Ndotja e lumenjve është kthyer në një problem shqetësues në të gjithë vendin dhe ndonëse mediat raportojnë çdo ditë raste kompromentuese qeveria dhe autoritetet përkatëse vijojnë të bëjnë rolin e të verbërit.
Pas shkatërrimit të lumit Mat nga firma “Salillari” dhe “Ndue Kola Mountains”, një tjetër lum po shkatërrohet nga një biznesmen.
Bëhet fjalë për Gjergj Lucën, i cili drejton kompaninë “Rozafa” që si duket se nuk po pyet për asnjë shqetësim qytetarësh.
Para disa ditësh, banorët e Fushë-Labinotit protestuan me pankarta për t’i thënë “stop” shkatërrimit dhe ndotjes së lumit Shkumbin.
Banorët u shprehën para kamerave madje se ishin kërcënuar edhe me jetë nga pronari i fabrikës së peshkut, Gjergj Luca.
Ditën e sotme, kundër ndotjes së fabrikës “Rozafa” të Gjergj Lucës, kanë dalë në një reagim punonjësit e kësaj fabrike.
Kujtojmë këtu se janë të shumtë në numër punonjësit që punojnë në këtë kompani.
Të detyruar për të dalë, ata shprehen me justifikime përpara gazetarëve.
Ata janë shprehur para kamerave se fabrika nuk sjell aspak ndotje në lumë, dhe janë justifikuar me faktin se kështu është procesi teknologjik i larjes së prodhimeve të detit.
“Jam administratore e kompanisë Rozafa, kam filluar punë që në fillim. Nuk ka ujë të ndodur.
Flasim për lumin Shkumbin. Ne kemi 5 puse të licencuara dhe nuk u kemi vjedhur ujin qytetarëve.
Këto punëtore pastrojnë karkalecat dhe nuk ka ndotje ujë, pasi nuk ka kimikate.
Të gjitha mbetjet kanë filtrime dhe nuk kanë dëme.
Ju shikoni ujin e kuq, por uji do jetë i kuq por nuk ka ndotje.
Mbetje të ngurta?
Nuk ka pasi mbetjet e ngurta nuk derdhen në lum pasi ne kemi kontraktuar një kompani tjetër që vjen e i merr”, u shpreh administratorja.
Ndërkohë një prej punëtoreve të kompanisë u shpreh se nuk ka ndotje në lum dhe tha se duhet t’u vijë turp të gjithëve që thonë këtë gjë.
“Unë jam banore e këtij fshati dhe jam punëtore, nuk ka ndotje në lum.
Turp t’u vijë atyre pisave që thonë se ka ndotje dhe thonë se u janë vjedhur pronat”, tha ajo.
Një punëtore tjetër është shprehur duke ngritur tonet dhe duke u bërë sfidë të gjithëve se nëse ka ndotje mund ta pështyjnë.
“Hajde të shkojmë bashkë në lum të marrim ujin dhe të bëjmë analizat.
Nëse ka ndotje më pështyni të gjithë mua”, tha ajo.