Kryeministri Edi Rama publikoi me bujë raportin e Bertelsmann Stiftung (BTI 2026), duke e paraqitur si një vlerësim ndërkombëtar që vendos Shqipërinë në krye të rajonit për transformimin politik dhe qeverisjen, ndërsa njëkohësisht sulmoi mediat vendase për mungesë objektiviteti.
Por ajo që po ngre pikëpyetje është se kush qëndron realisht pas këtij raporti që po përdoret si argument politik.
Sipas të dhënave në faqen zyrtare të BTI, analiza për Shqipërinë është hartuar nga vetëm dy persona: Arolda Elbasani dhe Sejmir Elbasani, motër e vëlla, pra një vlerësim i ndërtuar nga dy zëra që vijnë nga e njëjta familje dhe nga vetë vendi që analizohet.
Arolda Elbasani rezulton e përfshirë në rrjete dhe projekte akademike ndërkombëtare të lidhura edhe me fondacionin Soros, ndërsa Sejmir Elbasani mban një rol drejtues në BKT, një institucion financiar me lidhje të forta me strukturat shtetërore në Shqipëri.
Në këtë kontekst, raporti që prezantohet si një vlerësim i pavarur ndërkombëtar rezulton të mbështetet në ekspertizë të prodhuar brenda vendit, nga dy emra të lidhur mes tyre dhe me angazhime që prekin drejtpërdrejt sferën politike dhe institucionale.
Ndërkohë që mediat vendase kritikohen për mungesë besueshmërie, ky raport po përdoret pa asnjë rezervë si provë e progresit, duke shtuar dyshimet mbi mënyrën se si interpretohen dhe shfrytëzohen vlerësimet ndërkombëtare në debatin politik në Shqipëri.








