht të mbyllur, burimet e brendshme ishin të pamjaftueshme për një popullsi të re në moshe që po rritej shpejt.
Në 30 vitet e tranzicionit janë kryer vetëm dy regjistrime, ai i vitit 2001 dhe i vitit 2011. Emigracioni masiv që nisi në fillim të viteve 1990 e pakësoi popullsinë e vendit me 158 mijë persona, nga 1989 më 2001, me një reduktim 5%.
Emigracioni ishte i lartë në këtë periudhë, por vendi ende po përjetonte norma të larta të lindshmërisë. Censi i fundit më 2011 u krye bazuar në deklarimin e lirë dhe shtimin e pyetjeve për emigrimin ndërkombëtar, ku popullsia e vendit rezultoi 3,023,734 banorë.
Në censin e vitit 2011, popullsia u reduktua më tej në 2,831,741 banorë, ose -6.3% më pak se regjistrimi i vitit 2001. Censi i vitit 2011 u realizua në përputhje e plotë me rekomandimet ndërkombëtare. U mblodh informacion për përkatësinë fetare dhe përkatësinë etnike bazuar në deklarimin vullnetar të çdo individi dhe u vu në përdorim harta dixhitale, nëpërmjet Sistemit Informativ Gjeografik.
Censi i radhës ishte programuar për vitin 2020, por fillimisht u shty për shkak të pandemisë, më 2021 për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe këtë vit, për arsye të bllokimit të tenderit të tabletëve.
Sipas INSTAT, Censi i radhës synonte mbledhjen e Numrit Personal të Identifikimit (ID), krijimin e një databaze me të dhënat historike të Censeve, i aksesueshëm për përdoruesit, prodhimin e treguesve në kuadër të OZhQ, Riinxhinierimin e Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS), mbledhjen e të dhënave përmes tabletëve dhe ndërtimin e regjistrave statistikorë të Popullsisë, Ndërtesave dhe Banesave bazuar në të dhënat e Censit.
Sipas të dhënave nga matjet vjetore të INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 ishte 2,793,592 persona, me tkurrje 14% nga viti 1990.
Në fillim të viteve 1960, popullsia e Shqipërisë ishte rreth 1.2 milionë banorë.
Në fillim të viteve ’90, numri i banorëve të vendit pothuajse u trefishua, duke arritur në 3.3 milionë banorë.
Pas viteve ’90 zhvillimet e vrullshme që ndodhën në vend sollën dhe ndryshime të mëdha demografike. Popullsia filloi të binte me shpejtësi, e ndikuar fillimisht nga niveli i lartë i emigracionit që kulmoi në dekadën e parë të tranzicionit dhe më pas nga stili i ri i jetesës, me lindshmëri më të ulët e familje më të vogla.
Në fund të vitit 2021, popullsia e Shqipërisë vlerësohet të jetë në 2.8 milionë banorë, megjithëse ky është vetëm një vlerësim, pasi Censi i fundit është kryer në vitin 2010, ndërsa pritet që të zhvillohet i riu këtë vit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) parashikon që numri i banorëve që jetojnë në Shqipëri do të vijojë të tkurret me ritme të shpejta në vitet në vijim.
Sipas parashikimeve të OKB-së, deri në vitin 2050 popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 2.5 milionë banorë dhe deri në vitin 2100 do të tkurret në 1.1 milionë banorë, duke arritur në këtë mënyrë në nivelet e viteve 1960 (shiko grafikun).
Të dhënat e tjera të përpunuara nga Visual Capitalist tregojnë se popullsia e Shqipërisë pritet të tkurret me 15.8% deri në vitin 2050, sipas raportit, duke u renditur e dhjeta, pas Bullgarisë, Lituanisë, Letonisë, Ukrainës, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, Moldavisë dhe Japonisë./RevistaMonitor