Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dibër ku po vazhdon fushatën elektorale. Edhe pse ka sulmuar vazhdimisht Partinë Demokratike për grumbullimet e qytetarëve duke rrezikuar shëndetin e tyre, Rama e ka bërë vetë diçka të tillë ditën e sotme. Në Dibër qytetarët janë grumbulluar në fushën ku po mbahet takimi duke mos respektuar destancën e sigurisë, ndërsa sipas Ramës diçka e tillë është e vështirë për t’u kontrolluar.
“Është mungesë distance, e kuptoj vështirësinë për të kontrolluar metrin e fundit këtë fushë. Të tjerë donin të hynin. Pa u zgjatur, shumë faleminderit. Është moment i bukur i një dite të bukur. U gjenda shumë shpejt si asnjëherë më parë në Mat dhe Burrel”, tha Rama.
Ai u ndal gjithashtu edhe tek një çështje që e ka përmenduar shumë ditët e fundit në takimet që mban me qytetarët. Rama ka thënë se është kthyer nga emigracioni ndërsa sot kërkon mandatin e tretë për ta ngjitur Shqipërinë në majën që ai e sheh në ëndrra me syhapur.
“Sot dua t’ju tregoj me pak të dhëna se përse kam kaq shumë besim dhe bindje se mandati i tretë është momenti i një kapërcimi të madh. Pse mandati i tretë është vendimtar në rrugën drejt asaj maje që e kam parë si ëndërr me syhapur, jo në gjumë kur kam lënë emigracionin për të ardhur në Shqipëri e për t’u marrë me politikë. Sa herë që lodhja, stresi, mërzia më ka thënë lëre këtë punë. Arsyeja pse jam këtu bashkë me ju është sepse ajo majë që e kam parë dhe më nxjerr nga shtëpia është sot e mbërritshme. Thjesht duhet që të rezistojmë dhe të mos i biem shkurt. Të mos harrojmë se çfarë na ka ndodhur kur i biem shkurt”, ka thënë Rama.