Pasditen e sotme menjëherë pas mbarimit të mbledhjes se PD-së, deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se Reforma Territoriale është diçka që e kanë kërkuar vetë shqiptarët. Në një deklaratë për mediat Alibeaj tha se në qendër të vetë reformës duhet të jetë njeriu. I pyetur për mungesën e një përfaqësuesi nga grupi i kryedemokratit Sali Berisha, Alibeaj tha se mbledhjet zhvillohen me dyer të hapura dhe se çdokush mund të shkojë. I pyetur edhe për një propozim konkret, Alibeaj tha se gjithçka do të shihet në fundt të afatit që është përcaktuar.
“Synojmë një reformë që të jetë në qendër individi. Mbledhjet e deputetëve janë me dyer të haoura, secili ka të drejtë të marrë pjesë. Qasja për rëndësinë e komisionit është ajo se çfarë ka në diskutim, deputetët duhet të kenë të drejtë të diskutojnë, e kuptoj pyetjen tuaj. Ju e dini që komisioni ka 9 anëtarë, 6 nga PD. Numri i madh i deputetëve, janë përfshirë ata që kanë një ekspertizë në pushtetin lokal, kjo gjë është e domosdoshme. Andia Ulliri ka qenë shumë afër, Merita Bakiu ka 30 vite që jep kontributin e saj. kështu që tu japim mundësinë edhe të rinjve. Kriteret duhet të respektohen hap pas hapi. Ka një afat të përcaktuar edhe në vendimi. Është e udhës serioziteti i një veprimtarie politike, i një procesi, e kërkon që të ecet me hapat e kujdesshëm për atë çfarë njerëzit duan. Ne e kemi bërë të qartë që kjo reformë me këtë numër është e dështuar. Por për ne e rëndësishme është që qytetari të jetë në qendër dhe shërbimi të jetë në qendër, të respektohen kriteret ekonomike, kulturore dhe historik. T’ia lëmë hap pas hapi komisionit dhe ekspertizës,”- tha Alibeaj.
Nesër në orën 12:00 do të mblidhet për herë të parë Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale. Nga Kryesia e Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla tha se duhet të gjendet një mënyrë që të shkohet drejt një organizimi më funksional rajonal, ndërsa kërkoi që opozita t’i përmbahet objektit. Balla tha se komisioni për reformën zgjedhore do të jetë vështirë të aplikohet për zgjedhjet e ardhshme vendore, që sipas një përllogaritjeje, ai thotë se mund të mbahen në periudhën nga 15 prilli deri më 15 maj të vitit 2023.