Mbrëmjen e sotme deputetja e PD Albana Vokshi e ftuar në emisionin “Frontline” në News24, tha se ndër studentë, mbase në doza më të larta se ç’duhet ekzistojnë teoritë konspirative për vaksinat dhe ndaj ka qenë i nevojshëm sensibilizimi, jo në një muaj. Ajo theksoi se kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi për propagandë elektorale vaksinimin.
“Unë gjykoj që po, ka një stepje dhe kjo për shkak se qeveria nuk e ka bërë si duhet pjesën e sensibilizimit të popullsisë. Nëse i referohemi studentëve, përqindja e studentëve të vaksinuar është shumë e ulët, për shkak se nuk është bërë asnjë fushatë sensibilizimi, vetëm urdhër. Sa herë e keni parë ministren e Shëndetësisë apo të Arsimit të ulen të flasin me studentët. Edi Ramën e keni parë? Ndër studentë, por jo vetëm mbase në doza më të larta se ç’duhet ekzistojnë teoritë konspirative për vaksinat. Askush nuk ka bërë siç duhet punën e vet. Sensibilizimi nuk bëhet asnjë muaj, as vetëm një javë. Duhej bërë që kur filloi të lancohej vaksina e parë në vendet që e morën në fillim. PD ngriti alarmin që qeveria të siguronte dhe marrëdhënie direkte me prodhuesit për vaksina të certifikuara. Nuk kam parë km në botë që të presë 900 vaksina, apo dhe 10 mijë vaksina. E shfrytëzoi për propagandë elektorale ndaj dhe kryeministrin e shihje çdo javë në Rinas me atë kutinë e vaksinave. Edhe ministrja, që tha një epokë e re po lind. Po ku jemi, të fundit me 31%. Janë statistika zyrtare, jo të përpunuar nga PD. Sepse qeveria është marrë me fasadë, nuk e ka bërë siç duhet. Sensibilizimi nuk bëhet në Rinas, apo në zyrë, duhet shkuar folur me studentët, me mjekët, infermierët, duhet folur me qytetarët”, deklaroi Vokshi.
Sa i përket rolit të opozitës në sensibilizimin e qytetarëve për t’u vaksinuar, ajo tha se në çdo hapësirë publike është bërë thirrje.
“Unë kam propozuar që të gjithë bashkë të shkojmë për një seancë dëgjimore në universitet, t’iu shpjegojmë pse është i rëndësishëm vaksinimi. Në çdo hapësirë publike iu kemi bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen. Vaksinimi shpëton jetë. Të gjithë studimet, analizat pas vaksinimit çojnë që sa më shumë rritet niveli i vaksinimit, ulet niveli i vdekshmërisë dhe gjithashtu qytetarët që preken nga COVID-19 e kalojnë atë më lehtë”, u shpreh deputetja e PD.
Lidhur me studentët, ajo tha se sot nuk ka asnjë kontroll. Vokshi u shpreh pro vendosjes së “green pass” për hyrjen në ambiente publike, por theksoi se dokumenti duhet të njihet.
“Ishte vetëm dita e parë e kontrollit për vaksina. Studentët vazhdojnë sikurse ishin para fillimit të vitit akademik. Gjithkush hyn lirshëm pa pasur certifikatën e vaksinimit dhe as testet.
Për ‘green pass’ unë e shoh me zero mundësi, por shpresoj që të bëhet një gjë e tillë. Jam dakord siç është në gjithë botën, patjetër, por ‘green pass’ të njihet me të gjitha vaksinat që janë futur. Jo të gjitha vaksinat njihen në të gjitha vendet e BE-së, në Amerikë etj. Ajo që duhet bërë që të njihet ‘green pass’. Ministrja e ka thënë vetëm njëherë. Shkoni shihni baret e restorantet, klubet e natës. Është plot, me qindra e qindra të rinj ngjitur me njeri-tjetrin. Asgjë nuk funksionon”, tha Vokshi.
Sipas saj, shifrat e COVID-it, janë rritur sepse nuk merren më masa. “Shihni klasat, janë të tejmbushura, janë me dy turne. 25 mijë fëmijë mësojnë me turne, për shkak të dështimit të programit të rindërtimit me shkollat. Nëse i referohemi shifrave të mësuesve të prekur, apo të fëmijëve të prekur, janë alarmante. janë 10 mijë mësues të prekur nga COVID-19, janë 15 mijë nxënës. Gjendja është e lirë plotësisht. Ka shkolla që po mbyllen. Ministrja Kushi ka refuzuar 4 herë të vijë në komision të raportojë. Shkel kushtetutën, sepse mbrojtësi i shkeljes së Kushtetutës është vetë Edi Rama”, deklaroi Vokshi.