Ditën e sotme është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur nga fakti që infektimet e reja me Covid-19 po shtohen gjithnjë e më shumë.
Vlen të përmendim se dje numri i personave të infektuar arriti në 974, ndërsa pati dhe dy humbje jete. Ndërkohë kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli u shpreh se rritja e numrit ka ardhur si pasojë e qarkullimit të nënvarianteve të Omicron, i cili është i njohur për shkallën e lartë të infektueshmërisë.
“ Komiteti ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatave epidemiologjike në vend. Pas një periudhe të stabilizuar të përhapjes së infeksionit, prej disa javësh ka filluar një rritje të të infektuarve, por edhe të sëmurëve dhe humbjeve të jetës. Trendi i rritjes është vënë re edhe javën e kaluar, ku numri i infektimeve është shtuar ndjeshëm, ku ka pasur dhe humbje të jetës. Kjo ka ndodhur nga qarkullimi i varianti Omicron” deklaroi Rakacolli.
Nga ana tjetër, Eugena Tomini bëri thirrje për vaksinim urgjent me dozën e tretë dhe të katërt për të gjithë personat që kanë marrë 2 dozat e para. Gjithashtu ajo u shpreh se Covid e ka treguar që nuk ka një sezonalitet dhe është i pranishëm në gjithë kohët e vitit.
“Prej dy javësh ka një trend në rritje të rasteve të konfirmuara pozitive. Ky trend po pasqyrohet me rritjen e përqindjes së pozitivitetit dhe të shtrimit të pacientëve. Ka pësuar rritje nga gatit 4-5 muajt pararendëse. Për sa i përket bashkive në 90% kemi raste aktive dhe aktualisht popullata shqiptarë duhet të vaksinohet me dozë të 3 dhe të 4. COVID ka treguar se nuk ka një sezonalitet dhe është i pranishëm gjatë të gjitha muajve të vitit” tha në fjalën e saj në mbledhje Tomini.
Në lidhje me rëndësinë e vaksinimit foli edhe profesoresha Silva Bino, e cila e konsideroi si një mjet i rëndësishëm në lidhje me parandalimin e formave të rënda, vdekjeve dhe shtrimeve në spital.
“Pavarësisht numrit të varianteve, nga një studim, është vë në re qartësisht që impakti i vaksinimit është jashtëzakonisht i madh. Është emergjencë kryerja e dozës së tretë për të mbrojtur format e rënda të sëmundjes. Të gjithë ata që nuk kanë kryer dozën e parë duhet ta kuptojnë që bëhen një risk për personat e vaksinuar me vaksinim primar, por vaksinimi i përgjysmuar shton riskun në popullatë”, u shpreh ndër të tjera Bino.