Sot, më 23 korrik 2025, në orën 18:00 në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të mbahet një protestë në mbështetje të Palestinës, ku pritet të marrë pjesë edhe aktivistja e njohur suedeze Greta Thunberg.
Në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Thunberg konfirmoi praninë e saj në tubim, duke theksuar gjendjen alarmante humanitare në Gaza.
Sipas saj, Gaza tashmë ndodhet në fazën e pestë të kequshqyerjes, ndërsa populli palestinez, i rraskapitur, po i drejtohet botës për ndihmë.
“Ata po përdorin fuqinë e fundit që u ka mbetur për të bërë thirrje ndaj botës që të zgjohet dhe të zgjedhë anën e drejtë,” shprehet Thunberg në mesazhin e saj.
Protesta në Tiranë, sipas saj, ka për qëllim të kërkojë një fund të pushtimit të paligjshëm, aparteidit dhe gjenocidit të ushtruar nga Izraeli ndaj palestinezëve.
“Shpresoj të të shoh në protestë,” përfundon Thunberg, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen kauzës.
Kujtojmë se në fillim të qershorit 2025, Greta Thunberg u ndalua nga forcat izraelite ndërsa ndodhej në një anije humanitare që po tentonte të dërgonte ndihma në Rripin e Gazës.
Anija ishte nisur nga Italia më 1 qershor dhe mbante 12 aktivistë, përfshirë Thunberg. Ajo u shpall person “non grata” nga Izraeli dhe u riatdhesua menjëherë pas ndalimit. Qëllimi i këtij misioni ishte të rritej ndërgjegjësimi ndërkombëtar mbi krizën humanitare dhe urinë masive që po përjetojnë palestinezët.