Në Komisionin e Ekonomisë, ku diskutohet projektbuxheti për vitin 2021, ministres Anila Denaj iu bë pyetja: “A keni një draft B nëse mund të kemi një mbyllje ekonomike të shpejtë?”, nga deputetja e opozitës Edlira Hyseni.
“Rreziku më i madh fiskal do të ishte zgjatja në kohë e pandemisë. Buxheti është përgatitur jo për një situatë emergjente dhe një situatë e vështirë me pandeminë do të cenonte rritjen e të ardhurave. Ky risk ne vlerësojmë se mund të materializohet në vlerën e 10-12 miliardë lekë nga totali i rritur me mbi 40 miliardë lekë i të ardhurave”, deklaroi ministrja Denaj.
Më tej Denaj shtoi se ka vetëm një zgjidhje, ngrirja e shpenzimeve buxhetore në disa sektorë.
“Ky skenar do të ishte shumë mirë të mos formalizohej asnjëherë pasi për ekonominë tonë do të ishte dramatik, dhe është e nevojshme që ne të mendojmë se cilat janë ato shpenzime buxhetore që ne mund ti ngrinim në mënyrë të menjëhershme, ti pezullojmë për disa kohë që të siguronim një balancë makro-ekonomike”, tha Denaj.
Projektbuxheti nuk është i përgatitur për një situatë emergjente. Megjithatë ministrja Denaj ka prezantuar në komision lehtësirat fiskale të ndërmarra për të mbështetur biznesin në vend, përfshirë shtyrjen e deklarimeve tatimore apo shtyrjen e pagesave të detyrimeve, të cilat sipas saj, kanë pasur një efekt negativ 19.1 miliardë lekë.
“Tre nga masat kryesore janë mospagimi i detyrimeve tatimore për bizneset e vogla. Kjo masë ka pasur një efekt pozitiv për këtë vit për të mos lejuar bizneset për të mos ju ekspozuar këtij detyrimi për të paktën 14.410 biznese të vogla. Ndërkohë e njëjta masë është marrë për bizneset e mëdha në turizëm, call center dhe fasoneri kanë përfituar 23.917 biznese të mëdha. Sikurse janë shtyrë afatet e deklarimit për vitin 2019 për të gjithë bizneset me një numër 24.945 biznese. Të treja këto masa kanë pasur një efekt buxhetor 19.1 miliardë lekë në buxhetin e këtij viti”, tha ministrja.
Një tjetër nismë pozitive që hyn në fuqi vitin që vjen është rritja e pagës minimale nga 26 në 30 mijë lekë.
“Rritja e pagës minimale do të ketë një efekt në kontribute në masën e 3 miliardë lekëve, dhe do ta nisim në janar të vitit 2021”, deklaroi Denaj.
GazetaReforma.com/