Në prangat e policisë së Shkodrës ka rënë një 49-vjeçar, pasi po qarkullonte me armë zjarri me vete. Arrestimi i shtetasit Isuf Isufi, erdhi pas kontrolleve të befasishme që policia e Shkodrës po kryen ditët e fundit. Policia i sekuestroi 49-vjeçarit një shumë të konsiderueshme parash dhe armë zjarri. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Vijojnë kontrollet e befasishme për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Qarkullonte me armë zjarri me vete në qytet, vihet në pranga 49-vjeçari.
Sekuestrohet arma zjarrit dhe një shumë e konsiderueshme lekësh.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave me precedent kriminal, personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte në qytet me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Lagje Perash”, kanë ndaluar shtetasin I. I., të cilit gjatë kontrollit i gjetën një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. I., 49 vjeç, banues në lagjen Ajasëm, Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.