Kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në interpelancën e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, të kërkuar nga deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferaj, lidhur me procesin e rindërtimit.
Xhaferraj vuri në dukje problematikat që ka qarku i Durrësit në përgjithësi, veçanërisht pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Xhaferraj: “Brenda qershorit të 2021, kryeministri tha se do të kemi mbaruar punë me tërmetin. Ndërsa sot, në tetor 2021, qytetarët e Durrësit akoma nuk kanë marrë bonuset e qirasë. Ka një problem tjetër, që prek rrugën. Në dhjetor të vitit 2020, dy shoqata, janë drejtuar komisionerit për mbrojtje nga diskriminimi sepse kishin vite që kërkonin të bënin rrugën, por punonjësit e administratës i quanin “çeçenë”. Kur arrini të diskriminoni komisionerin për mbrojtje të diskriminimit, çfarë prisni për të tjerët. E kuptoni ku jemi? Komisioneri kërkon informacion dhe nuk merr, imagjino çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë. I vetmi zë që dëgjon qeveria juaj është zëri i ryshfetit, oligarkëve. Në Durrës nuk ka vrarë tërmeti, por masakra urbane. Po çfarë flisni për tërmetin sepse rrafshuat 30 sheshe dhe filluat punimet në pallatin ku banonte zv.ministrja e Brendshme. Ju jeni të gatshëm të përfitoni nga babëzia”.
Ai nënvizoi se shumë banorë janë ende pa shtëpi, e shumë të tjerëve nuk i jepen bonuset e qirave. Nga krahu tjetër, zv. kryeministri Ahmetaj tha se puna për rehabilitimin e dëmeve të tërmetit, ka ngecur për shkak të pandemisë. Ai theksoi më tej, se në shtator të 2022, pritet që të ezaurohen të gjitha problematikat e sjella nga fatkeqësia natyrore e 2019.
Kanë qenë akuzat e ngritura nga deputeti se mazhoranca po bën makutëri me rindërtimin, që kanë bërë që Rama të ndërhyjë, duke marrë fjalën e tij. Nga foltorja, Rama i kërkoj Xhaferajt dhe gjithë demokratëve, që të kërkojnë larg nga çështja e tërmetit, pasi sipas tij, puna e bërë pas tërmetit do të mbetet në histori.
Mes të tjerash, Rama e ftoi deputetin Xhaferaj që të marrë pjesë deri më 26 nëntor, kur familjeve t’iu jepen shtëpitë e apartamentet në zonat e dëmtuara nga tërmeti.
Rama: Jam i detyruar të ndërhyj, sepse realisht dëgjova një uturi shpifjesh dhe akuzash, dhe bëtë edhe një gjest digjital këtu. Ju kujtoj se ka qenë pandemia dhe që kanë qenë muaj të tërë, në të cilët kantierët janë bllokuar dhe detyrimisht edhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, por aspekti tjetër, mbi ç’bazë ju i ngrini këto akuza dhe flisni për babëzi e makutëri? Keni ndonjë shifër, ndonjë fakt? Shkollat kanë standarde, kritere, janë zhvilluar si proces ndërtimi me gara, garat kanë dosje, dhe mbi gjithë këto fakte mund të bëhen edhe hulumtime, investigime, e pastaj mund të nxirren konkluzione profesionale. Jo si mjek popullor apo si akrobat popullor cirku. Është shumë e shëmtuar që gjithë kjo përpjekje të përbaltet në këtë far feje pa asnjë lloj baze. Siç tha dhe Ahmetaj, shkollat janë aty, krah për krah me shkollat që keni ndërtuar ju dhe kontrasti është i njëjti, si kontrasti mes të sotmes dhe mesjetës, me thënë të drejtën. Natyrisht që në këtë aspekt nuk matemi me ju, se nuk mund të matet cilësia e diellit me errësirën, por pa diskutim që me shumë vëmendje do ta mirëprisnim çdo lloj fakti e argumenti, jo dokrra e të shara prej të dehuri në klub, por fakte dhe argumente. Zotrote thua se qenkan fshirë sheshet për të fshehur gjurmët. Cilat gjurmë?
Ndërhyn Xhaferaj…
Rama: Mos më ndërprit, unë nuk emëroj drejtorë. Të gjitha godinat e prishura kanë historikun e tyre dhe historiku i tyre është vlerësuar nga organet e kompetente. Ndryshimi mes nesh dhe jush është se juve sytë ju janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat, nga shëmtia, nga deformimi, se ndryshe nuk do të ishit krenarë pa kthim për gjithë masakrën urbane, që keni lejuar dhe keni promovuar si një mrekulli të tetë të botës në Shqipëri. Nuk do të ishit krenarë. Në kohën kur ju qeverisnit, duhej dalë me duar në hundë e në sy për të mos parë e për të mos marrë erë. Kjo është karakteristika e qeverisjes suaj historikisht. Dhe këtu nuk kemi çfarë diskutojmë, se kemi konflikt estetik, është e kotë të flasim. Për ju janë të tepërta, janë kot, këto për të cilat flasim ne, e për të cilat investohemi ne. Unë po ju them që numri i familjeve, që sot gëzojnë shtëpinë, është i madh dhe do të rritet në javët e fundit të këtij muaji. Ju ftoj personalisht juve z. Xhaferi, që të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive e apartamenteve për mijëra familje, deri më 26 nëntor, që bëhen dy vjet nga tërmeti, dhe ku ju do shikoni me sytë tuaj se në Ishëm, psh, apo Thumanë, Fushë Krujë, Bubq, nëse s’përtoni mund të vini me ne dhe në Lezhë, Tiranën ja ku e kemi, ka shumë gjëra për të cilat mund të flisni e kritikoni, por për këtë çështjen e tërmetit mendoj se duhet t’i rrini larg shumë, se bëheni shumë qesharakë, kur flisni për një nga ndërmarrjet më të mëdha, që do të mbetet në histori.