Covid-19 ka vazhduar të përhapet edhe në institucionet më të larta drejtuese të vendit.
Sipas “Dosja.al”, një punonjëse e afërt me kryeministrin Edi Rama është infektuar me koronavirus.
I.Sh, është punonjësja e disatë e Kryeministrisë që preket nga COVID-19.
Kjo e fundit është punonjëse e Zyrës së Dhënave në Kryeministri.
Koronavirusi ka prekur edhe institucionet më të larta në vend, më saktë Kryeministrinë, Ministrinë e Financave dhe disa institucione të tjera qendrore.
Pozitivë me Covid-19 kanë rezultuar disa ditë më parë edhe dy gardistë, njëri prej të cilëve është në hyrje të Kryeministrisë, për të cilët askush nga drejtuesit e vendit tonë nuk doli në një deklaratë për të pohuar ose mohuar lajmin.
Të prekur me Covid-19 ka edhe në Ministrinë e Financave.
Pandemia po prek institucionet më të larta të shtetit, ndërkohë që nga shtimi i rasteve nga dita në ditë, rrezikojmë edhe rikthimin në karantinë.
Disa ditë më parë, “gazetareforma.com” njoftoi se edhe një këshilltare e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë u karantinua për shkak se një anëtar i familjes së saj rezultoi pozitiv me koronavirus.
Nga paniku i krijuar në këtë institucion, mësohet se janë kryer testimet për Covid-19 të të gjithë kabinetit, por ende nuk ka një dalje zyrtare në media të këtij institucioni lidhur me situatën.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen por mesa duket janë “molepsur” të tjera institucione të rëndësishme në vendin tonë.
Një lajmërim për situatën e rënduar nuk është bërë as për vetë punonjësit e institucionit, për të ruajtur distancimin social dhe për të marrë masa më të rrepta.
Në tentativë për ta mbajtur të fshehtë një gjë të tillë, Ministria e Infrastrukturës nuk ka bërë asnjë lajmërim për stafin jashtë kabinetit në mënyrë që të merreshin masat e duhura të distancimit apo testimit.
Por pavarësisht panikut të përhapur në institucion, mënyra sesi është menaxhuar kjo situatë lë për të dëshiruar.
Gjithashtu, ministrja Belinda Balluku ka zgjedhur të heshtë përpara opinionit publik, në vend që të bëhej transparencë për masat e marra në një kohë kur rreziku është tejet i lartë.
Po ashtu, pak ditë më parë, bashkia e Durrësit mbylli dyert për të gjithë qytetarët për shkak të disa punonjësve të infektuar me Covid-19.
“Ora News”, raportoi pak ditë më parë se edhe një nga shoqëruesit e kreut të Bashkisë të Tiranës, Erion Veliajt, ka dalë pozitiv ndaj testit të koronavirusit.
Raportohet se K. D., është pjesë e Gardës së Republikës dhe prej dy muajsh është shoqërues i Veliajt.
Gardisti mësohet se është vetëkarantinuar në banesë, ndërsa testit pritet t’i nënshtrohen dhe kolegët e tij.
Ende nuk dihet nëse Veliaj e ka kryer testin e koronavirusit.
Ndërkohë, numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri është rritur.
Ministria e e Shëndetësisë bëri me dije ditën e sotme se janë orëve të fundit janë konfirmuar 71 raste të reja.
Gjithashtu ditën e sotme u shënua një tjetër viktimë.
Një një 62-vjeçar ka humbur jetën tek Spitali Infektiv.