Ditën e sotme pas 4 ditësh protestash nga banorët, ARRSH është tërhequr nga vendimi duke hapur me dy sense rrugën e Rinasit.
Ndërkohë Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjitikës Belinda Balluku apeloi drejtuesit e mjeteve që shkojnë drejt Veriut, që të shmangin këtë rrugë, që sipas saj është ndërtuar nga koncensionarët e parë të aeroportit të Rinasit, me qëllim transportin më të lehtë të qytetarëve, si dhe tiu shërbejë banorëve të zonës.
Ministrja njoftoi se ka nisur puna për një rrugë të re që të çon drejt aeroportit, me qëllim shmangien e vonesave të qytetarëve. Ajo që të bie në sy gjatë videos së Ballukut, është që ajo dyshohet të jetë xhiruar më parë se vendimi të komunikohej për banorët, pasi qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm në njërën anë.
“Rruga ka pasur një ngarkesë shumë të madhe, edhe për shkak të fluturimeve, gjë që ka bërë që qytetarët të rrezikonin humbjen e avionit. Banorët e zonës kanë shkollat çerdhet në këtë zonë, dhe aksesi nga rruga e Vorës do tju shtonte disa kilometra. Në krahun tonë të djathtë kemi një rrugë, që të çon drejt kullës së kontrollit. Të gjitha makinat që do të shkojnë të parkohen në Rinas do shkojnë nga kjo dalje. Do të desha të përfitoja nga rasti për të thënë disa fakte, çdo pasagjer që udhëton shoqërohet nga 2.3 udhëtarë të tjerë. Më shumë se 15 mijë udhëtarë gjatë ditës, nëse e shumëzojmë me 2.3, ju e kuptoni që fluksi ditor në këtë zonë është rreth 30 mijë persona, që kanë ndikuar në rritjen e fluksit në këtë rrugë. Një tjetër element i shtuar janë edhe universiteti epoka, dhe Tirana Buisnes Park. Kjo rrugë është ndërtuar vetëm për të aksesuar aeroportin e Rinasit, dhe me kalimin e viteve janë ndërtuar biznese të tjera që kanë shtuar trafikun. Unë dua të bëj një thirrje për të gjithë udhëtarët, ne morëm një vendim drastik, për shkak të humbjes së avionëve, por edhe ankesat që morëm nga banorët e zonës janë shumë jetike. Të mos harrojmë që fluksi i madh që ne kemi, tregon impaktin e madhe ekonomik që ka aeroporti i Rinasit, iu drejtohem shoferëve që duan të drejtohen drejt Veriut, ju lutem mos e frekuentoni rrugën e Rinasit. T’iu japim mundësinë qytetarëve që të arrijnë në kohë fluturimet e tyre”, është shprehur Balluku në fjalën e saj.