Rritja e çmimeve të produkteve bazë ka nisur të godasë edhe tregun shqiptar, ndërsa mielli, vaji dhe sheqeri po shtrenjtohen ndjeshëm. Ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi në një konferencë për mediat se lufta në Lindjen e Mesme ka dhënë efektet e para në çmimet e shportës ushqimore, por theksoi se qeveria e ka të pamundur të ndërhyjë drejtpërdrejt për t’i ulur ato.
Sipas saj, çmimet në tregun e ushqimeve përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndaj nuk mund të aplikohet i njëjti mekanizëm si në rastin e karburanteve. Ibrahimaj sqaroi se ekzekutivi do të monitorojë çdo ditë tregun dhe do të kryejë verifikime për të parë nëse ka abuzime apo spekulime me çmimet.
“Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime”, tha Delina Ibrahimaj.
Ministrja u shpreh se, nëse rritja e çmimeve do të ketë ndikim të vazhdueshëm te konsumi, qeveria do të mbështesë shtresat që nuk e përballojnë këtë situatë, qoftë edhe për një periudhë të përkohshme. Ajo tha se fokusi kryesor do të jetë te pensionistët.
“Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive dhe ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, as për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë”, deklaroi ministrja.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj nënvizoi se qeveria nuk ka pretenduar asnjëherë se do të vendosë çmimet e ushqimeve, duke theksuar se ky është një treg që funksionon ndryshe nga ai i karburanteve.
“Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve.”
Në thelb, mesazhi i qeverisë është i qartë: çmimet e shportës po rriten, ndërhyrja direkte nuk shihet si zgjidhje, ndërsa mbështetja pritet të përqendrohet vetëm te kategoritë më në nevojë.








