Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit me në krye Edi Ramën, në mbledhjen e 26 marsit 2025, ka miratuar 59 leje ndërtimi, kryesisht për kulla dhe resorte. Mes të tjerave, KKTU ka miratuar edhe lejen me objekt; Godinë banimi dhe shërbimesh me 3, 5, 6 dhe 7 kate mbi tokë, me 2 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Hamdi Sina”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Fz Construction” sh.p.k”. Bëhet fjalë në zonën e Liqenit të Thatë, ku kompania e ndërtimit Fz Construcion ka ngritur një qytezë me paratë e trafikut të drogës, duke i errësuar sytë me para Prokurorisë së Tiranë, e cila i ka mbyllur më herët një hetim pasuror, me një ‘arsyetim’ sa të rrezikshëm aq edhe komik.

Në tetor të vitit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi një tjetër leje për kompaninë Fz Construction sh.p.k për një godinë banimi dhe shërbimesh në të njëjtën zonë.

Pronari në hije dhe faktik i kompanisë Fz Construction sh.p.k është Fejzo Zekaj, më herët pjesë e një dy linjave të trafikut të heroinës në Breshia të Italisë, njëra linjë e nga Bullgaria, ndërsa tjera nga Turqia.
Për herë të parë, emri i tij në rrjetin e trafikut të drogës doli në vitin 2003, bashkë me të edhe ortaku i tij bullgar Stuianov Nicolov Gheoghe. Për këtë aktivitet, Zekaj është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Breshias me 7 vite burg.

Lehtësia sistematike se si Zekaj ka përkulur shtetin shqiptar, përmes prokurorëve dhe gjyqyarëve të korruptuar, duke i shpëtuar dy herë ekstradimit në Itali, vuajtjes së dënimit dhe 3 herë sekuestrimit të pasurisë, e bën atë të veçantë nga trafikantët e tjerë, që pastrojnë paratë drogës në ndërtim.

Nga viti 2007 deri më sot, Fejzo Zekaj ka ngritur një perandori ekonomike në zonën e Farkës dhe Liqenit të Thatë, duke kamufluar kompaninë në emrin e familjarëve të tij. Pjesë e kësaj perandorie është edhe kompleksi i vilave “White Hause”.
Miliona euro janë injektuar cash në kompani duke i rritur kapitalin dhe zgjeruar hartën e investimit në komplekse vilash. Transaksione miliona euro nuk kanë burime të ligjshme. Është një histori klasike dhe pa ndonjë sofistikim e pastrimit të parave në ndërtim.

Lejet për pallate të miratuara nga degët e qeverisë Rama për Fejzo Zekajn tregojnë edhe një herë respektin e shtetit shqiptar për figurat e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
1. Në dhjetor të vitit 2004, Interpol Roma i kërkoi homologëve në Tiranë arrestimin e Fejzo Zekaj me qëllim ekstradimin në Itali, por urdhri mbeti pezull për arsye të paqarta apo për arsye që merren mend.
2. Në vitin 2011, Zekaj i shpëtoi zbatimit të ligjit anti-mafia për sekuestrimin e pasurive, për ‘mungesë’ provash. Por, dosja mbeti e ‘ngrirë’.
3. Në 26 shkurt 2016, Interpol Roma përsëriti kërkesën për të çuar para drejtësisë Fejzo Zekajn. Ky i fundit u arrestua nga policia.
4. Më 15 mars 2016, Gjykata e Apelit e liroi nga burgu Fejzo Zekajn, duke e lënë në arrest shtëpie. Shkak u bë një kërkesë e dytë e autoriteteve italiane, e cila heq dorë nga ekstradimi i tij dhe autorizon autoritetet shqiptare për konvertimin e dënimit në Shqipëri. Dhe në Shqipëri dihet se si konvertohen dënimet!
5. Nëntë muaj pas arrestimit dhe më pas lirimit të biznesmenit të kompleksit “White Hause” Fejzo Zekaj, njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës nisi hetimet për pastrim parash ndaj tij dhe nënës pensioniste Tefta Zekaj. Me kërkesë të prokurorisë u bllokuan të gjitha llogaritë bankare të Fejzo dhe Tefta Zekajt.
6. Disa prokurorë, një avokat, sekserë dhe një gjyqtarë mbyllën hetimin pasuror për Fejzo Zekaj. Grupit iu desh të bënte ka shumë manovra, kapërcime dhe spërdredhje procedurale pasi dyshohet se shuma e ofruar për të shpëtuar pasurinë nga sekustrimi ishte shumë e madhe përfshirë edhe pasuri të paluajtshme. Nëse SPAK ka vullnet, t’a administrojë atë dosje.
7. Në shkurt të vitit 2020, vajza me syze e OFL-së i çoi letrën Fejzo Zekajt për të justifikuar pasuritë me afat ultimativ. Letra i hodh në kosh me lehtësi.

8. Vitin e kaluar, Fejzo Zekaj, hapi një tjetër kompani FZ Group, me kapital 100 mijë lekë, për ndërtim portesh dhe kullash.

Nga verifikimet nuk figuron ende që kjo kompani të ketë përfituar koncensione apo leje për kulla. Nga ana tjetër, Fz Construction sh.p.k rezulton me transaksione dhjetëra milionë euro me dhjetëra persona, kontrata fiktive apo me vlera jo reale, skema gjenerimi parash etj., ndërsa në pah del edhe një nga oligarkët kryesorë në vend, emri i të cilit del të paktën në 9 dosje të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, i implikuar në trafikimin e 6 kilogramëve heroinë nga Bullgaria dhe Turqia./Prapaskena