Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka dhënë efekt pothuajse të menjëhershëm edhe në Shqipëri.
Pas përshkallëzimit të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, çmimi i naftës së tipit Brent ka kapërcyer kufirin e 77 dollarëve për fuçi, niveli më i lartë që nga janari.
Pas sulmeve ajrore në Teheran dhe frikës për një bllokim të mundshëm të furnizimeve në Gjirin e Hormuz, tregjet globale reaguan menjëherë, çmimi u rrit me mbi 8%.
Në Shqipëri, reflektimi ishte klasik: rritje e menjëhershme në pikat e karburantit me 3 deri në 5 lekë për litër. Në Tiranë, Durrës e Fier, një litër naftë po tregtohet tashmë mbi 180 lekë.
Kriza si justifikim, abuzimi si normë
Konflikti në Lindjen e Mesme është vetëm një nga faktorët që po nxisin rritjen globale të çmimeve të karburanteve.
Sipas Reuters, përveç frikës për furnizimet, rënia e rezervave strategjike në SHBA dhe politika e kujdesshme monetare e Rezervës Federale kanë ushqyer më tej këtë lëvizje. Ndërkohë, Bloomberg shton se edhe OPEC+ po mban të reduktuar prodhimin, duke kufizuar ofertën globale në një moment kritik.
Por, në Shqipëri, rritja e çmimeve të karburantit, është kthyer në model biznesi. Sa herë që ndodh një krizë në botë, qoftë luftë, embargo apo ndonjë përplasje diplomatike, çmimi i naftës rritet me shpejtësi.
Ulja, nga ana tjetër, mbetet gjithmonë një premtim i vakët, në “pritje të analizës”, në “monitorim të tregjeve”, apo në “shqyrtim nga bordi”.
Bordi i Transparencës, i krijuar me herët si një mjet për të mbrojtur konsumatorët, ka shërbyer më shumë si një mbulesë ligjore për çmime të fryra, sesa si rregullator real i tregut.
Shqipëria, ndër vendet me çmimin më të lartë në Europë
Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në kontinent, jo për shkak të vështirësisë në import apo cilësisë së lartë, por sepse mbi 60% e çmimit përbëhet nga taksa e tarifa: akciza, TVSH, taksë qarkullimi, tatim karboni, e deri te shërbime të tjera që rëndojnë në mënyrë të pajustifikuar mbi konsumatorin.
Krahas kësaj barre fiskale, në mungesë të konkurrencës reale dhe me një treg të mbyllur nga oligarkë të mirënjohur, fitimet vazhdojnë të jenë të jashtëzakonshme, pa asnjë kontroll efektiv nga shteti.
A do ta shohim 250-lekëshin?
Nëse llogaritja vijon me këtë logjikë, shifra prej 250 apo 300 lekësh për litër nuk duket aspak e largët. Për më tepër, çdo rritje e çmimit të karburantit shoqërohet me efekte zinxhir në të gjithë ekonominë: nga transporti te ushqimet bazë.
Shqipëria importon më shumë se gjysmën e produkteve që konsumon, dhe shumë prej tyre vijnë nga rajone të prekura nga konflikti apo ndikohen nga zinxhiri i furnizimit global. Kjo do të thotë më pak mallra, më shumë kosto dhe çmime më të larta për konsumatorin.