Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas skandalit të publikuar në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, duke bërë të ditur se mësuesja Mine Hasani është larguar nga detyra.
Rasti u denoncua të martën, më 24 shkurt, nga emisioni investigativ Stop në Tv Klan, i cili publikoi pamje filmike të siguruara me kamera të fshehtë.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Kumbaro u shpreh:
“Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit.
Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë.”
Ministrja sqaroi se hetimi administrativ do të vijojë, duke përfshirë të gjithë zinxhirin komandues dhe një analizë të thelluar të situatës.
“Jo vetëm për të marrë masa ndaj një personi që nuk e meriton titullin mësues, por edhe për të kuptuar se cilat janë boshllëqet në zinxhirin e drejtimit, rolin e psikologëve dhe të drejtuesve të shkollës”, tha ajo.
Nga pamjet e publikuara rezulton se mësuesja ushtronte dhunë fizike ndaj nxënësve dhe përdorte gjuhë fyese, kërcënuese dhe degraduese. Gjatë një monitorimi prej më shumë se një jave, sipas materialit të transmetuar, shprehje si “ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni” janë përdorur vazhdimisht ndaj fëmijëve.
Ministria e Arsimit bëri me dije se, në zbatim të Urdhrit nr. 31, datë 28.01.2020, për trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse, si dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve për vlerësimin e çdo indikatori të mundshëm të një situate risku.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi synon të garantojë transparencë të plotë dhe reagim të menjëhershëm institucional ndaj çdo situate që lidhet me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në institucionet arsimore.








