Paraditen e sotme PD ka denoncuar shpopullimin e vendit nga të rinjtë, ku ka publikuar shifra për numrin e nxënësve që janë larguar nga bankat e shkollës për këtë vit shkollor. Në një deklaratë për shtyp nga jashtë bashkisë së Tiranës, anëtari i Këshillit Kombëtar, Akil Kraja u shpreh se shifrat janë alarmante, pasi 208 mijë nxënës janë larguar për këtë vit nga shkolla.
Deklarata e Krajës
Prej vitit 2013, numri i nxënësve, gjimnazistëve e studentëve të regjistruar në sistemin arsimor shqiptar ka rënë me 208,426 vetë.
Janë dhjetëra mijëra fëmijë të cilët kanë emigruar së bashku me familjet e tyre.
Në vitin shkollor që sapo filloi, në klasë të parë u regjistruan vetëm 20.235 fëmijë, 3 herë më pak sesa regjistroheshin dy dekada më herët.
Shifrat janë alarmante!
Shqipëria po zbrazet masivisht!
Shqipëria është në rrezik!
Po përse familjet shqiptare nuk besojnë që fëmijët e tyre mund të mirë-arsimohen në Shqipëri? Përgjigja është vetëm një. Sepse në Shqipëri pushtetarët duan të nxjerrin pará nga gjithçka, nga inceneratorët e deri te shkollat e fëmijëve tuaj, jo të fëmijëve të tyre, sepse ata të vetë i çojnë në shkollat e Londrës, Nju Jorkut e Berlinit.
Në krye të shembujve të hajdutërisë dhe makutërisë qëndron Bashkia Tiranë.
Në kuadër të buxhetit për rindërtimin e shkollave pas tërmetit të vitit 2019, rezulton se Bashkia Tiranë shpenzon 3 herë më shumë për cdo ndërhyrje ne një objekt arsimor.
Kështu, nëse Bashkimi Europian shpenzon rreth 680.000 euro për objekt, Bashkia Tirane shpenzon 2.173.000 euro. Kjo vlerë është 3 herë më e lartë se dhe vetë mesatarja për objekt arsimor realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institution nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Pas fasadave të bukura fshihen abuzime nga më të shëmtuarat.
1.Shkolla “Sami Frashëri: 4,7 mln Euro (Pa TVSH) 5,7 mln Euro (me TVSH)
2.Shkolla “Qazim Turdiu” 3 mln Euro (pa TVSH) 3,6 mln Euro (me TVSH)
3.Shkolla “Hasan Vogli” 2,2 mln Euro (pa TVSH) 2,7 mln Euro (me TVSH)
4.Shkolla 9 vjecare Dritas (Zall Herr) 1,8 mln Euro (pa TVSH) 2.2 mln Euro (me TVSH)
5.Shkolla “Bedri Llagami” Vaqarr1,65 mln Euro (pa TVSH) 2 mln Euro (me TVSH)
6.Shkolla “17 shkurti” Qesarak 1.6 mln Euro (pa TVSH)
Por nuk mbaron me kaq.
Bashkia e inceneratorit, që nuk ekziston ka vetëm një standard, abuzimin nëpërmjet skemave me PPP, si në landfillin e Sharrës, ashtu në mes të Tiranës, si me plehrat, ashtu me shkollat.
Njësoj si me fondet e rindërtimit post-tërmet, edhe skema e ndërtimit të 17 shkollave të reja në Tiranë nëpërmjet një PPP-je të dyshimtë, dëshmon për të njëjtat abuzime.
Banorët e Tiranës do të paguajnë 3.7 milion Euro për godinë shkollore, ose 5 herë më shumë sesa i kushton Bashkimit Europian një godinë e tillë.
Në total, PPP-ja e shkollave të reja do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës 65 milion Euro.
Miliona euro që merren nga një taksë bashkiake për arsimin, e cila mbulon jo vetëm fitimet e koncencionarit të PPP-së, por edhe një interes prej 6. 5 % mbi vlerën e investimit për sipërmarrësin.
Mos u besoni kur rrëmbejnë fëmijën e parë që u del para për të bërë foto publicitare.
Sa u jepet rasti e vjedhin mësuesin, prindin dhe të njëjtin fëmijën që përqafuan një ditë më parë.