Një ditë më parë ai u akuzua nga kryeministri Rama si promotor, nxitës dhe madje edhe pagues i të rinjve dhe të miturve për të marrë pjesë në protesta të dhunshme.
Por sot President i Republikës, Ilir Meta, me qetësi dhe pa dashuri i ka kthyer përgjigje jo kryeministrit por të rinjve që po protestojnë prej tre ditësh nëpër rrugët e qyteteve të vendit kundër represionit policor.
Gjatë fjalës së tij nga aktiviteti “Të rinjtë në aktualitetin politik”, Presidenti Meta, deklaroi se ka qenë pjesë e lëvizjes studentore që solli pluralizmin në vendin tonë. Kreu i shtetit pohoi se, vendi ka nevojë që të bëjë ndryshim të madh dhe të fortë.
Nuk dihet se si do të merret pikërisht kjo thirrje e tij, por në një kohë që maxhoranca socialiste e ka konsideruar si njërin prej “nxitësve të dhunës” Kreun e Shtetit, së bashku me ish-kryeministrin Berisha, janë të tjetër aktor nga shoqëria civile që thonë se Meta mund të sabotojë revoltën spontane të të rinjve që ka nisur e paorganizuar, në favor të kryeministrit Rama.
Por Meta, duket se ka qenë i qartë kur ka kërkuar ndryshimin që të vijë nga të rinjtë. Ai theksoi se, do të jetë gjithmonë luftarak se dhe gjithë jetën e tij i ka përkrahur të rinjtë për t’u afirmuar dhe fuqizuar.
Deklarata
“E theksoj sot se mendoj që vendi ka nevojë për ndryshim të madh e të fortë. Ky duhet të vijë nga të rinjtë se pas 30 vitesh shohim që ky sistem që kemi ndërtuar apo deformuar ne, të gjithë bashkë shtyp ëndrrat e të rinjve, është bërë pengesë për të ardhmen e të rinjve në vend. Nuk është paranojë e imja, por realitet me fakte konkrete.
Nuk kemi të bëjmë me një emigrim normal për një eksperiencë apo mundësi më të mirë por është termi më i gjetur shpopullim dhe term që duhet adresuar me politika konkrete jo thjesht retorikë.
Jemi në një situatë të tillë kur e vetmja zgjidhje që të rinjtë shohin si emergjencë ekonomike familjare e personale, është largimi nga vendi pa dëshirën e tyre”,- tha Meta në aktivitetin e organizuar nga “Këshilli Rinor i Ballkanit”.
Mes të tjerash ai i bëri thirrje partive politike që të kenë mes tyre të rinj dhe që ata të bëhen pjesë e listave të kandidatëve për deputetë.
Pishmani i Metës
Gjatë takimit Presidenti Meta, u pyet se, nëse ishte bërë pishman që ka pranuar postin e Presidentit. Meta u shpreh që nuk është penduar aspak pasi është energjik dhe ka një natyrë luftarake.
Pyetje: A jeni bëri pishman për marrjen e kësaj detyre të Presidentit të Republikës? A do të ishte më i mirë kontributi juaj në ekzekutiv apo në krye të LSI?
Meta: Së pari të jeni të sigurt që unë jam natyrë energjike dhe luftarake, edhe rinore. Aq sa kur erdhi 8 dhjetori nuk po më besohej që 30 vjet më parë unë kisha qenë më i ri seç është djali im sot. Pata si ditë reflektimi, u binda që nëse do kishim pritur nga prindërit tanë për një ndryshim regjimi, ky ndryshim kurrë nuk do të kishte ndodhur. Kishin një mijë halle. Ndërsa të rinjtë, shpirti i guximit i hedh tutje këto frikëra dhe dilema.Tani të ndalem te pyetja. Unë nuk është se këtë detyrë nuk kam pranuar i pandërgjegjshëm. Absolutisht nuk jam i penduar. Përpiqem ta bëj me përgjegjshmëri maksimale. Kuptohet me një situatë me parlament njëpartiak, gjykatë kushtetuese, që e kanë bërë jo funksional shtetin e së drejtës, dhe ka shtuar këto probleme që ne po flasim sot për të rinjtë. Ju jap fjalën që do vazhdoj të mbetem gjithmonë i ri, do mbetem luftarak për të luftuar për çështje të drejta dhe që i krijojnë një perspektivë më të mirë të rinjve. Nuk jam penduar asnjëherë, duhet t’i trefishojmë përpjekjet në këtë drejtim.
/GazetaReforma.com/