Në një kohë kur dasmat moderne dominohen nga pamjet perfekte me dronë dhe dekorime spektakolare, në zemër të malësisë së Hasit, në verilindje të Shqipërisë, është ringjallur një traditë që kishte munguar prej katër dekadash.
“Dasma hasjane”, e rikthyer pas 46 vitesh, u rikthye me gjithë simbolikën dhe ritualet e trashëguara brez pas brezi, duke sjellë gjallërinë e zakoneve të hershme shqiptare në qytetin e Krumës.
Ceremonia e mbajtur risolli atmosferën e viteve ’30-’40, ku dasmat shqiptare pasqyroheshin në thjeshtësi, por me një pasuri të madhe simbolike e kulturore. Organizatorët u kujdesën që gjithçka të pasqyronte me përpikëri traditën, që nga fejesa e deri tek marrja e nuses.
Fejesa dhe zënia e kulaçit
Në traditën patriarkale shqiptare, fejesa nuk ishte thjesht një marrëveshje mes të rinjve, por një vendim i rëndësishëm i burrave të familjes. Zakonisht, fejesat bëheshin kur djali arrinte moshën e shërbimit ushtarak (18-19 vjeç), dhe lidhja formalizohej përmes një shkuesi, një figurë ndërmjetësuese me lidhje farefisnore. Me pranim të kërkesës, caktohej një ditë për dhënien e fjalës mes familjeve.
Të hënën në shtëpinë e dhëndrit, niste dasma. Kjo shënohej me ritin e “zënies së kulaçit”, ku nëna e dhëndrit përgatiste brumin me miell, ujë dhe sheqer, të cilin e përziente dhëndri simbolikisht me grykën e pushkës. Më pas, ai qëllonte në ajër tri herë nga dritarja, duke shpallur hapjen e dasmës.
Ritet e shtëpisë së nuses
Në shtëpinë e nuses, përgatitjet nisin të premten. Aty mblidhen motrat e martuara dhe të afërmet, ndërsa të shtunën paradite shfaqet “çejzi”, pajë e përgatitur nga nusja, që përfshin punime dore si qilima, çarçafë, triko dhe mbulesa të qëndisura.
Mbrëmja e së shtunës shënon edhe një nga momentet më simbolike: ngjitja e “kanasë”, një ritual i dhimbshëm që shënon largimin e vajzës nga shtëpia. Dy gra e rrëzojnë nusen në tokë dhe i lyejnë thonjtë me manikyr, ndërsa i këndojnë ninulla trishtimi për ndarjen nga familja.
Marrja e nuses
Të dielën, nusja merret me kalë, një veçori e dallueshme për zonën e Hasit. Kali i nuses është i pajisur me shale dhe i shoqërohet nga kali i kutive që mbart pajën. Para se të hipë në kalë, nusja mbulohet me duvak që i pengon pamjen dhe nuk takohet me dhëndrin.
Në shtëpinë e dhëndrit, vjehrri e ndihmon të zbresë nga kali dhe një djalë i ri ia heq duvakun, në shenjë simbolike. Për këtë, ai shpërblehet me një palë çorape që nusja i ka fshehur nën duvak.
Nusja paraqitet më pas para grave të fisit, që e shikojnë në heshtje, ndërsa ajo qëndron në këmbë me sytë poshtë, si shenjë përulësie. Në sfond, këndohen këngë që njëkohësisht e lavdërojnë dhe e qortojnë, si pjesë e zakonit.
Kujtesë dhe emocione
Një nga momentet më prekëse ishte interpretimi i një ninulle nga Ilirjeta Krasniqi, që shoqëronte vargjet e dikurshme që nënat hasjane ia këndonin bijave në ditën e dasmës.
Mësuesja në pension Shkurte Mulaj solli në kujtesë zërin e grave të dikurshme, ndërsa Përparim Brati dhe Flutura Aliaj, dy prej njohësve dhe ruajtësve të traditës hasjane, kujtuan me emocion se hera e fundit kur një dasmë e tillë u zhvillua ishte në vitin 1978. Me përkushtim e dashuri, ata risollën çdo detaj të zakonit të vjetër.
Në një kohë kur shumë të rinj largohen nga vendlindja dhe traditat rrezikojnë të harrohen, kjo dasmë u bë një kujtesë e fuqishme për rrënjët dhe vlerat që ende mund të mbijetojnë nëse ushqehen me kujdes.