Sistemi bankar shfaqi ecuri pozitive edhe në vitin 2022, me rritje të mëtejshme të fitimit dhe rentabilitetit. Ritmet e zgjerimit së aktiveve dhe kredisë u ngadalësuan, kryesisht si rezultat i një ecurie më të ngadaltë të depozitave dhe të efektit negativ statistikor të kursit të këmbimit.
Edhe raporti i kredive me probleme vijoi rënien, megjithëse me ritme më të ngadalësuara krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu
Sektori bankar, deri tani, duket se po e përballon mirë edhe sprovën e radhës, atë të inflacionit të lartë.
Gjatë vitit 2022, totali i aktiveve dhe kredia vijuan rritjen, kreditë me probleme shënuan një tjetër rënie të lehtë, treguesit e rentabilitetit u përmirësuan dhe fitimet në vlerë absolute arritën nivelet më të larta historike.
Mbështetur në të dhënat e paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, totali i aktiveve të sektorit bankar, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), në fund të vitit 2022 arriti në 1.87 trilionë lekë, në rritje me 5.4% krahasuar me një vit më parë.
Norma e rritjes së aktiveve u ngadalësua ndjeshëm, krahasuar me rritjen prej thuajse 12% të vitit 2021.
Ngadalësimi u ndikua sidomos nga ritmet më të ulëta të rritjes së depozitave vitin e kaluar, por pjesërisht edhe nga efekti statistikor i mbiçmimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.
Në fund të vitit 2021, aktivet e sektorit bankar vlerësohen afërsisht sa 96.3% e
Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 96.1% që përbënin një vit më parë.
Megjithatë, shumë prej sfidave të sektorit sidoqoftë ngelen për t’u ndjekur në vazhdimësi. Inflacioni është një fenomen që mbetet i pranishëm, megjithëse institucionet e specializuara tashmë vlerësojnë se ai e ka arritur pikun dhe pritet të ulet gradualisht në dy vitet e ardhshme.
Kjo rënie do të kërkojë vazhdimin e shtrëngimit të politikës monetare dhe rritjes së normave të interesit.
Në periudhën mars 2022 – mars 2023, Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë të interesit për pesë herë, nga minimumi historik prej 0.5% në nivelin 3%.
Norma bazë ndodhet në nivelin më të lartë të dekadës së fundit, por Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar rritje të mëtejshme, sigurisht duke u mbështetur edhe në të dhënat e reja dhe sinjalet që do të japë ekonomia.
Vlerësimet e fundit të Bankës së Shqipërisë e vendosin normën neutrale të interesit pranë nivelit të 4% dhe është e pritshme që pragu ku mbaron politika monetare stimuluese të arrihet deri në fund të vitit 2023.
Rritja e normave të interesit dhe përcjellja e kësaj rritjeje në tregun financiar synon të ngadalësojë kërkesën nëpërmjet ngadalësimit të kreditimit. Kjo fazë ndoshta do të shoqërohet edhe me rritje të lehtë të kredive me probleme.
Fitimi prek rekord të ri historik
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 23.8 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë. Fitimi i sistemit është rritur me 25% krahasuar me vitin 2021.
Rritja e fitimeve të sektorit bankar u ndikua nga vijimësia e zgjerimit të aktiveve dhe sidomos të portofolit të kredisë, nga ruajtja e cilësisë së portofolit të huasë, por edhe nga efekti, kryesisht pozitiv, që solli në bilance rritja e shpejtë e normave të interesit vitin e kaluar.
Portofoli neto i kredisë, i matur gjithnjë me standardet IFRS, arriti në thuajse 692 miliardë lekë, me rritje vjetore 6.8%. Ndërsa raporti i kredive me probleme (i vlerësuar sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë) në fund të vitit të kaluar ra në 5%, niveli më i ulët në 14 vitet e fundit.
Në fakt, disa bankierë mendonin se rezultati financiar i sektorit mund të pësonte një lloj ngadalësimi në tremujorin e fundit, kryesisht për shkak të rritjes eventuale të provigjioneve, të lidhur me përkeqësimin e pritshëm të parametrave makroekonomikë gjatë vitit 2023.
Megjithëse të dhënat e provigjioneve sipas IFRS nuk raportohen, nëse shohim rezultatet e tremujorit të katërt 2022, bankat kanë shënuar fitime më të larta kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar (4.8 miliardë lekë, nga 3.5 miliardë lekë në tremujorin e katërt 2021).
Ky mund të jetë tregues se provigjionimi i kredive nuk ka qenë shumë i lartë dhe se bankat nuk presin përkeqësim serioz të cilësisë së portofolit të kredisë. Megjithatë, ekspertët e sektorit bankar mendojnë se rezultatet e vitit 2022, ende të paaudituara, duhen lexuar me rezerva.
Sipas tyre, disa prej bankave vitin e kaluar kryen zhvendosje të instrumenteve financiare, mes zërave të ndryshëm të bilancit, për të zbutur efektin e rritjes së normave të interesit dhe yield-eve.
Këto operacione konsistuan kryesisht në zhvendosjen e letrave me vlerë të borxhit nga kategoria “të vlefshme për shitje” në atë “të mbajtura deri në maturim”.
Për këtë arsye, fitimet e këtyre bankave mund të jenë të mbivlerësuara dhe duhet pritur publikimi i bilanceve të audituara, për të kuptuar nëse, në opinionin e auditëve, zhvendosjet e kryera janë bërë në mënyrë korrekte dhe në përputhje me parashikimet e standardit përkatës të raportimit financiar.
Sipas të dhënave mbështetur në standardet paralele të raportimit të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022, sektori bankar regjistroi rritje të ndjeshme të të ardhurave neto nga interesi, fakt që dëshmon se faza e parë e rritjes së normave të interesit ka dhënë efekt të dukshëm pozitiv në bilancet e bankave.
Të ardhurat neto nga interesi (të ardhura nga interesat minus shpenzimet për interesa) arritën në 52 miliardë lekë, me rritje vjetore 13%.
Ndërkohë, në krahun e detyrimeve dhe kryesisht të depozitave, rritja e interesave është reflektuar në vlerë absolute më të vogël (baza e rritjes ka qenë e ulët, sepse interesat kanë qenë afër zeros), duke ndikuar në rritjen e rezultatit nga interesat.
Rritja e rezultatit financiar është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit të sektorit bankar. Kthimi mesatar nga kapitali për 2022 arriti nivelin e 14.25%, nga 11.32% një vit më parë.
Ndërsa kthimi nga aktivet u rrit në nivelin 1.3%, nga 1.13% një vit më parë. Rentabiliteti i sektorit bankar ka arritur nivele më të larta edhe në raport me periudhën para pandemisë, faktor që dëshmon ecurinë mjaft pozitive të sektorit, sidomos në dy vitet e fundit.
Megjithatë, përkundrejt fitimeve rekord në vlerë absolute, treguesit relativë të kthimit nga kapitali janë frenuar disi nga rritja progresive e kërkesave për kapital nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga disa kufizime të pjesshme të aplikuara në vitet e fundit për shpërndarjen e dividendëve.
Kuadri rregullator i viteve të fundit ka një lloj efekti frenues në sigurimin e kthimeve të dëshiruara nga kapitali, por sidoqoftë disa banka të veçanta kanë kthime ndjeshëm më të mira se mesatarja e sistemit.
Tre banka marrin pothuajse 70% të totalit
Për të dytin vit radhazi, të gjitha bankat aktive në treg e mbyllën vitin financiar me fitim, madje disa prej tyre kanë arritur fitimet më të larta në historinë e aktivitetit të tyre.
Në vlerë absolute, banka me vlerën më të madhe të fitimeve ngelet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), për një vlerë totale prej 9.47 miliardë lekësh, në rritje me 19.4% krahasuar me një vit më parë.
Pjesa e lartë e tregut duket se i jep BKT (zotëronte 26.2% të aktiveve të sistemit në fund të 2022) avantazh të konsiderueshëm në këndvështrimin e performancës, edhe falë një baze të gjerë të ardhurash nga aktivet me rrezik të ulët.
Fitimi neto i BKT-së përbën pothuajse 40% të fitimit total të raportuar nga sektori bankar për vitin 2022.
Banka e dytë për nga vlera e fitimit vjetor renditet Raiffeisen Bank me fitim neto në vlerën e 3.84 miliardë lekëve, 11.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Banka OTP Albania ka ruajtur edhe këtë vit tendencën në rritje të rezultatit financiar, edhe pas bashkimit ligjor me Alpha Bank Albania. Për vitin 2022, OTP Albania ka arritur fitim rekord prej 3.15 miliardë lekësh, në rritje me 64.9% krahasuar me vitin 2021.
Së bashku, BKT, Raiffeisen dhe OTP kanë mbledhur së bashku më shumë se 69% të të gjithë fitimit neto të sistemit për vitin e kaluar.
Banka e katërt për nga vlera e fitimit neto renditet Banka Amerikane e Investimeve, me rezultat neto në vlerën e 1.8 miliardë lekëve, me rritje 24.5% krahasuar me një vit më parë.
E pesta renditet Banka Intesa Sanpaolo Albania, me fitim neto prej 1.29 miliardë lekësh, në rritje me 148% krahasuar me një vit më parë.
Vijon Credins Bank, që ka raportuar fitim prej 1.16 miliardë lekësh, rezultat në rënie të lehtë me 1.3% krahasuar me vitin 2021.
Banka e fundit, që ka regjistruar fitim sipër nivelit të 1 miliard lekëve, është Tirana Bank. Banka e grupit Balfin raportoi një rezultat prej 1.05 miliardë lekësh, në rritje me 18.1% krahasuar me një vit më parë.
Union Bank e mbylli vitin 2022 me rezultat neto në vlerën e 921 milionë lekëve, në rritje me 5.3% krahasuar me vitin 2021.
Vijon Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me fitim neto 879 milionë lekë, në rritje vjetore me 43%. Edhe për Fibank, ky është fitimi më i lartë historik në aktivitetin e bankës me kapital bullgar në Shqipëri.
Rezultat pozitiv ka arritur edhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), në vlerën e 132 milionë lekëve, rezultat 4.7 herë më i lartë krahasuar me vitin 2021. ProCredit Bank Albania raportoi vitin e kaluar një fitim prej 117 milionë lekësh, në rritje me 54% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e vlerës së fitimeve ka ndikuar pozitivisht edhe në treguesin kryesor të rentabilitetit, kthimin nga kapitali aksioner. Numri i bankave që kanë siguruar kthim nga kapitali në nivele dyshifrore këtë vit ka arritur në tetë, nga gjashtë në vitin 2021.
Vitin e kaluar, banka me kthimin më të lartë nga kapitali ishte për të katërtin vit radhazi OTP Albania, me 27.25%, e ndjekur nga Fibank Albania me 21.57%, BKT me 20.2%, Banka Amerikane e
Investimeve (ABI Bank) me 17.72%, Union Bank me 14.47%, Raiffeisen Bank me 14.04%, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 11.91% dhe Tirana Bank me 10.75%. E
Rritet pesha e kapitalit vendas në tregun bankar
Pesha e bankave me kapital shqiptar në tregun bankar u rrit përsëri vitin e kaluar. Në fund të vitit 2022, bankat me kapital vendas zotëronin 33.8% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.
Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 1.9 pikë përqindje, ndërsa që prej vitit 2015, kur nisi cikli i shitblerjeve në sektorin bankar, pjesa e tregut e bankave vendase është rritur me më shumë se dy herë.
Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), Tirana Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë. Katër bankat më të mëdha e kanë rritur pjesën e tyre të tregut.
Credins Bank mbetet banka më e madhe shqiptare, me 15.9% të tregut, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Vijon ABI Bank, që zotëron 6.2% të aktiveve totale, edhe kjo në rritje me 0.7 pikë përqindje në harkun e një viti.
Tirana Bank ka arritur tashmë në 6.1% të tregut, nga 5.4% që mbante një vit më parë, ndërsa pjesa e tregut e Union Bank është rritur në 4.9%, nga 4.5% një vit më parë. Banka më e re me kapital shqiptar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, vitin e kaluar ruajti pjesë tregu të pandryshuar, me 0.7% të totalit të aktiveve.
Rritja e peshës së bankave me kapital vendas në tregun bankar është njëkohësisht rezultat i procesit të shitblerjeve, por edhe i rritjes organike të përmasave të aktivitetit.
Pasi sektori bankar filloi të ndiente efektet e krizës që nisi në vitin 2008, shumica e bankave që iu takonin grupeve bankare të Eurozonës u detyruan të frenonin rritjen, për shkak të përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë, por edhe të kërkesave në rritje rregullative nga autoritetet europiane të mbikëqyrjes bankare.
Kjo krijoi më shumë hapësira në treg për ato banka me aksionerë jashtë Eurozonës, që nuk kishin kufizime të këtij lloji. Mes tyre, bankat lokale ishin ndër subjektet më aktive, duke e zgjeruar pjesën e tyre të tregut, sidomos nëpërmjet huadhënies.
Një shtysë të mëtejshme prania e kapitalit vendas e mori nga procesi i shitblerjeve brenda sistemit. ABI Bank hyri në treg, duke blerë fillimisht filialin e Credit Agricole dhe më pas edhe bankën NBG Albania.
Megjithëse fillimisht zotërohej nga aksionerë amerikanë, formalisht ABI Bank ka qenë gjithnjë një bankë shqiptare, sepse kontrolli i paketës së aksioneve bëhej nëpërmjet institucionit financiar Tranzit. Pas blerjes së 80% të aksioneve nga drejtori ekzekutiv Andi Ballta, ABI Bank është, edhe në mënyrë të tërthortë, një bankë me kapital mbizotërues shqiptar.
Në vitin 2019, edhe Tirana Bank u bë një bankë me kapital shqiptar, pasi Grupi Bankar i Pireut e shiti te grupi Balfin. Një tjetër bankë shqiptare, që gërshetoi rritjen organike me zgjerimin nëpërmjet blerjeve, ishte Union Bank, që në të njëjtin vit bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare.
Viti i kaluar konfirmoi tendencat e viteve të fundit dhe grupet bankare të Eurozonës të ngelura në tregun shqiptar pësuan rënie të mëtejshme të pjesës së tyre të tregut.
Pjesa e Raiffeisen Bank pësoi rënie në 15%, nga 15.3% në fund të vitit 2021.
Ndërsa pjesa e Intesa Sanpaolo Shqipëria ra më tej në 10.6%, nga 11.3% një vit më parë. Përjashtim bëri banka më e vogël, ProCredit Bank Shqipëri, që shënoi rritje të lehtë të peshës së tregut në 2.2%, nga 2.1% që mbante në vitin 2021.
Veç bankave me kapital shqiptar, rritje të pjesës së tregut kanë shënuar edhe bankat me kapital të huaj jashtë Eurozonës. Banka Kombëtare Tregtare forcoi kryesimin në tregun bankar dhe pjesa e saj arriti në 26.2%, nga 26% në fund të vitit 2021.
Rritje të ndjeshme shënoi edhe Banka OTP Albania, që falë blerjes dhe përthithjes së Alpha Bank arriti në 9.5% të tregut, nga 6.4% që mbante një vit më parë. Rritje të ndjeshme arriti edhe Fibank, në 2.7% të tregut, nga 2.3% që zotëronte një vit më parë dhe bankat e tjera kanë raportuar kthime pozitive në nivele njëshifrore.
Në vitet e fundit, një grup bankash të përmasave të mesme po shfaqin performancë dhe rentabilitet në rritje. Procesi i konsolidimit të sektorit bankar duket se ka ndikuar në rritjen e eficiencës dhe përfitueshmërisë së disa prej bankave, element që mund t’i bëjë këto banka më konkurruese në afatin e gjatë.
Sektori u konsolidua më tej
Viti 2022 shënoi një hap të mëtejshëm në konsolidimin e sektorit bankar në vend. Numri i bankave u ul më tej nga 12 në 11.
Banka hungareze OTP finalizoi procesin e blerjes së Alpha Bank Albania dhe më datë 1 dhjetor, mbylli edhe bashkimin ligjor të bankës së blerë me filialin e saj shqiptar, OTP Albania. Pas bashkimit, pjesa e tregut të OTP Albania arriti në 9.5%, nga 6.4% që kishte qenë një vit më parë.
OTP Albania mbetet banka e pestë më e madhe në vend, por me një diferencë të ngushtuar ndjeshëm me bankën e katërt, Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Një tjetër zhvillim domethënës ishte finalizimi i marrjes së paketës kontrolluese të aksioneve të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA) nga kompania shqiptare e sigurimeve EUROSIG.
Falë injektimit të kapitalit shtesë nga aksioneri i ri, UBA po merr një strategji zgjerimi të rrjetit dhe hedhjes në treg të produkteve të reja, me objektivin për t’u rritur dhe për të fituar më shumë pjesë tregu.
Hyrja e investitorëve të rinj dhe bashkimet që krijuan banka më të mëdha nga përmasat deri në këtë fazë kanë dhënë efekt pozitiv në drejtim të rritjes së oreksit për rrezik dhe në kthimin e një cikli të rritjes së kredisë për ekonominë.
Pas shitjes së Alpha Bank Albania, për momentin asnjë prej investitorëve të pranishëm nuk ka shprehur zyrtarisht qëllime për të dalë nga tregu. Megjithatë, nuk është e thënë që procesi i konsolidimit të ketë përfunduar këtu.
Vitin e kaluar, aksioneri i Tirana Bank, grupi Balfin, negocioi blerjen e Raiffeisen Bank-Shqipëri, duke i paraqitur grupit vjenez një ofertë që, sipas të dhënave jozyrtare, arrinte në rreth 270 milionë euro.
Burime nga tregu e jepnin finalizimin e shitjes në rrugë të mbarë, madje pothuajse të kryer, por në fund, austriakët refuzuan dhe me një komunikatë zyrtare konfirmuan angazhimin për të qëndruar në tregun shqiptar.
Shumë ekspertë mendojnë se konsolidimi i mëtejshëm i sektorit nuk mund të përjashtohet në një horizont afatmesëm.
Rritja e kërkesave për kapital dhe nevojat e mëdha për investime, të lidhura sidomos me teknologjinë, e bën gjithnjë e më të vështirë eficiencën për bankat e përmasave të vogla.
Zhvillimet negative demografike gjithashtu po e tkurrin madhësinë e tregut dhe mund të nxisin konsolidim të mëtejshëm të sektorit.
Me gjithë uljen e numrit të bankave në treg gjatë pesë viteve të fundit, treguesit e përqendrimit të tregut ngelen pranë pragut të konkurrueshmërisë, mbështetur në metodat teorike të vlerësimit.
Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.
Nga llogaritjet e “Monitor”, mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, rezulton se Indeksi HHI është poshtë nivelit të 1500 për totalin e aktiveve dhe për kreditë, ndërsa vitin e kaluar, për depozitat, ky indeks arriti lehtësisht sipër pragut të 1500.
Bashkimi i radhës në sektorin bankar, ai midis OTP Albania dhe Alpha Bank Albania, bëri që treguesit e përqendrimit vitin e kaluar të shënonin rritje të lehtë.
Rritja më e ndjeshme e përqendrimit u shënua në treguesin HHI të llogaritur për kredinë, por megjithatë kredia vazhdon të jetë tregu me nivelin më të ulët të përqendrimit (rreth 1254), gjë që në teori e portretizon si indikatorin ku tregu është më konkurrues.
Treguesi kryesor, ai i matur për madhësinë e aktiveve, vitin e kaluar ishte në nivelin 1479, me rritjen më të vogël krahasuar me 2021 (41 pikë, ose 2.85 pikë përqindje)
Rritja e kredisë, më e vogël se në vitin 2021
Kreditimi nga sektori bankar vijoi rritjen edhe për vitin 2022, por me ritme më të ngadalta krahasuar me një vit më parë.
Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit të kaluar arriti në 692 miliardë lekë, në rritje me 6.9% krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2021, kredia ishte rritur me pothuajse 12%.
Ritmi më i ngadaltë i kreditimit mund të shpjegohet me dy faktorë kryesorë. Së pari, rritja e shpejtë e normave të interesit solli frenim në ritmet e kredidhënies në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Së dyti, edhe në rastin e kredisë duhet llogaritur efekti negativ statistikor i forcimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun.
Në ditën e fundit të vitit 2022, kursi i këmbimit të Euros rezultoi në rënie me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më shumë se gjysma e portofolit të kredisë së sektorit bankar është në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro.
Të dhënat sipas IFRS nuk ofrojnë detajim të portofolit sipas klientëve, por, duke u mbështetur në të dhënat sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga sektori bankar për vitin 2022 arriti vlerën e 278.5 miliardë lekëve, në rritje me 5.3% krahasuar me një vit më parë.
Vlera e kredisë së re është më e larta në shtatë vitet e fundit, por rritja ka ardhur kryesisht në pjesën e parë të vitit, ndërsa pjesa e dytë ka shënuar tendencë të qartë ngadalësuese, duke reflektuar efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së shpejtë të normave të interesit.
Frenimi që është bërë i dukshëm, sidomos pas muajit shtator, e ka reduktuar normën e rritjes vjetore të kredisë, që për vitin 2021 kishte qenë 7.8%.
Zhvillimi më i dukshëm për sa i takon kreditimit vitin e kaluar ishte rimëkëmbja e ndjeshme në segmentin e biznesit.
Gjatë vitit 2022, kredia e re për biznesin arriti në 186.9 miliardë lekë, në rritje me 8.6% krahasuar me vitin 2021. Rritja e çmimeve ka sjellë nevoja më të mëdha për financimet e lidhura me nevojat e kapitalit qarkullues, por ndërkohë ka vijuar edhe rritja e kredisë për qëllime investimi.
Ndërkohë, edhe kredia për individë u rrit sërish, në vazhdën e ecurisë pozitive të viteve të fundit. Kredia e re për individët arriti vlerën e 85 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e kredisë për individët është mbështetur kryesisht nga financimet për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe rritja e fortë e çmimeve në këtë treg. Megjithatë, rritja e kredisë për individë është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur kishte shënuar rritje rekord 35%.
Tregtia dhe ndërtimi, sektorët më të kredituar
Studimet kanë treguar se në vija të përgjithshme, kredia bankare ka tendencën të ndjekë modelin ekonomik dhe strukturën e shpërndarjes së investimeve private.
Në këtë kuptim, nuk është surprizë që edhe vitin e kaluar, sektorët më të kredituar të biznesit nga bankat ishin tregtia dhe ndërtimi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për sektorin e tregtisë përbënte 34% të vlerës totale të kredisë së disbursuar për bizneset vitin e kaluar.
Megjithatë, pesha specifike e kredisë për tregtinë pësoi rënie të ndjeshme nga niveli prej 40.5% i një viti më parë.
Kjo u ndikua edhe nga rënia e kredisë së re për tregtinë në vlerë absolute, me 8.8% më pak krahasuar me vitin 2021.
Ndërkohë, kreditimi i ndërtimit, në terma relativë ishte i qëndrueshëm, madje edhe në rritje të lehtë në 19.85%, nga 19.3% një vit më parë.
Cikli i rritjes së shpejtë të sektorit të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit e ka bërë sektorin e ndërtimit më tërheqës edhe për bankat.
Industria përpunuese ishte sektori i tretë më i kredituar i ekonomisë, me 11.3% të totalit, nga 11% që mbante një vit më parë. Por, sektori që shënoi rritjen më të lartë ishte ai energjetik, që për vitin 2022 thithi rreth 9.3% të kredisë së re për ekonominë, nga 4.4% që mori një vit më parë.
Në dekadën e fundit, sektori energjetik ka fituar peshë të konsiderueshme në strukturën e financimeve të sektorit bankar, i nxitur kryesisht nga vala e investimeve në projekte koncesionare për prodhimin e energjisë nga burimet ujore.
Në vitet e fundit, interesi është zhvendosur ndjeshëm drejt energjisë diellore, si një mënyrë për të diversifikuar burimet e prodhimit dhe për të ulur varësinë nga prurjet hidrike.
Tjetër sektor i rëndësishëm në strukturën e kredisë bankare për bizneset është edhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që për vitin 2022 mori 5% të kredisë së re, në rritje të lehtë nga niveli
prej 4.8% i një viti më parë.
Kjo reflekton rritjen e peshës së turizmit në ekonominë shqiptare. Sektori ka tërhequr investime të konsiderueshme në vitet e fundit, të mbështetura edhe nga disa lehtësi fiskale për strukturat elitare.
Edhe në këtë rast, sektori bankar ka ndjekur tendencën e orientimit të kapitaleve në ekonomi dhe duket se ka mbështetur në përmasa të konsiderueshme investimet në turizëm.
Ndër sektorët me peshë të rëndësishme në strukturën e ekonomisë shqiptare, bujqësia, vazhdon të mbetet një “dele e zezë” në kreditim. Vitin e kaluar, bujqësia mori më pak se 1.4% të kredisë së re për bizneset, në rënie të mëtejshme nga niveli gjithsesi mjaft i ulët prej 1.5% i vitit të mëparshëm.
Pesha e bujqësisë në portofolin e kredisë për ndërmarrjet private ka ngelur pothuajse e pandryshuar në dekadën e fundit.
Shifrat tregojnë se kreditimi i bujqësisë nuk ka njohur ndonjë hov domethënës, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit dhe diskutimeve të herëpashershme rreth nevojës për të rritur mbështetjen e këtij sektori me hua.
Sipas ekspertëve të bankave tregtare, problemet më të mëdha me kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë, mungesa e ekonomive të shkallës dhe e bashkëpunimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.
Banka Qendrore ka theksuar se skemat e garancisë mund të jenë zgjidhje në afatin e shkurtër dhe të mesëm, por zbutja e rreziqeve të kreditimit të bujqësisë në afatin e gjatë do të kërkonte ndërhyrje më thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së këtij sektori.
Tregu i kredisë, bie më tej BKT, rriten OTP dhe bankat shqiptare
Në dekadën e fundit, ndarja e tregut të kredisë ka qenë veçanërisht dinamike, sepse banka të ndryshme kanë shfaqur qasje të ndryshme dhe oreks të ndryshëm për rrezik.
Në veçanti, disa banka të përmasave të mesme janë shfaqur shumë agresive në tregun e kredisë, duke shfrytëzuar edhe hapësirat e krijuara nga qëndrimi më i tërhequr që kanë mbajtur disa prej bankave më të mëdha. Një tendencë e tillë u konfirmua edhe vitin e kaluar.
Credins Bank ishte, edhe vitin e kaluar, banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare, me 19% të totalit të kredisë, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Raiffeisen Bank vazhdoi edhe vitin e kaluar të rifitonte terren në tregun e kredisë, duke u konfirmuar si banka e dytë më e madhe huadhënëse dhe duke e rritur pjesën e tregut për të dytin vit radhazi. Raiffeisen zotëronte 17.1% të portofolit të kredisë, nga 16.5% një vit më parë.
Banka OTP Albania ka vijuar të rritet edhe në vitin 2022, duke u pozicionuar e treta në tregun e kredisë. Pjesa e tregut e OTP ka arritur në 14.6%, nga 10.6% një vit më parë.
Përveç rritjes organike të portofolit të kredisë edhe për vitin 2022, efektin më të madh në rritjen e pjesës së tregut të OTP e dha bashkimi me Alpha Bank Albania.
Banka më e madhe në vend, BKT, për të katërtin vit radhazi ka shfaqur një qëndrim pasiv në drejtim të huadhënies, duke i përqendruar investimet kryesisht në letra me vlerë dhe instrumente të tjera me rrezik të ulët.
Pesha e BKT, në tregun e kredisë, shënoi rënie të fortë në 12.8% (nga 13.8% që mbante një vit më parë) duke zbritur në vendin e katërt në renditjen e huadhënies.
Arritja e fitimeve mjaft të larta, pa marrë shumë rrezik përsipër, në njëfarë mënyre dëshmon avantazhet që ka BKT nga pjesa e lartë e tregut që zotëron dhe komoditetin që kjo pjesë e madhe tregu i jep në strategjitë e veta të biznesit.
Rënie të mëtejshme ka pësuar edhe Intesa Sanpaolo, e cila ka zbritur në 7.8% të tregut të kredisë, nga 8.2%, të portofolit total që zotëronte një vit më parë.
Rritje të pjesës së tregut në kredi kanë shënuar edhe Tirana Bank, që në fund të 2022 arriti në 7.6% (nga 6.9% një vit më parë), ABI Bank, në 6.2% (nga 5.6% një vit më parë), Union Bank, në 6% (nga 5.5% një vit më parë), Fibank në 3.6% (nga 3.2% një vit më parë) dhe UBA në 1.2% (nga 1.1% një vit më parë).
Kreditë me probleme vijuan rënien
Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme e mbylli vitin e kaluar në nivelin 5%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
Treguesi i kredive me probleme mbështetet në metodologjinë rregullatore të përdorur nga Banka e Shqipërisë, që bazohet kryesisht në ditëvonesat.
Të dhënat e kredive me probleme, sipas metodologjive më komplekse që përdorin IFRS-të, nuk janë të disponueshme.
Shifrat tregojnë se ulja e kredive me probleme ka vijuar, pavarësisht mjedisit mjaft sfidues makroekonomik, i karakterizuar nga nivelet më të larta të inflacionit në 24 vjet dhe nga një rritje e shpejtë e normave të interesit në tregun e brendshëm financiar.
Gërryerja e aftësisë paguese të huamarrësve nga inflacioni dhe rritja e interesave nuk ka sjellë ende përkeqësim të dukshëm të cilësisë së portofolit të kredisë. Rritja e portofolit të kredisë në total ka rol të rëndësishëm në mbajtjen e një peshe në rënie të kredive me probleme.
Megjithatë, ana tjetër e medaljes është se ulja e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Nëse për vitin 2021, raporti i kredive me probleme ishte ulur me 2.46 pikë përqindje, për vitin 2022 rënia e raportit ishte vetëm 0.65 pikë përqindje.
Rënia e raportit të kredive me probleme nuk ishte shumë e madhe as në dhjetor, muaj kur zakonisht bankat aplikojnë fshirjen nga bilancet të kredive të humbura, sipas kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë.
Këto janë sinjale se disa efekte të rritjes së çmimeve dhe normave të interesit kanë filluar të shfaqen tashmë, pavarësisht se ende nuk kanë sjellë rritje në vijueshmëri të raportit të kredive të këqija.
Në skenarët bazë të parashikimit të bankave, një rritje e kredive me probleme është e pritshme në vitin 2023. Pritet që ekonomia shqiptare të ngadalësojë ritmin e saj të rritjes gjatë këtij viti, duke reflektuar më shumë efektet negative të trashëguara nga zhvillimet e vitit 2022.
Rritja e çmimeve pritet të sjellë frenim të konsumit, që është kontribuuesi kryesor në zgjerimin e vlerës së shtuar në ekonominë shqiptare.
Efekt negativ do të japë edhe ngadalësimi i kredisë bankare. Në katër muajt e fundit të vitit 2022, kredia e re pësoi rënie kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Bankierët presin që një tendencë e ngjashme të vijojë edhe në vitin 2023.
Më pak kredi nënkupton më pak mbështetje me financim për konsumin dhe investimet, gjë që do ta ndikojë gjithashtu negativisht rritjen ekonomike.
Një tablo e tillë pritet të sjellë rritje të raportit të kredive me probleme, por, megjithatë, sipas skenarëve të deritanishëm, bankierët presin që kjo rritje të jetë e lehtë dhe e menaxhueshme.
Rritja e depozitave u ngadalësua
Depozitat në sektorin bankar shqiptar vijuan rritjen edhe për vitin 2022, por me ritme ndjeshëm më të ngadalta krahasuar me vitin 2021.
Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të vitit 2022, vlera totale e depozitave arriti në 1.56 trilionë lekë, në rritje me 4.9% krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2021, rritja kishte qenë ndjeshëm më e lartë, me 11.9%. Arsyet e ngadalësimit të rritjes së depozitave, që përfaqësojnë zërin dominues në krahun e detyrimeve, janë të ngjashme me ato që ndikuan edhe krahun e aktiveve dhe mund të identifikohen kryesisht tek inflacioni i lartë dhe tek ecuria e kursit të këmbimit.
Rritja e inflacionit dha një efekt negativ në bilancet e familjeve, duke ulur mundësitë e tyre për të kursyer. Kjo u reflektua në norma ndjeshëm më të ngadalta të rritjes së depozitave bankare, sidomos në monedhën vendase.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar negativisht ecurinë e depozitave në monedhën vendase ishte rritja e yield-eve të titujve qeveritarë, që i bëri instrumentet e borxhit të qeverisë joshëse edhe për investitorët e vegjël.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me rritje rekord 216% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, depozitat në valutë të huaj dhe sidomos në Euro, kanë vijuar të rriten me ritme më të larta, por vlera e tyre është ndikuar negativisht nga ecuria e kursit të këmbimit.
Të dhënat sipas IFRS nuk japin informacion më të detajuar për strukturën e rritjes së depozitave.
Megjithatë, po t’u referohemi statistikave paralele të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të sektorit në 2022 ishte pak më e lartë, me 5.9%. Në segmentin e individëve, rritja shënoi nivelin 5.2%, ndërsa për bizneset, rritja ishte ndjeshëm më e lartë, me afërsisht 9% krahasuar me një vit më parë.
Të ndara sipas valutave, rritja ishte shumë e dobët për Lekun, me 0.9% krahasuar me një vit më parë, ndërsa kontributin kryesor e dha rritja e depozitave në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në valutë të huaj u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë.
Sidoqoftë, kjo rritje është e zbutur nga efekti negativ i kursit të këmbimit. Nëse shohim statistikat për depozitat në Euro (të raportuara pa u konvertuar në lekë), rritja e tyre në vitin 2022 arriti në 17%.
Tregu i depozitave, BKT forcon kryesimin, rritet OTP
Duke qenë se depozitat janë burimi kryesor që financojnë ndërmjetësimin financiar në ekonominë shqiptare, ritmi i rritjes së tyre përcakton, në një masë të madhe, edhe aftësinë e bankave për të rritur pjesën e tregut edhe në krahun e aktiveve. Në këtë mënyrë, thithja e depozitave ngelet një element shumë i rëndësishëm konkurrues mes bankave.
Banka më e madhe në vend, BKT, vazhdon të jetë dominuese edhe në këtë segment të tregut. Pjesa e BKT, në fund të vitit 2022, arriti në 25.6%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 24.5% i një viti më parë.
Ndjek Credins Bank, që në fund të vitit 2022 zotëronte 16.9% të totalit, po aq sa një vit më parë. Raiffeisen Bank, ndërkohë, ka pësuar rënie të lehtë të pjesës së tregut në 15.9%, nga 16.1% një vit më parë.
Edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania pësoi rënie në 10.7%, nga 11.4% që mbante një vit më parë.
Banka me rritjen më domethënëse edhe në tregun e depozitave ishte OTP Albania, që arriti në 10% të tregut, nga 6.7% që mbante një vit më parë.
Edhe kjo rritje i detyrohet, në pjesën më të madhe, bashkimit me Alpha Bank Albania.
Rritje të konsiderueshme arriti edhe Tirana Bank, në 6.3% të totalit, nga 5.5% një vit më parë, ndërkohë rritje më të lehtë shënuan edhe Union Bank në 4.7% (nga 4.6% në 2021) dhe Fibank, në 2.5% (nga 2.3% në 2021).
Raporti kredi/depozita, në rritje të lehtë
Mbështetur në të dhënat sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS), në fund të vitit të kaluar, raporti mes kredive dhe depozitave për sistemin bankar u rrit lehtë në 44.3%, nga 43.5% një vit më parë.
Kjo erdhi nga një rritje më e lartë e kredive krahasuar me depozitat bankare. Megjithatë, ky raport vazhdon të ketë ndryshime shumë të mëdha mes bankave të sektorit.
Bankat e mëdha, që kanë pjesë të lartë tregu në depozita, përgjithësisht e kanë këtë raport më të ulët. Banka Kombëtare Tregtare ka një raport mes kredive dhe depozitave në nivelin 22%, e ndjekur nga Intesa Sanpaolo me 32.5%.
Bankat e tjera e kanë këtë raport më të lartë se mesatarja e sistemit, duke filluar nga Raiffeisen, me 47.8% dhe Credins me 49.9%.
Raporti më i lartë mes kredive dhe depozitave është i ProCredit Bank, në nivelin 100.6%, i ndjekur nga Banka e Bashkuar e Shqipërisë me 73.2% dhe Fibank me 64.9%.
Diferencat e mëdha mes bankave vijnë për shkak të një strategjie të ndryshme të investimeve dhe më në veçanti, të një qasjeje të ndryshimeve ndaj rrezikut.
Bankat që kanë një bazë të gjerë klientele dhe një pjesë të madhe tregu në depozita arrijnë të sigurojnë kthime të kënaqshme edhe pa marrë përsipër shumë rrezik kredie, duke investuar kryesisht në instrumente borxhi me rrezik të ulët.
Bankat e tjera, që kanë ambicie për t’u rritur në treg, janë më të orientuara drejt kredidhënies, që mund të sigurojë kthime më të larta, por sigurisht me rrezik më të lartë.
Raporti mes kredive dhe depozitave është një tregues i rëndësishëm, në këndvështrimin e monitorimit të rrezikut të likuiditetit, por edhe për sa u takon potencialeve të bankave për të rritur më tej kreditimin.
Për një bankë që e ka raportin mes kredive dhe depozitave në nivele të larta, rritja e mëtejshme e aktiveve bëhet e vështirë, pa arritur të zgjerojë bazën e depozitave ose të sigurojë burime alternative të financimit të aktivitetit ndërmjetësues.
Kapitalizimi mbetet i lartë
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti në 18.13%, në rritje me 0.13 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2021 dhe dukshëm mbi kërkesat minimale bazë të Bankës së Shqipërisë.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Gjatë tremujorit të katërt është shënuar rënie, si në vlerën e kapitalit rregullator, ashtu edhe në atë të aktiveve me rrezik.
Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar arriti në 173.3 miliardë lekë, në rritje me 3.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Rezultati financiar, ndërkohë, vlerësohet se ka dhënë sërish efekt pozitiv në kapitalin rregullator.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022, fitimi neto i sektorit bankar me standardet lokale arriti në 21.6 miliardë lekë, në nivele të përafërta me vitin 2021.
Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar, në pjesën dërrmuese, është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2022 arriti në 955.6 miliardë lekë, në rritje 2.9% me bazë vjetore.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.
Që nga data 1 janar e këtij viti, bankat janë të detyruara të përmbushin një shtesë të mëtejshme të kërkesave rregullatore për kapital. Shtesa konservuese e kapitalit nga fillimi i këtij viti ka arritur në nivelin 2%, nga 1.5% që ishte detyrimi për t’u përmbushur deri në fund të vitit të kaluar.
Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2%, ky kufi ka arritur në 14% dhe në 1 janar 2024 do të rritet më tej në 14.5%.
Megjithatë, për katër bankat që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, raporti duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1.5%, në varësi të bankës.
Nivelet e larta të kapitalizimit në tre vitet e fundit janë ndikuar edhe nga kufizimet e pjesshme të vendosura nga Banka e Shqipërisë në shpërndarjen e dividendëve, për shkak të zhvillimeve të njëpasnjëshme negative, të lidhura sidomos me pandeminë dhe me inflacionin e lartë.
Normat e interesit të depozitave dhe kredive u rritën
Norma mesatare e interesit të depozitave në lekë u rrit vitin e kaluar dhe në muajin dhjetor preku nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në dhjetor arriti në 1.89%, në rritje për të gjashtin muaj radhazi.
Krahasuar me një vit më parë, interesi i depozitave me afat në Lek është rritur me 1.22 pikë përqindje, ose 182%.
Ndërsa krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin e rritjes së normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në Lek është rritur me 1.19 pikë përqindje, ose 170%.
Rritja e normave bëri që shpenzimet e sektorit bankar për interesa të rriten vitin e kaluar për herë të parë në një dekadë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2022, sektori bankar shpenzoi për interesa pothuajse 8.8 miliardë lekë, në rritje me 19.2% krahasuar me një vit më parë.
Shpenzimet për interesa madje janë rritur edhe më shumë se të ardhurat bruto nga interesat, që për vitin e kaluar u rritën me 14%. Megjithatë, duke qenë se baza e rritjes në rastin e të ardhurave nga interesat ishte shumë më e lartë, në vlerë absolute rezultati neto nga interesat ka vijuar rritjen.
Rritja e fundit e shpenzimeve të sektorit bankar për interesa ishte regjistruar në vitin 2013, ndërsa për vitet në vazhdim, ulja graduale e normave të interesit drejt niveleve minimale historike kishte ulur shpenzimet e bankave për interesa, pavarësisht rritjes së detyrimeve në bilanc.
Rritja e normave të interesit të depozitave është reflektim i ndryshimit të kahut të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë.
Rritja e interesit të depozitave ishte gjithsesi më e ulët krahasuar me rritjen e normës bazë të interesit, edhe për shkak të karakteristikave të tregut financiar në Shqipëri, ku sektori bankar është mjaft likuid, depozitat bankare ngelen gjerësisht produkti i preferuar për të mbajtur kursimet, por edhe për shkak të zhvillimit të dobët të tregut sekondar të instrumenteve të borxhit qeveritar, që i bën titujt qeveritarë më pak konkurrues me depozitat bankare.
Megjithatë, rritja e normave të interesit të depozitave ka qenë e konsiderueshme dhe ndoshta disi më e shpejtë nga sa parashikohej prej ekspertëve.
Hallka që ka nxitur këtë rritje ka qenë sidomos tregu primar i bonove dhe obligacioneve të qeverisë, ku yield-et shënuan një rritje të fortë, sidomos në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor 2022.
Yield-et e bonove u rritën madje me ritme më të shpejtë se norma bazë e interesit, për shkak të pritshmërive të investitorëve për rritje të shpejtë të normave në të ardhmen e afërt. Pas muajit dhjetor, tregu u qetësua disi dhe rritja e yield-eve u korrigjua ndjeshëm.
Por, nga ana tjetër, rritja e yield-eve ka nxitur edhe konkurrencën mes bankave, për të tërhequr më shumë depozita.
Në kushtet kur normat e interesit që tregu ofron për investimin e aktiveve janë rritur, veçanërisht bankat me pjesë më të vogël të tregut të depozitave kanë pasur stimuj për të rritur normat e ofruara për klientët e tyre.
Normat e interesit të depozitave vitin e kaluar janë rritur edhe për Euron, por në përmasa më të vogla krahasuar me Lekun. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave me afat në Euro në dhjetor shënoi nivelin 0.83%, nga 0.29% një vit më parë.
Banka Qendrore Europiane po ndjek gjithashtu një politikë të rritjes së shpejtë të normave të interesit. Norma bazë për Euron ka arritur tashmë në 3.5%, nga 0 që kishte qenë në mesin e vitit të kaluar.
Por, reflektimi në normat e interesit të depozitave në Shqipëri është pak më i ngadaltë, edhe për shkak të mungesës së alternativave konkurruese të investimit financiar në monedhën europiane në tregun e brendshëm, siç janë bonot dhe obligacionet në rastin e Lekut.
Edhe normat e interesit të kredive të reja në Lek shënuan rritje vitin e kaluar, duke e reflektuar pjesërisht procesin e normalizimit të normave të interesit nga banka qendrore.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha afatet e maturimit në fund të vitit 2022 shënoi nivelin 6.93%, nga 5.7% që kishte qenë një vit më parë.
Një muaj më herët në nëntor, pati prekur vlerën më të lartë të katër viteve të fundit, në 7.59%.
Megjithatë, ndryshe nga depozitat, normat e interesit të kredive shfaqën ecuri pak më të luhatshme, duke reflektuar edhe faktorë të tjerë, përveç rritjes së normave të interesit.
Një pjesë e bankave kanë vijuar të aplikojnë norma tërheqëse për kreditë e reja, në përpjekje për të fituar klientë dhe pjesë tregu, sidomos në segmentin e kredive afatgjata.
Në këtë segment, interesat fikse të periudhave fillestare mund të rikuperohen në periudhat pasuese, kur normat e interesit janë të ndryshueshme.
Euroizimi i sektorit bankar u rrit më tej
Shkalla e euroizimit të sektorit financiar u rrit më tej vitin e kaluar.
Sipas analizës periodike të Bankës së Shqipërisë, që monitoron ecurinë e treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, rritja e euroizimit preku në masën më të madhe depozitat, por njëkohësisht, edhe kredinë.
Në fund të gjashtëmujorit të dytë 2022, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, shënoi nivelin 55%, 1.7 pikë përqindje më shumë se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 3.2 pikë përqindje më i lartë se një vit më parë.
Shpërndarja e treguesit të mësipërm, sipas bankave, vijon të paraqitet relativisht simetrike, duke u luhatur në nivelet 49.2% deri në 62%.
Rezulton se 9 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillim pozitiv është rritja e peshës së depozitave në Lek, me afat maturimi mbi një vit ndaj totalit të depozitave.
Ky tregues ka arritur në nivelin 17.1%, në rritje me 2.6 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 2.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Rritja e euroizimit të sektorit bankar u reflektua edhe në krahun e aktiveve, ku kreditë në valutë arritën në 52% të tepricës së kredive, 0.8 pikë përqindje më shumë sesa në fund të muajit qershor 2022 dhe 0.9 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Treguesi i kredive në valutë, në raport me totalin e kredive, është rritur për pjesën më të madhe të bankave të sistemit, me përjashtim të tre prej tyre.
Ndërkohë, kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përbëjnë 34.3% të kredive në valutë, duke ruajtur nivelin e fundit të gjashtëmujorit të kaluar, por në rënie me 2.8 pikë përqindje ndaj një viti më parë.
Megjithatë, në vlerë absolute, vërehet një rritje me 4.4% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit krahasuar me fundin e gjashtëmujorit të mëparshëm.
Ky tregues vlerësohet me rëndësi të veçantë, pasi ndër kreditë në valutë, kreditë e ekspozuara ndaj kursit të këmbimit (domethënë, rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë) janë ato me profilin më të lartë të rrezikut.
Banka e Shqipërisë nënvizon se pozitat e qëndrueshme, madje në forcim të Lekut ndaj Euros në kursin e këmbimit valutor, mund të jenë një faktor nxitës në euroizimin e ekonomisë dhe sektorit financiar.
Sipas Bankës Qendrore, në situata kur kursi i këmbimit është i qëndrueshëm dhe luhatshmëria e tij është e ulët, agjentët ekonomikë kanë tendencën të rrisin volumin dhe frekuencën e transaksioneve të tyre financiare në valutë.
Në përgjithësi kjo shoqërohet me rritje të shkallës së përdorimit të valutës dhe ulje të vigjilencës ndaj rreziqeve që shoqërojnë ekspozimin e agjentëve ndaj saj.
Si rezultat, lëvizjet e papritura në kursin e këmbimit mund të nxisin transaksione të sforcuara në tregje nga agjentët, të cilat mund të rrisin pasigurinë për zhvillimet e përgjithshme ekonomike.
Ndaj, Banka e Shqipërisë thekson se është e rëndësishme që në situata të zhvillimeve normale, të tërhiqet vëmendja e agjentëve ekonomikë për nevojën e kontrollit mbi nivelin dhe pozicionin e tyre në valutë, duke theksuar që kursi i këmbimit të Lekut është i lirë dhe lëvizjet e tij në të dy kahet janë të mundshme.
Në nivel makro, fleksibiliteti i kursit të këmbimit është një mekanizëm i rëndësishëm mbrojtës për zbutjen e goditjeve makroekonomike.
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Por, deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar.
Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun. Efekti i këtyre masave ka qenë, deri tani, modest dhe euroizimi i sistemit financiar ngelet i lartë, duke ndjekur tendencat e ekonomisë reale.
Numri i degëve ra në nivelin më të ulët që prej vitit 2007
Numri i degëve të sektorit bankar ra përsëri vitin e kaluar dhe preku shifrën më të ulët që prej vitit 2007. Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se numri i degëve zbriti në 396, nga 417 një vit më parë.
Rënia e vitit të kaluar i detyrohet kryesisht bashkimit mes bankave OTP dhe Alpha, që solli si rezultat mbylljen e një pjese të degëve të tyre. Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci.
Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet. Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.
Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ka rënë nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.
Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm është dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare. Sot pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit.
Megjithatë, nuk është e thënë që tkurrja e rrjetit të degëve të jetë e pakthyeshme. Këtë vit, disa prej bankave po ndërmarrin plane të reja të zgjerimit të rrjetit të tyre.
Dy bankat me numrin më të vogël të degëve, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe ProCredit Bank Albania po ndërmarrin një rritje të ndjeshme të numrit të tyre.
Në rastin e UBA, zgjerimi i rrjetit lidhet me ndryshimin e aksionerit kontrollues të bankës. Në fund të vitit të kaluar, grupi Eurosig finalizoi blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim.
Aksioneri i ri ka shfaqur ambicie për rritjen e biznesit dhe të pjesës së tregut të bankës. Pjesë e planit do të jetë edhe zgjerimi i rrjetit të degëve.
Një strategji të ngjashme po ndërmerr edhe ProCredit Bank Albania. Afërsisht një dekadë më parë, kjo bankë nisi një projekt masiv të dixhitalizimit dhe automatizimit të shërbimeve, duke mbyllur pjesën më të madhe të degëve të saj.
Nga 40 degë në vitin 2010, në vitin 2018 numri i degëve zbriti në vetëm pesë të tilla. Strategjia, me sa duket, rezultoi shumë e parakohshme.
Pjesa e tregut të bankës pësoi rënie të vazhdueshme dhe zbriti në 2.1% në vitin 2021, nga 4.6% që kishte qenë në vitin 2009.
Vendimi për të reduktuar në minimum rrjetin e degëve ishte një nga faktorët që ndikuan në trajektoren rënëse të bankës. Edhe për këtë arsye, ProCredit ka vendosur të zgjerojë sërish rrjetin e degëve.
Shqipëria mbetet një ndër vendet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë.
Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, për vitin 2021, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë.
Shqipëria ishte vendi i dytë me depërtimin më të ulët të njësive bankare në popullatë, pas Kosovës, që e kishte këtë tregues në nivelin 11.6 degë për 100 mijë banorë.
Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Bosnjë-Hercegovina me 29.8 degë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 26.4 degë për 100 mijë banorë, Mali i Zi, me 25.8 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut, me 22.4 degë për 100 mijë banorë.
Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh, në raport me popullsinë, më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2021 ishte në nivelin 21.1 degë për 100 mijë banorë.
Në rastin e BE-së, depërtimi i degëve bankare në dekadën e fundit ka pësuar rënie të ndjeshme. Në vitin 2010, ky tregues kishte qenë në nivelin 35.4.
Kjo lidhet pjesërisht me krizën financiare, por arsyeja kryesore është tendenca në rritje e dixhitalizimit të shërbimeve, që e ka ulur gradualisht nevojën për njësi bankare fizike.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zëvendësimi i shërbimeve bankare në rrjet me ato dixhitale është më i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit.
Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi.
Presioni nga pagat, shpenzimet e personelit në nivelin më të lartë historik
Shpenzimet e sektorit bankar për personelin u rritën sërish vitin e kaluar dhe kaluan për herë të parë pragun e 13 miliardë lekëve.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin u rritën me 6.3% krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve të sektorit, rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i punësimit, por edhe nga rritja e pagave.
Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, vitin e kaluar, sektori bankar kishte 6737 punonjës, në rritje me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Pas vitit 2020, punësimi në sektorin bankar i është kthyer sërish rritjes, duke rikuperuar gradualisht rënien që ndodhi në periudhën 2018-2019, kryesisht për shkak të procesit të konsolidimit të sektorit dhe uljes së numrit të bankave tregtare.
Procesi solli përkohësisht edhe rënie të shpenzimeve të personelit në periudhën e mësipërme. Por, në dy vitet e fundit, ky zë i shpenzimeve i është kthyer rritjes me ritme të përshpejtuara dhe ka arritur nivelin më të lartë historik.
Megjithatë, ekspertët besojnë se efektin më të lartë në rritjen e shpenzimeve për personelin e ka dhënë rritja e pagave. Vitin e kaluar, edhe sektori bankar nisi të përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm.
Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat. Trysnia u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, që vitin e kaluar preku nivelin më të lartë në 24 vitet e fundit.
Ndërkohë, shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se për tremujorin e katërt të vitit 2022, paga mesatare në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve regjistroi rritje me 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonominë shqiptare, presionet për rritjen e pagave po bëhen të dukshme edhe në këtë segment.
Shumë sektorë ekonomikë, në vitet e fundit, po përballen me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht, me rritje të kostos së punës.
Tendenca mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë, emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar, por edhe me zgjerimin e disa aktiviteteve ekonomike të outsourcing të shërbimeve nga kompanitë e huaja në Shqipëri.
Rritja e kostos së punës vlerësohet se po bëhet një element me ndikim gjithnjë e më të lartë në rritjen e çmimeve në disa sektorë të ekonomisë.
Por, rritja e çmimeve po sjell rënie të konsumit, ndaj ekspertët mendojnë se biznesi nuk do të jetë në gjendje të përcjellë edhe për një kohë të gjatë rritjen e kostove te konsumatorët.
Në këto kushte, vështirësia për të gjetur punonjës dhe trysnia për të rritur pagat e vë sektorin privat përballë domosdoshmërisë për të rritur produktivitetin e punës ose, në të kundërt, do të përballet me rreziqe të shtuara për të humbur konkurrueshmërinë.

Investimeve (ABI Bank) me 17.72%, Union Bank me 14.47%, Raiffeisen Bank me 14.04%, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 11.91% dhe Tirana Bank me 10.75%. Edhe bankat e tjera kanë raportuar kthime pozitive në nivele njëshifrore.
Në vitet e fundit, një grup bankash të përmasave të mesme po shfaqin performancë dhe rentabilitet në rritje. Procesi i konsolidimit të sektorit bankar duket se ka ndikuar në rritjen e eficiencës dhe përfitueshmërisë së disa prej bankave, element që mund t’i bëjë këto banka më konkurruese në afatin e gjatë.
Rritet pesha e kapitalit vendas në tregun bankar
Pesha e bankave me kapital shqiptar në tregun bankar u rrit përsëri vitin e kaluar. Në fund të vitit 2022, bankat me kapital vendas zotëronin 33.8% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.
Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 1.9 pikë përqindje, ndërsa që prej vitit 2015, kur nisi cikli i shitblerjeve në sektorin bankar, pjesa e tregut e bankave vendase është rritur me më shumë se dy herë.
Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), Tirana Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë. Katër bankat më të mëdha e kanë rritur pjesën e tyre të tregut.
Credins Bank mbetet banka më e madhe shqiptare, me 15.9% të tregut, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Vijon ABI Bank, që zotëron 6.2% të aktiveve totale, edhe kjo në rritje me 0.7 pikë përqindje në harkun e një viti.
Tirana Bank ka arritur tashmë në 6.1% të tregut, nga 5.4% që mbante një vit më parë, ndërsa pjesa e tregut e Union Bank është rritur në 4.9%, nga 4.5% një vit më parë. Banka më e re me kapital shqiptar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, vitin e kaluar ruajti pjesë tregu të pandryshuar, me 0.7% të totalit të aktiveve.
Rritja e peshës së bankave me kapital vendas në tregun bankar është njëkohësisht rezultat i procesit të shitblerjeve, por edhe i rritjes organike të përmasave të aktivitetit.
Pasi sektori bankar filloi të ndiente efektet e krizës që nisi në vitin 2008, shumica e bankave që iu takonin grupeve bankare të Eurozonës u detyruan të frenonin rritjen, për shkak të përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë, por edhe të kërkesave në rritje rregullative nga autoritetet europiane të mbikëqyrjes bankare.
Kjo krijoi më shumë hapësira në treg për ato banka me aksionerë jashtë Eurozonës, që nuk kishin kufizime të këtij lloji. Mes tyre, bankat lokale ishin ndër subjektet më aktive, duke e zgjeruar pjesën e tyre të tregut, sidomos nëpërmjet huadhënies.
Një shtysë të mëtejshme prania e kapitalit vendas e mori nga procesi i shitblerjeve brenda sistemit. ABI Bank hyri në treg, duke blerë fillimisht filialin e Credit Agricole dhe më pas edhe bankën NBG Albania.
Megjithëse fillimisht zotërohej nga aksionerë amerikanë, formalisht ABI Bank ka qenë gjithnjë një bankë shqiptare, sepse kontrolli i paketës së aksioneve bëhej nëpërmjet institucionit financiar Tranzit. Pas blerjes së 80% të aksioneve nga drejtori ekzekutiv Andi Ballta, ABI Bank është, edhe në mënyrë të tërthortë, një bankë me kapital mbizotërues shqiptar.
Në vitin 2019, edhe Tirana Bank u bë një bankë me kapital shqiptar, pasi Grupi Bankar i Pireut e shiti te grupi Balfin. Një tjetër bankë shqiptare, që gërshetoi rritjen organike me zgjerimin nëpërmjet blerjeve, ishte Union Bank, që në të njëjtin vit bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare.
Viti i kaluar konfirmoi tendencat e viteve të fundit dhe grupet bankare të Eurozonës të ngelura në tregun shqiptar pësuan rënie të mëtejshme të pjesës së tyre të tregut.
Pjesa e Raiffeisen Bank pësoi rënie në 15%, nga 15.3% në fund të vitit 2021.
Ndërsa pjesa e Intesa Sanpaolo Shqipëria ra më tej në 10.6%, nga 11.3% një vit më parë. Përjashtim bëri banka më e vogël, ProCredit Bank Shqipëri, që shënoi rritje të lehtë të peshës së tregut në 2.2%, nga 2.1% që mbante në vitin 2021.
Veç bankave me kapital shqiptar, rritje të pjesës së tregut kanë shënuar edhe bankat me kapital të huaj jashtë Eurozonës. Banka Kombëtare Tregtare forcoi kryesimin në tregun bankar dhe pjesa e saj arriti në 26.2%, nga 26% në fund të vitit 2021.
Rritje të ndjeshme shënoi edhe Banka OTP Albania, që falë blerjes dhe përthithjes së Alpha Bank arriti në 9.5% të tregut, nga 6.4% që mbante një vit më parë. Rritje të ndjeshme arriti edhe Fibank, në 2.7% të tregut, nga 2.3% që zotëronte një vit më parë.
Sektori u konsolidua më tej
Viti 2022 shënoi një hap të mëtejshëm në konsolidimin e sektorit bankar në vend. Numri i bankave u ul më tej nga 12 në 11.
Banka hungareze OTP finalizoi procesin e blerjes së Alpha Bank Albania dhe më datë 1 dhjetor, mbylli edhe bashkimin ligjor të bankës së blerë me filialin e saj shqiptar, OTP Albania. Pas bashkimit, pjesa e tregut të OTP Albania arriti në 9.5%, nga 6.4% që kishte qenë një vit më parë.
OTP Albania mbetet banka e pestë më e madhe në vend, por me një diferencë të ngushtuar ndjeshëm me bankën e katërt, Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Një tjetër zhvillim domethënës ishte finalizimi i marrjes së paketës kontrolluese të aksioneve të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA) nga kompania shqiptare e sigurimeve EUROSIG.
Falë injektimit të kapitalit shtesë nga aksioneri i ri, UBA po merr një strategji zgjerimi të rrjetit dhe hedhjes në treg të produkteve të reja, me objektivin për t’u rritur dhe për të fituar më shumë pjesë tregu.
Hyrja e investitorëve të rinj dhe bashkimet që krijuan banka më të mëdha nga përmasat deri në këtë fazë kanë dhënë efekt pozitiv në drejtim të rritjes së oreksit për rrezik dhe në kthimin e një cikli të rritjes së kredisë për ekonominë.
Pas shitjes së Alpha Bank Albania, për momentin asnjë prej investitorëve të pranishëm nuk ka shprehur zyrtarisht qëllime për të dalë nga tregu. Megjithatë, nuk është e thënë që procesi i konsolidimit të ketë përfunduar këtu.
Vitin e kaluar, aksioneri i Tirana Bank, grupi Balfin, negocioi blerjen e Raiffeisen Bank-Shqipëri, duke i paraqitur grupit vjenez një ofertë që, sipas të dhënave jozyrtare, arrinte në rreth 270 milionë euro.
Burime nga tregu e jepnin finalizimin e shitjes në rrugë të mbarë, madje pothuajse të kryer, por në fund, austriakët refuzuan dhe me një komunikatë zyrtare konfirmuan angazhimin për të qëndruar në tregun shqiptar.
Shumë ekspertë mendojnë se konsolidimi i mëtejshëm i sektorit nuk mund të përjashtohet në një horizont afatmesëm.
Rritja e kërkesave për kapital dhe nevojat e mëdha për investime, të lidhura sidomos me teknologjinë, e bën gjithnjë e më të vështirë eficiencën për bankat e përmasave të vogla.
Zhvillimet negative demografike gjithashtu po e tkurrin madhësinë e tregut dhe mund të nxisin konsolidim të mëtejshëm të sektorit.
Me gjithë uljen e numrit të bankave në treg gjatë pesë viteve të fundit, treguesit e përqendrimit të tregut ngelen pranë pragut të konkurrueshmërisë, mbështetur në metodat teorike të vlerësimit.
Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.
Nga llogaritjet e “Monitor”, mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, rezulton se Indeksi HHI është poshtë nivelit të 1500 për totalin e aktiveve dhe për kreditë, ndërsa vitin e kaluar, për depozitat, ky indeks arriti lehtësisht sipër pragut të 1500.
Bashkimi i radhës në sektorin bankar, ai midis OTP Albania dhe Alpha Bank Albania, bëri që treguesit e përqendrimit vitin e kaluar të shënonin rritje të lehtë.
Rritja më e ndjeshme e përqendrimit u shënua në treguesin HHI të llogaritur për kredinë, por megjithatë kredia vazhdon të jetë tregu me nivelin më të ulët të përqendrimit (rreth 1254), gjë që në teori e portretizon si indikatorin ku tregu është më konkurrues.
Treguesi kryesor, ai i matur për madhësinë e aktiveve, vitin e kaluar ishte në nivelin 1479, me rritjen më të vogël krahasuar me 2021 (41 pikë, ose 2.85 pikë përqindje)
Rritja e kredisë, më e vogël se në vitin 2021
Kreditimi nga sektori bankar vijoi rritjen edhe për vitin 2022, por me ritme më të ngadalta krahasuar me një vit më parë.
Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit të kaluar arriti në 692 miliardë lekë, në rritje me 6.9% krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2021, kredia ishte rritur me pothuajse 12%.
Ritmi më i ngadaltë i kreditimit mund të shpjegohet me dy faktorë kryesorë. Së pari, rritja e shpejtë e normave të interesit solli frenim në ritmet e kredidhënies në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Së dyti, edhe në rastin e kredisë duhet llogaritur efekti negativ statistikor i forcimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun.
Në ditën e fundit të vitit 2022, kursi i këmbimit të Euros rezultoi në rënie me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më shumë se gjysma e portofolit të kredisë së sektorit bankar është në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro.
Të dhënat sipas IFRS nuk ofrojnë detajim të portofolit sipas klientëve, por, duke u mbështetur në të dhënat sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga sektori bankar për vitin 2022 arriti vlerën e 278.5 miliardë lekëve, në rritje me 5.3% krahasuar me një vit më parë.
Vlera e kredisë së re është më e larta në shtatë vitet e fundit, por rritja ka ardhur kryesisht në pjesën e parë të vitit, ndërsa pjesa e dytë ka shënuar tendencë të qartë ngadalësuese, duke reflektuar efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së shpejtë të normave të interesit.
Frenimi që është bërë i dukshëm, sidomos pas muajit shtator, e ka reduktuar normën e rritjes vjetore të kredisë, që për vitin 2021 kishte qenë 7.8%.
Zhvillimi më i dukshëm për sa i takon kreditimit vitin e kaluar ishte rimëkëmbja e ndjeshme në segmentin e biznesit.
Gjatë vitit 2022, kredia e re për biznesin arriti në 186.9 miliardë lekë, në rritje me 8.6% krahasuar me vitin 2021. Rritja e çmimeve ka sjellë nevoja më të mëdha për financimet e lidhura me nevojat e kapitalit qarkullues, por ndërkohë ka vijuar edhe rritja e kredisë për qëllime investimi.
Ndërkohë, edhe kredia për individë u rrit sërish, në vazhdën e ecurisë pozitive të viteve të fundit. Kredia e re për individët arriti vlerën e 85 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e kredisë për individët është mbështetur kryesisht nga financimet për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe rritja e fortë e çmimeve në këtë treg. Megjithatë, rritja e kredisë për individë është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur kishte shënuar rritje rekord 35%.
Tregtia dhe ndërtimi, sektorët më të kredituar
Studimet kanë treguar se në vija të përgjithshme, kredia bankare ka tendencën të ndjekë modelin ekonomik dhe strukturën e shpërndarjes së investimeve private.
Në këtë kuptim, nuk është surprizë që edhe vitin e kaluar, sektorët më të kredituar të biznesit nga bankat ishin tregtia dhe ndërtimi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për sektorin e tregtisë përbënte 34% të vlerës totale të kredisë së disbursuar për bizneset vitin e kaluar.
Megjithatë, pesha specifike e kredisë për tregtinë pësoi rënie të ndjeshme nga niveli prej 40.5% i një viti më parë.
Kjo u ndikua edhe nga rënia e kredisë së re për tregtinë në vlerë absolute, me 8.8% më pak krahasuar me vitin 2021.
Ndërkohë, kreditimi i ndërtimit, në terma relativë ishte i qëndrueshëm, madje edhe në rritje të lehtë në 19.85%, nga 19.3% një vit më parë.
Cikli i rritjes së shpejtë të sektorit të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit e ka bërë sektorin e ndërtimit më tërheqës edhe për bankat.
Industria përpunuese ishte sektori i tretë më i kredituar i ekonomisë, me 11.3% të totalit, nga 11% që mbante një vit më parë. Por, sektori që shënoi rritjen më të lartë ishte ai energjetik, që për vitin 2022 thithi rreth 9.3% të kredisë së re për ekonominë, nga 4.4% që mori një vit më parë.
Në dekadën e fundit, sektori energjetik ka fituar peshë të konsiderueshme në strukturën e financimeve të sektorit bankar, i nxitur kryesisht nga vala e investimeve në projekte koncesionare për prodhimin e energjisë nga burimet ujore.
Në vitet e fundit, interesi është zhvendosur ndjeshëm drejt energjisë diellore, si një mënyrë për të diversifikuar burimet e prodhimit dhe për të ulur varësinë nga prurjet hidrike.
Tjetër sektor i rëndësishëm në strukturën e kredisë bankare për bizneset është edhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që për vitin 2022 mori 5% të kredisë së re, në rritje të lehtë nga niveli
prej 4.8% i një viti më parë.
Kjo reflekton rritjen e peshës së turizmit në ekonominë shqiptare. Sektori ka tërhequr investime të konsiderueshme në vitet e fundit, të mbështetura edhe nga disa lehtësi fiskale për strukturat elitare.
Edhe në këtë rast, sektori bankar ka ndjekur tendencën e orientimit të kapitaleve në ekonomi dhe duket se ka mbështetur në përmasa të konsiderueshme investimet në turizëm.
Ndër sektorët me peshë të rëndësishme në strukturën e ekonomisë shqiptare, bujqësia, vazhdon të mbetet një “dele e zezë” në kreditim. Vitin e kaluar, bujqësia mori më pak se 1.4% të kredisë së re për bizneset, në rënie të mëtejshme nga niveli gjithsesi mjaft i ulët prej 1.5% i vitit të mëparshëm.
Pesha e bujqësisë në portofolin e kredisë për ndërmarrjet private ka ngelur pothuajse e pandryshuar në dekadën e fundit.
Shifrat tregojnë se kreditimi i bujqësisë nuk ka njohur ndonjë hov domethënës, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit dhe diskutimeve të herëpashershme rreth nevojës për të rritur mbështetjen e këtij sektori me hua.
Sipas ekspertëve të bankave tregtare, problemet më të mëdha me kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë, mungesa e ekonomive të shkallës dhe e bashkëpunimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.
Banka Qendrore ka theksuar se skemat e garancisë mund të jenë zgjidhje në afatin e shkurtër dhe të mesëm, por zbutja e rreziqeve të kreditimit të bujqësisë në afatin e gjatë do të kërkonte ndërhyrje më thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së këtij sektori.
Tregu i kredisë, bie më tej BKT, rriten OTP dhe bankat shqiptare
Në dekadën e fundit, ndarja e tregut të kredisë ka qenë veçanërisht dinamike, sepse banka të ndryshme kanë shfaqur qasje të ndryshme dhe oreks të ndryshëm për rrezik.
Në veçanti, disa banka të përmasave të mesme janë shfaqur shumë agresive në tregun e kredisë, duke shfrytëzuar edhe hapësirat e krijuara nga qëndrimi më i tërhequr që kanë mbajtur disa prej bankave më të mëdha. Një tendencë e tillë u konfirmua edhe vitin e kaluar.
Credins Bank ishte, edhe vitin e kaluar, banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare, me 19% të totalit të kredisë, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Raiffeisen Bank vazhdoi edhe vitin e kaluar të rifitonte terren në tregun e kredisë, duke u konfirmuar si banka e dytë më e madhe huadhënëse dhe duke e rritur pjesën e tregut për të dytin vit radhazi. Raiffeisen zotëronte 17.1% të portofolit të kredisë, nga 16.5% një vit më parë.
Banka OTP Albania ka vijuar të rritet edhe në vitin 2022, duke u pozicionuar e treta në tregun e kredisë. Pjesa e tregut e OTP ka arritur në 14.6%, nga 10.6% një vit më parë.
Përveç rritjes organike të portofolit të kredisë edhe për vitin 2022, efektin më të madh në rritjen e pjesës së tregut të OTP e dha bashkimi me Alpha Bank Albania.
Banka më e madhe në vend, BKT, për të katërtin vit radhazi ka shfaqur një qëndrim pasiv në drejtim të huadhënies, duke i përqendruar investimet kryesisht në letra me vlerë dhe instrumente të tjera me rrezik të ulët.
Pesha e BKT, në tregun e kredisë, shënoi rënie të fortë në 12.8% (nga 13.8% që mbante një vit më parë) duke zbritur në vendin e katërt në renditjen e huadhënies.
Arritja e fitimeve mjaft të larta, pa marrë shumë rrezik përsipër, në njëfarë mënyre dëshmon avantazhet që ka BKT nga pjesa e lartë e tregut që zotëron dhe komoditetin që kjo pjesë e madhe tregu i jep në strategjitë e veta të biznesit.
Rënie të mëtejshme ka pësuar edhe Intesa Sanpaolo, e cila ka zbritur në 7.8% të tregut të kredisë, nga 8.2%, të portofolit total që zotëronte një vit më parë.
Rritje të pjesës së tregut në kredi kanë shënuar edhe Tirana Bank, që në fund të 2022 arriti në 7.6% (nga 6.9% një vit më parë), ABI Bank, në 6.2% (nga 5.6% një vit më parë), Union Bank, në 6% (nga 5.5% një vit më parë), Fibank në 3.6% (nga 3.2% një vit më parë) dhe UBA në 1.2% (nga 1.1% një vit më parë).
Kreditë me probleme vijuan rënien
Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme e mbylli vitin e kaluar në nivelin 5%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
Treguesi i kredive me probleme mbështetet në metodologjinë rregullatore të përdorur nga Banka e Shqipërisë, që bazohet kryesisht në ditëvonesat.
Të dhënat e kredive me probleme, sipas metodologjive më komplekse që përdorin IFRS-të, nuk janë të disponueshme.
Shifrat tregojnë se ulja e kredive me probleme ka vijuar, pavarësisht mjedisit mjaft sfidues makroekonomik, i karakterizuar nga nivelet më të larta të inflacionit në 24 vjet dhe nga një rritje e shpejtë e normave të interesit në tregun e brendshëm financiar.
Gërryerja e aftësisë paguese të huamarrësve nga inflacioni dhe rritja e interesave nuk ka sjellë ende përkeqësim të dukshëm të cilësisë së portofolit të kredisë. Rritja e portofolit të kredisë në total ka rol të rëndësishëm në mbajtjen e një peshe në rënie të kredive me probleme.
Megjithatë, ana tjetër e medaljes është se ulja e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Nëse për vitin 2021, raporti i kredive me probleme ishte ulur me 2.46 pikë përqindje, për vitin 2022 rënia e raportit ishte vetëm 0.65 pikë përqindje.
Rënia e raportit të kredive me probleme nuk ishte shumë e madhe as në dhjetor, muaj kur zakonisht bankat aplikojnë fshirjen nga bilancet të kredive të humbura, sipas kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë.
Këto janë sinjale se disa efekte të rritjes së çmimeve dhe normave të interesit kanë filluar të shfaqen tashmë, pavarësisht se ende nuk kanë sjellë rritje në vijueshmëri të raportit të kredive të këqija.
Në skenarët bazë të parashikimit të bankave, një rritje e kredive me probleme është e pritshme në vitin 2023. Pritet që ekonomia shqiptare të ngadalësojë ritmin e saj të rritjes gjatë këtij viti, duke reflektuar më shumë efektet negative të trashëguara nga zhvillimet e vitit 2022.
Rritja e çmimeve pritet të sjellë frenim të konsumit, që është kontribuuesi kryesor në zgjerimin e vlerës së shtuar në ekonominë shqiptare.
Efekt negativ do të japë edhe ngadalësimi i kredisë bankare. Në katër muajt e fundit të vitit 2022, kredia e re pësoi rënie kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Bankierët presin që një tendencë e ngjashme të vijojë edhe në vitin 2023.
Më pak kredi nënkupton më pak mbështetje me financim për konsumin dhe investimet, gjë që do ta ndikojë gjithashtu negativisht rritjen ekonomike.
Një tablo e tillë pritet të sjellë rritje të raportit të kredive me probleme, por, megjithatë, sipas skenarëve të deritanishëm, bankierët presin që kjo rritje të jetë e lehtë dhe e menaxhueshme.
Rritja e depozitave u ngadalësua
Depozitat në sektorin bankar shqiptar vijuan rritjen edhe për vitin 2022, por me ritme ndjeshëm më të ngadalta krahasuar me vitin 2021.
Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të vitit 2022, vlera totale e depozitave arriti në 1.56 trilionë lekë, në rritje me 4.9% krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2021, rritja kishte qenë ndjeshëm më e lartë, me 11.9%. Arsyet e ngadalësimit të rritjes së depozitave, që përfaqësojnë zërin dominues në krahun e detyrimeve, janë të ngjashme me ato që ndikuan edhe krahun e aktiveve dhe mund të identifikohen kryesisht tek inflacioni i lartë dhe tek ecuria e kursit të këmbimit.
Rritja e inflacionit dha një efekt negativ në bilancet e familjeve, duke ulur mundësitë e tyre për të kursyer. Kjo u reflektua në norma ndjeshëm më të ngadalta të rritjes së depozitave bankare, sidomos në monedhën vendase.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar negativisht ecurinë e depozitave në monedhën vendase ishte rritja e yield-eve të titujve qeveritarë, që i bëri instrumentet e borxhit të qeverisë joshëse edhe për investitorët e vegjël.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me rritje rekord 216% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, depozitat në valutë të huaj dhe sidomos në Euro, kanë vijuar të rriten me ritme më të larta, por vlera e tyre është ndikuar negativisht nga ecuria e kursit të këmbimit.
Të dhënat sipas IFRS nuk japin informacion më të detajuar për strukturën e rritjes së depozitave.
Megjithatë, po t’u referohemi statistikave paralele të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të sektorit në 2022 ishte pak më e lartë, me 5.9%. Në segmentin e individëve, rritja shënoi nivelin 5.2%, ndërsa për bizneset, rritja ishte ndjeshëm më e lartë, me afërsisht 9% krahasuar me një vit më parë.
Të ndara sipas valutave, rritja ishte shumë e dobët për Lekun, me 0.9% krahasuar me një vit më parë, ndërsa kontributin kryesor e dha rritja e depozitave në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në valutë të huaj u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë.
Sidoqoftë, kjo rritje është e zbutur nga efekti negativ i kursit të këmbimit. Nëse shohim statistikat për depozitat në Euro (të raportuara pa u konvertuar në lekë), rritja e tyre në vitin 2022 arriti në 17%.
Tregu i depozitave, BKT forcon kryesimin, rritet OTP
Duke qenë se depozitat janë burimi kryesor që financojnë ndërmjetësimin financiar në ekonominë shqiptare, ritmi i rritjes së tyre përcakton, në një masë të madhe, edhe aftësinë e bankave për të rritur pjesën e tregut edhe në krahun e aktiveve. Në këtë mënyrë, thithja e depozitave ngelet një element shumë i rëndësishëm konkurrues mes bankave.
Banka më e madhe në vend, BKT, vazhdon të jetë dominuese edhe në këtë segment të tregut. Pjesa e BKT, në fund të vitit 2022, arriti në 25.6%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 24.5% i një viti më parë.
Ndjek Credins Bank, që në fund të vitit 2022 zotëronte 16.9% të totalit, po aq sa një vit më parë. Raiffeisen Bank, ndërkohë, ka pësuar rënie të lehtë të pjesës së tregut në 15.9%, nga 16.1% një vit më parë.
Edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania pësoi rënie në 10.7%, nga 11.4% që mbante një vit më parë.
Banka me rritjen më domethënëse edhe në tregun e depozitave ishte OTP Albania, që arriti në 10% të tregut, nga 6.7% që mbante një vit më parë.
Edhe kjo rritje i detyrohet, në pjesën më të madhe, bashkimit me Alpha Bank Albania.
Rritje të konsiderueshme arriti edhe Tirana Bank, në 6.3% të totalit, nga 5.5% një vit më parë, ndërkohë rritje më të lehtë shënuan edhe Union Bank në 4.7% (nga 4.6% në 2021) dhe Fibank, në 2.5% (nga 2.3% në 2021).
Raporti kredi/depozita, në rritje të lehtë
Mbështetur në të dhënat sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS), në fund të vitit të kaluar, raporti mes kredive dhe depozitave për sistemin bankar u rrit lehtë në 44.3%, nga 43.5% një vit më parë.
Kjo erdhi nga një rritje më e lartë e kredive krahasuar me depozitat bankare. Megjithatë, ky raport vazhdon të ketë ndryshime shumë të mëdha mes bankave të sektorit.
Bankat e mëdha, që kanë pjesë të lartë tregu në depozita, përgjithësisht e kanë këtë raport më të ulët. Banka Kombëtare Tregtare ka një raport mes kredive dhe depozitave në nivelin 22%, e ndjekur nga Intesa Sanpaolo me 32.5%.
Bankat e tjera e kanë këtë raport më të lartë se mesatarja e sistemit, duke filluar nga Raiffeisen, me 47.8% dhe Credins me 49.9%.
Raporti më i lartë mes kredive dhe depozitave është i ProCredit Bank, në nivelin 100.6%, i ndjekur nga Banka e Bashkuar e Shqipërisë me 73.2% dhe Fibank me 64.9%.
Diferencat e mëdha mes bankave vijnë për shkak të një strategjie të ndryshme të investimeve dhe më në veçanti, të një qasjeje të ndryshimeve ndaj rrezikut.
Bankat që kanë një bazë të gjerë klientele dhe një pjesë të madhe tregu në depozita arrijnë të sigurojnë kthime të kënaqshme edhe pa marrë përsipër shumë rrezik kredie, duke investuar kryesisht në instrumente borxhi me rrezik të ulët.
Bankat e tjera, që kanë ambicie për t’u rritur në treg, janë më të orientuara drejt kredidhënies, që mund të sigurojë kthime më të larta, por sigurisht me rrezik më të lartë.
Raporti mes kredive dhe depozitave është një tregues i rëndësishëm, në këndvështrimin e monitorimit të rrezikut të likuiditetit, por edhe për sa u takon potencialeve të bankave për të rritur më tej kreditimin.
Për një bankë që e ka raportin mes kredive dhe depozitave në nivele të larta, rritja e mëtejshme e aktiveve bëhet e vështirë, pa arritur të zgjerojë bazën e depozitave ose të sigurojë burime alternative të financimit të aktivitetit ndërmjetësues.
Kapitalizimi mbetet i lartë
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti në 18.13%, në rritje me 0.13 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2021 dhe dukshëm mbi kërkesat minimale bazë të Bankës së Shqipërisë.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Gjatë tremujorit të katërt është shënuar rënie, si në vlerën e kapitalit rregullator, ashtu edhe në atë të aktiveve me rrezik.
Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar arriti në 173.3 miliardë lekë, në rritje me 3.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Rezultati financiar, ndërkohë, vlerësohet se ka dhënë sërish efekt pozitiv në kapitalin rregullator.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022, fitimi neto i sektorit bankar me standardet lokale arriti në 21.6 miliardë lekë, në nivele të përafërta me vitin 2021.
Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar, në pjesën dërrmuese, është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2022 arriti në 955.6 miliardë lekë, në rritje 2.9% me bazë vjetore.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.
Që nga data 1 janar e këtij viti, bankat janë të detyruara të përmbushin një shtesë të mëtejshme të kërkesave rregullatore për kapital. Shtesa konservuese e kapitalit nga fillimi i këtij viti ka arritur në nivelin 2%, nga 1.5% që ishte detyrimi për t’u përmbushur deri në fund të vitit të kaluar.
Nga 12% që është kufiri minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 2%, ky kufi ka arritur në 14% dhe në 1 janar 2024 do të rritet më tej në 14.5%.
Megjithatë, për katër bankat që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, raporti duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1.5%, në varësi të bankës.
Nivelet e larta të kapitalizimit në tre vitet e fundit janë ndikuar edhe nga kufizimet e pjesshme të vendosura nga Banka e Shqipërisë në shpërndarjen e dividendëve, për shkak të zhvillimeve të njëpasnjëshme negative, të lidhura sidomos me pandeminë dhe me inflacionin e lartë.
Normat e interesit të depozitave dhe kredive u rritën
Norma mesatare e interesit të depozitave në lekë u rrit vitin e kaluar dhe në muajin dhjetor preku nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në dhjetor arriti në 1.89%, në rritje për të gjashtin muaj radhazi.
Krahasuar me një vit më parë, interesi i depozitave me afat në Lek është rritur me 1.22 pikë përqindje, ose 182%.
Ndërsa krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin e rritjes së normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në Lek është rritur me 1.19 pikë përqindje, ose 170%.
Rritja e normave bëri që shpenzimet e sektorit bankar për interesa të rriten vitin e kaluar për herë të parë në një dekadë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2022, sektori bankar shpenzoi për interesa pothuajse 8.8 miliardë lekë, në rritje me 19.2% krahasuar me një vit më parë.
Shpenzimet për interesa madje janë rritur edhe më shumë se të ardhurat bruto nga interesat, që për vitin e kaluar u rritën me 14%. Megjithatë, duke qenë se baza e rritjes në rastin e të ardhurave nga interesat ishte shumë më e lartë, në vlerë absolute rezultati neto nga interesat ka vijuar rritjen.
Rritja e fundit e shpenzimeve të sektorit bankar për interesa ishte regjistruar në vitin 2013, ndërsa për vitet në vazhdim, ulja graduale e normave të interesit drejt niveleve minimale historike kishte ulur shpenzimet e bankave për interesa, pavarësisht rritjes së detyrimeve në bilanc.
Rritja e normave të interesit të depozitave është reflektim i ndryshimit të kahut të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë.
Rritja e interesit të depozitave ishte gjithsesi më e ulët krahasuar me rritjen e normës bazë të interesit, edhe për shkak të karakteristikave të tregut financiar në Shqipëri, ku sektori bankar është mjaft likuid, depozitat bankare ngelen gjerësisht produkti i preferuar për të mbajtur kursimet, por edhe për shkak të zhvillimit të dobët të tregut sekondar të instrumenteve të borxhit qeveritar, që i bën titujt qeveritarë më pak konkurrues me depozitat bankare.
Megjithatë, rritja e normave të interesit të depozitave ka qenë e konsiderueshme dhe ndoshta disi më e shpejtë nga sa parashikohej prej ekspertëve.
Hallka që ka nxitur këtë rritje ka qenë sidomos tregu primar i bonove dhe obligacioneve të qeverisë, ku yield-et shënuan një rritje të fortë, sidomos në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor 2022.
Yield-et e bonove u rritën madje me ritme më të shpejtë se norma bazë e interesit, për shkak të pritshmërive të investitorëve për rritje të shpejtë të normave në të ardhmen e afërt. Pas muajit dhjetor, tregu u qetësua disi dhe rritja e yield-eve u korrigjua ndjeshëm.
Por, nga ana tjetër, rritja e yield-eve ka nxitur edhe konkurrencën mes bankave, për të tërhequr më shumë depozita.
Në kushtet kur normat e interesit që tregu ofron për investimin e aktiveve janë rritur, veçanërisht bankat me pjesë më të vogël të tregut të depozitave kanë pasur stimuj për të rritur normat e ofruara për klientët e tyre.
Normat e interesit të depozitave vitin e kaluar janë rritur edhe për Euron, por në përmasa më të vogla krahasuar me Lekun. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave me afat në Euro në dhjetor shënoi nivelin 0.83%, nga 0.29% një vit më parë.
Banka Qendrore Europiane po ndjek gjithashtu një politikë të rritjes së shpejtë të normave të interesit. Norma bazë për Euron ka arritur tashmë në 3.5%, nga 0 që kishte qenë në mesin e vitit të kaluar.
Por, reflektimi në normat e interesit të depozitave në Shqipëri është pak më i ngadaltë, edhe për shkak të mungesës së alternativave konkurruese të investimit financiar në monedhën europiane në tregun e brendshëm, siç janë bonot dhe obligacionet në rastin e Lekut.
Edhe normat e interesit të kredive të reja në Lek shënuan rritje vitin e kaluar, duke e reflektuar pjesërisht procesin e normalizimit të normave të interesit nga banka qendrore.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha afatet e maturimit në fund të vitit 2022 shënoi nivelin 6.93%, nga 5.7% që kishte qenë një vit më parë.
Një muaj më herët në nëntor, pati prekur vlerën më të lartë të katër viteve të fundit, në 7.59%.
Megjithatë, ndryshe nga depozitat, normat e interesit të kredive shfaqën ecuri pak më të luhatshme, duke reflektuar edhe faktorë të tjerë, përveç rritjes së normave të interesit.
Një pjesë e bankave kanë vijuar të aplikojnë norma tërheqëse për kreditë e reja, në përpjekje për të fituar klientë dhe pjesë tregu, sidomos në segmentin e kredive afatgjata.
Në këtë segment, interesat fikse të periudhave fillestare mund të rikuperohen në periudhat pasuese, kur normat e interesit janë të ndryshueshme.
Euroizimi i sektorit bankar u rrit më tej
Shkalla e euroizimit të sektorit financiar u rrit më tej vitin e kaluar.
Sipas analizës periodike të Bankës së Shqipërisë, që monitoron ecurinë e treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, rritja e euroizimit preku në masën më të madhe depozitat, por njëkohësisht, edhe kredinë.
Në fund të gjashtëmujorit të dytë 2022, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, shënoi nivelin 55%, 1.7 pikë përqindje më shumë se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 3.2 pikë përqindje më i lartë se një vit më parë.
Shpërndarja e treguesit të mësipërm, sipas bankave, vijon të paraqitet relativisht simetrike, duke u luhatur në nivelet 49.2% deri në 62%.
Rezulton se 9 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillim pozitiv është rritja e peshës së depozitave në Lek, me afat maturimi mbi një vit ndaj totalit të depozitave.
Ky tregues ka arritur në nivelin 17.1%, në rritje me 2.6 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 2.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Rritja e euroizimit të sektorit bankar u reflektua edhe në krahun e aktiveve, ku kreditë në valutë arritën në 52% të tepricës së kredive, 0.8 pikë përqindje më shumë sesa në fund të muajit qershor 2022 dhe 0.9 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Treguesi i kredive në valutë, në raport me totalin e kredive, është rritur për pjesën më të madhe të bankave të sistemit, me përjashtim të tre prej tyre.
Ndërkohë, kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përbëjnë 34.3% të kredive në valutë, duke ruajtur nivelin e fundit të gjashtëmujorit të kaluar, por në rënie me 2.8 pikë përqindje ndaj një viti më parë.
Megjithatë, në vlerë absolute, vërehet një rritje me 4.4% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit krahasuar me fundin e gjashtëmujorit të mëparshëm.
Ky tregues vlerësohet me rëndësi të veçantë, pasi ndër kreditë në valutë, kreditë e ekspozuara ndaj kursit të këmbimit (domethënë, rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë) janë ato me profilin më të lartë të rrezikut.
Banka e Shqipërisë nënvizon se pozitat e qëndrueshme, madje në forcim të Lekut ndaj Euros në kursin e këmbimit valutor, mund të jenë një faktor nxitës në euroizimin e ekonomisë dhe sektorit financiar.
Sipas Bankës Qendrore, në situata kur kursi i këmbimit është i qëndrueshëm dhe luhatshmëria e tij është e ulët, agjentët ekonomikë kanë tendencën të rrisin volumin dhe frekuencën e transaksioneve të tyre financiare në valutë.
Në përgjithësi kjo shoqërohet me rritje të shkallës së përdorimit të valutës dhe ulje të vigjilencës ndaj rreziqeve që shoqërojnë ekspozimin e agjentëve ndaj saj.
Si rezultat, lëvizjet e papritura në kursin e këmbimit mund të nxisin transaksione të sforcuara në tregje nga agjentët, të cilat mund të rrisin pasigurinë për zhvillimet e përgjithshme ekonomike.
Ndaj, Banka e Shqipërisë thekson se është e rëndësishme që në situata të zhvillimeve normale, të tërhiqet vëmendja e agjentëve ekonomikë për nevojën e kontrollit mbi nivelin dhe pozicionin e tyre në valutë, duke theksuar që kursi i këmbimit të Lekut është i lirë dhe lëvizjet e tij në të dy kahet janë të mundshme.
Në nivel makro, fleksibiliteti i kursit të këmbimit është një mekanizëm i rëndësishëm mbrojtës për zbutjen e goditjeve makroekonomike.
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Por, deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar.
Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun. Efekti i këtyre masave ka qenë, deri tani, modest dhe euroizimi i sistemit financiar ngelet i lartë, duke ndjekur tendencat e ekonomisë reale.
Numri i degëve ra në nivelin më të ulët që prej vitit 2007
Numri i degëve të sektorit bankar ra përsëri vitin e kaluar dhe preku shifrën më të ulët që prej vitit 2007. Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se numri i degëve zbriti në 396, nga 417 një vit më parë.
Rënia e vitit të kaluar i detyrohet kryesisht bashkimit mes bankave OTP dhe Alpha, që solli si rezultat mbylljen e një pjese të degëve të tyre. Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci.
Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet. Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.
Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ka rënë nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.
Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm është dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare. Sot pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit.
Megjithatë, nuk është e thënë që tkurrja e rrjetit të degëve të jetë e pakthyeshme. Këtë vit, disa prej bankave po ndërmarrin plane të reja të zgjerimit të rrjetit të tyre.
Dy bankat me numrin më të vogël të degëve, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe ProCredit Bank Albania po ndërmarrin një rritje të ndjeshme të numrit të tyre.
Në rastin e UBA, zgjerimi i rrjetit lidhet me ndryshimin e aksionerit kontrollues të bankës. Në fund të vitit të kaluar, grupi Eurosig finalizoi blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim.
Aksioneri i ri ka shfaqur ambicie për rritjen e biznesit dhe të pjesës së tregut të bankës. Pjesë e planit do të jetë edhe zgjerimi i rrjetit të degëve.
Një strategji të ngjashme po ndërmerr edhe ProCredit Bank Albania. Afërsisht një dekadë më parë, kjo bankë nisi një projekt masiv të dixhitalizimit dhe automatizimit të shërbimeve, duke mbyllur pjesën më të madhe të degëve të saj.
Nga 40 degë në vitin 2010, në vitin 2018 numri i degëve zbriti në vetëm pesë të tilla. Strategjia, me sa duket, rezultoi shumë e parakohshme.
Pjesa e tregut të bankës pësoi rënie të vazhdueshme dhe zbriti në 2.1% në vitin 2021, nga 4.6% që kishte qenë në vitin 2009.
Vendimi për të reduktuar në minimum rrjetin e degëve ishte një nga faktorët që ndikuan në trajektoren rënëse të bankës. Edhe për këtë arsye, ProCredit ka vendosur të zgjerojë sërish rrjetin e degëve.
Shqipëria mbetet një ndër vendet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë.
Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, për vitin 2021, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë.
Shqipëria ishte vendi i dytë me depërtimin më të ulët të njësive bankare në popullatë, pas Kosovës, që e kishte këtë tregues në nivelin 11.6 degë për 100 mijë banorë.
Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Bosnjë-Hercegovina me 29.8 degë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 26.4 degë për 100 mijë banorë, Mali i Zi, me 25.8 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut, me 22.4 degë për 100 mijë banorë.
Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh, në raport me popullsinë, më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2021 ishte në nivelin 21.1 degë për 100 mijë banorë.
Në rastin e BE-së, depërtimi i degëve bankare në dekadën e fundit ka pësuar rënie të ndjeshme. Në vitin 2010, ky tregues kishte qenë në nivelin 35.4.
Kjo lidhet pjesërisht me krizën financiare, por arsyeja kryesore është tendenca në rritje e dixhitalizimit të shërbimeve, që e ka ulur gradualisht nevojën për njësi bankare fizike.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zëvendësimi i shërbimeve bankare në rrjet me ato dixhitale është më i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit.
Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi.
Presioni nga pagat, shpenzimet e personelit në nivelin më të lartë historik
Shpenzimet e sektorit bankar për personelin u rritën sërish vitin e kaluar dhe kaluan për herë të parë pragun e 13 miliardë lekëve.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin u rritën me 6.3% krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve të sektorit, rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i punësimit, por edhe nga rritja e pagave.
Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, vitin e kaluar, sektori bankar kishte 6737 punonjës, në rritje me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Pas vitit 2020, punësimi në sektorin bankar i është kthyer sërish rritjes, duke rikuperuar gradualisht rënien që ndodhi në periudhën 2018-2019, kryesisht për shkak të procesit të konsolidimit të sektorit dhe uljes së numrit të bankave tregtare.
Procesi solli përkohësisht edhe rënie të shpenzimeve të personelit në periudhën e mësipërme. Por, në dy vitet e fundit, ky zë i shpenzimeve i është kthyer rritjes me ritme të përshpejtuara dhe ka arritur nivelin më të lartë historik.
Megjithatë, ekspertët besojnë se efektin më të lartë në rritjen e shpenzimeve për personelin e ka dhënë rritja e pagave. Vitin e kaluar, edhe sektori bankar nisi të përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm.
Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat. Trysnia u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, që vitin e kaluar preku nivelin më të lartë në 24 vitet e fundit.
Ndërkohë, shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se për tremujorin e katërt të vitit 2022, paga mesatare në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve regjistroi rritje me 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonominë shqiptare, presionet për rritjen e pagave po bëhen të dukshme edhe në këtë segment.
Shumë sektorë ekonomikë, në vitet e fundit, po përballen me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht, me rritje të kostos së punës.
Tendenca mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë, emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar, por edhe me zgjerimin e disa aktiviteteve ekonomike të outsourcing të shërbimeve nga kompanitë e huaja në Shqipëri.
Rritja e kostos së punës vlerësohet se po bëhet një element me ndikim gjithnjë e më të lartë në rritjen e çmimeve në disa sektorë të ekonomisë.
Por, rritja e çmimeve po sjell rënie të konsumit, ndaj ekspertët mendojnë se biznesi nuk do të jetë në gjendje të përcjellë edhe për një kohë të gjatë rritjen e kostove te konsumatorët.
Në këto kushte, vështirësia për të gjetur punonjës dhe trysnia për të rritur pagat e vë sektorin privat përballë domosdoshmërisë për të rritur produktivitetin e punës ose, në të kundërt, do të përballet me rreziqe të shtuara për të humbur konkurrueshmërinë.
Tjetër vit me rritje të shpejtë për kanalet dixhitale
Përdorimi i pagesave bankare në distancë u rrit për vitin e shtatëmbëdhjetë radhazi gjatë 2022. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 6.28 milionë.
Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.4%, ose me 1.15 milionë veprime më shumë. Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen kryesisht nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë.
Rritja e përdorimit të shërbimeve të banking-ut në distancë është edhe më e lartë në vlerë monetare. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022, volumi total i transaksioneve arriti në 1.56 trilionë lekë, në rritje me 29.7% krahasuar me një vit më parë.
Shërbimi i internet banking ofrohet nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po regjistron rritje të shpejtë.
Në fund të vitit 2022, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 878 mijë, në rritje vjetore me 24%.
Vlerësohet se 28.2% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 23.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2021.
90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Vitin e kaluar, individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 25% më shumë.
Për sa u përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 16%. Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore.
Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve, që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike, duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave.
E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jenë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.
Gjithashtu, ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” pritet të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale, duke nxitur më shumë konkurrencën mes institucioneve financiare të pagesave.
Që nga viti 2024 pritet të bëhet i zbatueshëm koncepti i bankingut të hapur. Kjo do të mundësojë që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare, edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht, nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë.
Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.
Edhe pagesat me kartë, në rritje të lartë
Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike, si në numër, ashtu edhe në vlerë transaksionesh.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2022, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 10.7 milionë, me rritje prej 35.5% krahasuar me një vit më parë.
Rritja ishte edhe më e lartë në vlerë transaksionesh, që vitin e kaluar arriti në 50.6 miliardë lekë, 45% më shumë krahasuar me vitin 2021.
Në vitin 2022, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 13.9% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 11.45% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Një faktor që po nxit rritjen e pagesave me kartë është zgjerimi bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit u ka dhënë shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave ma kartë, në fund të vitit të kaluar, arriti në 16.227, në rritje me 18.1% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.
Në disa vende të Bashkimit Europian, qeveritë kanë vendosur detyrimet që bizneset të pranojnë pagesa me kartë, pikërisht si një mënyrë për të luftuar evazionin fiskal. Një masë të tillë e vendosi vitin e kaluar Italia, ndërsa më herët e kishin ndërmarrë edhe Greqia apo Hungaria.
Kërkesa është artikuluar në vitet e fundit në Shqipëri nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Shoqata ka kërkuar që bizneset në vend të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.
Shoqata e Bankave ka nënvizuar se qeveria shqiptare nuk po bën përpjekje të mjaftueshme për të ulur përdorimin e parasë cash në ekonomi.
Pagesat me kartë e bëjnë më të vështirë fshehjen e të ardhurave, ndaj shumica e tregtarëve të vegjël nuk parapëlqejnë të pranojnë pagesa në këtë formë.
Një arsye tjetër mund të jenë edhe kostot e lidhura me pranimin e pagesave me kartë, por në këtë pikë, bankierët besojnë se rritja e përdorimit të POS-eve do të krijonte përfitime nga ekonomitë e shkallës, duke ulur kostot fikse për bankat dhe rrjedhimisht, edhe tarifat për bizneset që pranojnë pagesa me këto terminale.
Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022, numri i kartave bankare aktive arriti në 1.37 milionë, në rritje me 3.8% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.18 milionë, në rritje vjetore me 4.3%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën mbi 86% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Ndërkohë, produkti tjetër konsumator, ai i kartave të kreditit, as vitin e kaluar nuk iu rikthye dot ritmeve të rritjes së periudhës para pandemisë. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte 112 mijë karta krediti aktive, me rritje vjetore prej vetëm 0.2%.
Megjithatë, sot pagesa elektronike nuk është më ekskluzivisht e lidhur me instrumentin klasik të kartës së pagesës, por teknologjia mundëson që funksionin e kartës ta kryejë telefoni celular apo pajisje të tjera që mbahen në trup.
Teknologjia gjithashtu mundëson që finalizimi i transaksionit dhe kalimi i fondeve nga llogaria e blerësit në atë të shitësit të bëhet pothuajse në kohë reale.
Pagesat e shpejta përfaqësojnë evolucionin e pagesave në pikën e shitjes drejt konceptit nga llogaria në llogari, duke shmangur kartën e pagesës si instrument dhe infrastrukturën e ndërmjetësimit të lidhur me të.
Një nga projektet më të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sektorin e pagesave është ai pagesave të shpejta, apo të çastit (instant payments).
Banka e Shqipërisë po e vlerëson me përparësi këtë projekt për disa arsye.
Ngritja e një sistemi të pagesave të shpejta përmirëson efikasitetin e sistemit financiar duke zhbllokuar fondet, zvogëlon rrezikun sistemik, duke siguruar akses të menjëhershëm të fondeve, si dhe ndihmon në formalizimin e ekonomisë, i përgjigjet kërkesës së përdoruesit fundor, duke qenë e disponueshme në çdo kohë, zvogëlon pasigurinë dhe rrit disponueshmërinë e kapitalit qarkullues, zvogëlon koston krahasuar me sistemet e pagesave në formë letër, ndihmon në nxitjen e përfshirjes financiare, si dhe zvogëlon varësinë nga paraja e gatshme për transaksionet me vlerë të ulët, si dhe ndihmon inovacionin.
Vlerësohet se pagesat e shpejta kanë disa avantazhe në raport me opsionet ekzistuese të produkteve dhe shërbimeve të pagesave elektronike.
Për shembull, shërbimi internet banking është mjaft i dobishëm për kryerjen e transfertave, ose shlyerjen e faturave, por ai nuk mund të përdoret në tregtinë elektronike, ose për blerje në dyqan.
Gjithashtu, nëpërmjet internet banking nuk mund të kryhen pagesa ndërbankare përtej orareve të punës së sistemeve të pagesave të Bankës së Shqipërisë.
Instrumenti i dytë i pagesave elektronike janë kartat e pagesave. Ato mundësojnë kryerjen e pagesave në të gjitha pikat e shitjes që disponojnë një terminal POS, por megjithatë kanë kufizimet e tyre.
Pagesat me kartë kanë shumë aktorë të përfshirë në procesim, gjë që imponon kosto dhe kohë. Nga ana tjetër, transaksionet me kartë kanë disa kufizime në vlerë dhe me to nuk mund të paguhen shuma të mëdha parash.
Në teori, pagesat e shpejta mundësojnë zgjidhjen e problemeve të mësipërme, duke iu dhënë shitësve dhe blerësve akses në pagesa pa kufizime në kohë, vlerë dhe me kosto më të ulëta krahasuar me kartat.
Pagesat, kuadri rregullator në transformim
Në vitet e fundit, kuadri rregullator për shërbimet e pagesave po pëson transformim me efekte të rëndësishme edhe në konkurrencën për këto shërbime.
Në janar 2021, hyri në fuqi ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”. Ligji reflekton parimet kryesore të Direktivës së Dytë të Bashkimit Europian për pagesat (PSD 2) dhe synon të sjellë më shumë konkurrencë në këtë treg, duke krijuar hapësira për institucionet financiare të pagesave.
Një nga risitë kryesore të ligjit të ri është koncepti i banking-ut të hapur, që do t’iu mundësojë përdoruesve të përdorin llogarinë bankare për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare.
Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me miratimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave.
Mbështetur në konceptin e mësipërm, do të krijohen dy shërbime të reja, ai i informacionit mbi llogaritë dhe shërbimi i inicimit të pagesave. Ligji i jepte Bankës së Shqipërisë afat njëvjeçar për të përgatitur kuadrin e nevojshëm nënligjor, për ta bërë ligjin plotësisht të zbatueshëm.
Ky objektiv nuk është arritur dhe rregulloret e nevojshme ende nuk janë miratuar, ose nuk kanë hyrë në fuqi të gjitha.
Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që koncepti i open banking të bëhet operacional vitin e ardhshëm. Ky transformim pritet të sjellë konkurrencë në rritje brenda tregut financiar, sidomos në shërbimet e pagesave.
Ndërsa tregu bankar në vitet e fundit po kalon një proces të dukshëm konsolidimi, me uljen e numrit të bankave nga 16 në 11, tregu i fintechs duket në një fazë mjaft dinamike dhe po tërheq investitorë të rinj.
Brenda dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka licencuar tetë institucione financiare jobanka, që kanë si objekt të aktivitetit të tyre shërbimet e pagesave dhe të mikrokredisë.
Ky interes bazohet në potencialet e mëdha ende të pashfrytëzuara që ka tregu shqiptar në drejtim të përfshirjes financiare dhe paralelisht në zgjerimin e aksesit të publikut në teknologjitë e reja të
informacionit dhe komunikimit.
Prej disa vitesh ka marrë zhvillim të shpejtë tregu i mikrofinancës konsumatore, që shfrytëzon teknologjinë për të ofruar shërbim shumë të shpejtë dhe me procedura minimale, por natyrisht me një rrezik dhe çmim më të lartë të kredisë. Interesi i lartë i kompanive të reja për shërbime financiare të kreditimit dhe të pagesave është sinjal që tregon se, edhe Shqipëria, mund të jetë drejt një epoke të zhvillimit të institucioneve fintech, tendencë që në vendet më të zhvilluara është e prekshme prej vitesh. /MONITOR