Vendi ynë, ashtu si një pjesë e madhe e shteteve, po kalon një periudhë të vështirë pas goditjes nga COVID-19.
Nga identifikimi i virusit më 9 mars e deri tani janë regjistruar 55 të infektuar, teksa një viktimë ka humbur jetën në qytetin e Durrësit disa ditë më parë.
Nga ana tjetër, qeveria ka marrë masa të rrepta që nisin nga mbyllja e shkollave e vendeve publike e deri te ndalimi i qarkullimit të këmbësorëve e automjeteve.
Po ashtu, me pikëpyetje të shumta paraqitet edhe situata në spitale, ku disa nga problematikat më të diskutuara janë: sasi e tamponëve, respiratorëve e deri tek shtretërit në rast se do kemi një numër të madh të infektuarish.
Së fundmi, mjeku Petrit Vargu i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku i drejton plot 15 pyetje, përgjigjet e të cilave i konsideron thelbësore në luftën kundër Coronavirusit.
Nga tamponët, tek respiratorët e fondet e vëna në dispozicion janë disa nga shqetësimet e mjekut.
Po ashtu, ai hedh dyshime edhe për mungesë trasnparence rreth numrit të të infektuarve teksa i drejtohet kreut të qeverisë: “Si ka mundësi që virusi është përhapur vetëm në 7 rrethe?” , dhe më pas vijon: “Pse nuk bën depistime në rrethet që sipas jush janë të paprekura?”
Letra e plotë e mjekut:
” I nderuar z.kryeministër! Quhem Petrit Vargu. Nëse nuk gaboj, më njeh. Më lejo t’ju pyes, që në këtë hall të madh që i ka rënë gjithë botës, përse nuk i tregoni popullit të vërtetën. Ose të paktën atë që mendohet si e vërtetë.
1) Sa tamponë ka shteti që unë i paguaj taksa gjithë jetën?
2) Sa ka paguar qeveria ime?
3) Sa respiratorë punojnë dhe sa janë disponibël për popullin?
4) Sa shtretër jane në dispozicion nga spitalet shtetërore?
5) Pse nuk punohet me projeksione në Shqipëri?
6) Si do të bësh me shtresën e popullsisë që kinezët e quajnë A, B, C, D?
7) Si ka mundësi që virusi është përhapur vetëm në 7 rrethe?
8) Pse nuk bën depistime në rrethet që sipas jush janë të paprekura?
9) Çfarë thotë profesorati që keni afruar për këtë problem?
10) Duke qene se kjo rrugë është afatgjatë, a duhet të punohet me projeksione për rajone të veçanta, për ekonominë, shëndetësinë, arsimin, kulturën?
11) Këngët dhe dëfrimi që na ofroni na bën që të kemi moralin lart ose ulët, por nuk na e zgjidhin problemin që kemi.
12) Në këto ore duam reaksion nga shkenca dhe qeveria dhe jo histori gjobash apo histori të tjera politike me integrime apo jo.
13) Sa mendoni ju dhe task-forca qe do të zgjasë kjo luftë?
14) Sa është shuma e lekëve që është llogaritur për këtë luftë?
15) E vetmja mënyrë në situata të tilla është që të bëhet një qeveri me bazë të gjerë me njerëz të dijshëm.
Boll me rilindjen! Boll me falsitete! Mos e tallni këtë popull! “
Në rang botëror deri tani janë shënuar 7,511 viktima dhe janë regjistruar 189,074 të infektuar në 163 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani ka humbur jetën 1 person dhe janë infektuar 55 të tjerë, teksa në Kosovë janë 16 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.