Ditën e nesërme nis lehtësimi i masave në zonat ku paraqitet një rrezik me i ulët nga koronavirusi, si edhe do hapen një sërë biznesesh, teksa qeveria ka vendosur rregulla të forta ndaj të gjitha subjekteve, duke miratuar protokollet e sigurisë higjieno-sanitare.
Protokollet janë publikuar në portalin e-Albania në tre ngjyra e kuqja me rrezikshmëri të lartë, e verdhë me me pak risk dhe jeshile mund të konsiderohet pa asnjë rrezik, me përjashtim të zbatimit të rregullave të përgjithshme.
Në rastin e protokollit me ngjyrë të kuqe, ose risk të lartë administratori, apo personi fizik tregtar kryen çdo ditë vlerësimin për prezencën e simptomave të Covid-19 në personat e punësuar dhe në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127.
Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të karantinohet në një ambient të veçuar të objektit derisa të merren masat përkatëse nga shërbimet shëndetësore.
Por, ka edhe një kusht, nëse simptomat e vërejtura janë të rënda, pronari aktivizon protokollin e karantinimit të punonjësit, si dhe merr masa për evakuimin e gjithë personelit jashtë objektit.
Personat e punësuar kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të Covid-19 sipas listës së miratuar, pra të shenjave të sëmundjes që tashmë njihen.
Sipas rregullimit, asnjë person me temperaturë 37.5 nuk duhet të lejohet të hyjë në subjekt dhe se çdo punonjës duhet të deklarojë tek pronari, nëse ka patur apo jo kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.
Gjithashtu kërkohet që subjekti lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore dhe se vajtje-ardhja në punë me këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra dhe jo duke krijuar grupime, ndërsa në rast të lëvizjes me automjet duhet mbajtur detyrimisht maska dhe dorezat dhe të shmanget prekja e sipërfaqeve.
Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: doreza mbrojtëse, maska dhe higjenizues duarsh me mbi 60% alkool. Dezinfektimi i duarve kryhet menjëherë pas ardhjes në punë si dhe para dhe pas çdo klienti që shërbehet.
Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse.
Në ambientet me hapësirë mbi 40 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti duke riorganizuar vendosjen për ruajtjen e distancës midis klientëve.
Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i radhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.
Subjektet të marrin masat përkatëse për ndërhyrje në sistemet e ventilimit ku të kalohet në modalitetin e ajrit natyral apo përmes shtimit të dritareve.
Në momentin e ajrosjes subjekti nuk ofron shërbim për asnjë klient dhe për këtë subjekti organizon prenotimet për të respektuar detyrimin e mësipërm.
Në faqen e-Albania, janë përcaktuar të gjitha ngjyrat e kodeve të sigurisë, duke bërë që çdo biznes i lejuar me vendim qeverie, apo akt normativ të ushtrojë të drejtën duhet të njihet edhe me protokollin e sigurisë.
Lexo më shumë: Masat dhe protokolli që duhet të zbatojë biznesi