Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar sot një raport, që kishte në fokus pandeminë e koronavirusit. Gjithashtu në raport theksohet se agjentë të huaj kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 për të grumbulluar informacione në Shqipëri. Po ashtu në fokus kanë qenë fushatat agresive, dezinformuese dhe keqinformuese, të cilat ndikuan negativisht në përgjigjen reaguese dhe perceptimin e publikut mbi rrezikshmërinë reale të pandemisë.Po sipas raportit të SHISH, Mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false.
“Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj“, citohet në një pjesë të raportit të publikuar nga SHISH
Raporti i plotë i SHISH:
“Situata e shkaktuar nga COVID-19 u shoqërua me fushata agresive dezinformimi dhe keqinformimi, të cilat ndikuan negativisht në përgjigjen reaguese dhe perceptimin e publikut mbi rrezikshmërinë reale të pandemisë.
Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj. Mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false.
Përveç përdorimit të aseteve të tyre mediatike, apo mediave të financuara e orientuara prej tyre për të drejtuar fushata të shënjestruara dezinformacioni, edhe shpërndarja jo e qëllimtë e informacionit fals dhe teorive konspirative në hapësirën online, ndenja e pasigurisë të publikut dhe nevojës për përgjigje lidhur me COVID-19, i favorizoi për të përhapur narrativat e tyre, propaganduar superioritetin dhe shënjestruar sistemet demokratike si të dështuara.
Në rajon dhe vendin tonë, propaganda dhe dezinformimi përbëjnë një ndër elementët e fushatës hibride që përdorin aktorët jo-perëndimorë në përballjen e tyre gjeopolitike me Perëndimin për arritjen e objektivave strategjike për t’iu kundërvënë dhe penguar proceset integruese euro-atlantike në rajon. Fokusi propagandues në hapësirën online u vu në problematikat historike: keqtrajtimi i supozuar i vendeve të rajonit nga faktori perëndimor, duke pretenduar përdorimin e standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjeve specifike në vendet e Ballkanit Perëndimor; hezitimi i supozuar i Perëndimit për të shpejtuar pranimin në BE të vendeve të BP; dobësitë e brendshme, veçanërisht në vendet pro-perëndimore; përshkrimi i faktorit shqiptar në rajon si kërcënim për rajonin dhe rolin e shqiptarëve si nxitës të politikave nacionaliste për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”. Paralelisht me objektivin për të penguar integrimin euro-atlantik, kjo propagandë synoi të promovonte imazhin dhe interesat e tyre, të inkurajonte ndjenjat kundër NATO-s dhe të nxiste tensione ndëretnike me qëllim dobësimin e kohezionit në rajon.
Në morinë e teorive konspirative që karakterizuan situatën në shkallë globale, edhe në vendet e rajonit dhe Shqipëri, pati qarkullim të tyre në rrjetet sociale dhe mediat online, të cilat i përcollën në gjuhët vendase. Një numër teorish konspirative janë shpërndarë nga platforma propaganduese, sociale e mediatike, që reflektuan edhe publikimet në kanalet mediatike shtetërore dhe jo-shtetërore të vendeve jo-perëndimore, të regjistruara në këto vende por edhe jashtë tyre, pa lidhje të qarta shtetërore. Shpërndarja e qëllimtë, por edhe për motive klikimi, nga llogari rrjetesh sociale, patën ndikim në perceptimin e publikut, me impakt në ulje të besueshmërisë për masat kundër COVID-19 dhe rrezikshmërinë reale të pandemisë. Hapësira online e vendeve të rajonit, por edhe vendit tonë, u bë shpërndarëse e këtyre narrativave.
Pandemia e shpejtoi përdorimin e diplomacisë agresive për të promovuar superioritetin e sistemeve politike autoritare. Propaganda që shoqëroi dërgesat dhe asistencën prej tyre në muajt e parë të pandemisë u shoqërua me rritje të propagandës dhe si instrument për të dëshmuar superioritet dhe rivalitet me Perëndimin. Narrativat e tyre shpesh konverguan dhe mbështetën reciprocikisht njëra-tjetrën në synimet e tyre gjeostrategjike. Mediat online dhe rrjetet sociale përcollën në gjuhët e rajonit këto narrativa, propagandën për “menaxhimin efikas të pandemisë”, qasjen e tyre humanitare ndaj vendeve të rajonit, me kujdesje të pasqyrimit të tyre si ndihma humanitare ndaj popujve të rajonit, etj. Platformat online kanë luajtur rolin e shumëfishuesve të propagandës e dezinformacionit, duke bërë të mundur ndërlidhjen e audiencës shqipfolëse me operacionet informative.
Objektivat kryesore të operacioneve informative të këtyre aktorëve janë nxitja dhe amplifikimi i ndasive politike, sociale, etnike, fetare; minimi gradual i besimit në proceset, në sistemin demokratik, institucionet kombëtare e ndërkombëtare; përçarja e kohezionit kombëtar dhe midis vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së; manipulimi i perceptimit publik mbi to dhe paraqitja e modeleve të tyre qeverisëse si të suksesshme në menaxhimin e situatës në raport me shtetet perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare”, sipas SHISH.
“Situata e shkaktuar nga COVID-19 dhe teoritë konspirative që e shoqëruan atë, luajtën rol edhe në tablonë ekstremiste të dhunshme, të motivuar ideologjikisht, në lulëzim të agjendave populiste e amplifikim të ekstremizmave të tjerë si nacionalist, racor dhe gjinor, të nxitur e mbështetur nga grupime të caktuara, të cilat rritën propagandën për përdorimin e dhunës si mjet për të nxitur ndryshimin që duan të shohin në shoqëri. Propaganda ekstremiste ka ndikuar shpesh në akte dhune ndaj forcave policore, kampeve të refugjatëve, akuza kundër politikave ndaj refugjatëve dhe emigrantëve si shkatërruese të homogjenitetit etnik.
Teoritë e konspiracionit përdoren për këtë synim, edhe për shkak se “janë tërheqëse” për ndjekësit në rrjetet sociale, duke ndikuar në uljen apo dobësimin e perceptimit publik në sistemet demokratike. Lëvizjet populise, por edhe ato civile anti-vaksinë, mund të përdorin situatën për të zgjeruar mbështetësit e tyre dhe për t’u faktorizuar më pas në shoqëri dhe skenën politike, duke çuar përpara agjendat e tyre.
Në vendet perëndimore, situata e COVID-19 u shoqërua me demonstrime të dhunshme ndaj autoriteteve policore e institucioneve shtetërore. Edhe në vendet e rajonit pati thirrje nga elementë e grupime të veçanta për të reflektuar demonstrimet e vendeve evropiane. Nuk përjashtohet manipulimi i mundshëm i tyre nga aktorë jo-perëndimorë për të shkaktuar destabilitet, fenomen i evidentuar në SHBA dhe vendet evropiane.”