Trupi gjykues në çështjen për vrasjen e Liridona Ademajt ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Naim Murselit për t’iu nënshtruar një ekzaminimi psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës brenda dy javësh.
Seancat e ardhshme janë caktuar për datat 2 dhe 3 korrik, si dhe më 14 korrik, që do të nisë në orën 09:00. Në seancën e 2 korrikut, parashikohet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj.
Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, deklaroi se pala që përfaqëson qëndron tërësisht pas aktakuzës së ngritur ndaj të pandehurve për vrasje. Ai vlerësoi qëndrimin e të pandehurit të katërt, Tom Dodaj, i cili që në shqyrtimin fillestar kishte pranuar fajësinë.
“Pse Liridona Ademaj u privua nga jeta në mënyrë aq dinake? Besoj se para kësaj gjykate do t’i jepet përgjigje pyetje babait të Liridonës pse Naim ti munde të dalësh me fëmijët nga vetura e Liridona mbeti brenda? Pse babai e la hajnin me ia bë nënës ‘bam’? Para kësaj gjykate besoj se do të qartësohet edhe fakti se çka patë nevojë Naim Murseli ta takojë Kushtrim Kokallën ditën e vrasjes në Gjakovë. Pse pas atij takimi që nga i akuzuari Kushtrim Kokalla gjatë deklaratës së dhënë nga ai ka thënë se është deklarim shumë i shkurt e që sipas tij ka refuzuar të bashkëpunojë me Naimin për eliminim fizik të Liridonës. Naimi komunikon me Granitin duke u thënë se atë të kallëzoj se kjo punë duhet kryer”, tha Syla.
Ai shtoi se Naim Murseli kishte darkuar në të njëjtin restorant me autorin e vrasjes së bashkëshortes së tij dhe se ishte në dijeni për prezencën e tij atë ditë.
“Kjo ngjarje është edhe më shokuese kur do të vërtetohet se Naim Murseli kontribuoi në eliminimin e Liridonës”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, avokatja mbrojtëse e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, theksoi se prokuroria nuk ka paraqitur prova të qëndrueshme për akuzat e ngritura.
“Prokuroria në këtë rast nuk ka paraqitur prova apo argument të qëndrueshme për motivin që mund ta ketë shtyrë të pandehurin drejt një akti të tillë. Në mungesë të një motivi të qartë, pretendimi për veprën penale të rëndë mbetet pa mbështetje dhe i paqëndrueshëm juridikisht”, deklaroi ajo.
Syla shtoi gjithashtu se Naim Murseli duhet t’u japë përgjigje edhe fëmijëve të tij.
“Besoj që në këtë seancë duhet të jepet përgjigja ndaj pyetjes së fëmijëve: Pse babi e la hajnin me ia bo mamit bam?”, u shpreh ai.
Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023 në Bërnicë të Prishtinës, është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se, nëse provohet fajësia e tij, vetë do të kërkojë dënimin me burgim të përjetshëm.
Të akuzuarit e tjerë, Granit Plava zgjodhi të mbrohet në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla mohoi fajësinë.