Ashtu sikurse ishte paralakmëruar nga ish-Kryeministri Sali Berisha sot do të mbahet protestav para selisë së Partisë Demokratike kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Protesta është parashikuar që të nisë sot në orën 12:00.
Ndërkohë Berisha i ka bërë thirrje demokratëve që të mblidhen para selisë blu me premtimin se do të futen brenda për të zbatuar sipas tyre vendimin e delegatëve të Kuvendit të 11 dhjetorit dhe më pas të referendumit të 18 dhjetorit ku u votua shkarkimi i Bashës. Dje në një deklaratë për mediat Berisha u shpreh i bindur se dyertë e PD-së do të jetë të hapura padyshim. Aktualisht në selinë e PD-së po bëhen punime për krijimin e disa ambienteve të reja, veprime që nga Grupi i Rithemelimit të PD-së është marrë si ‘bunkerizim’ i selisë.
Duket se kjo e shtunë do të jetë një ditë normale pune për Kryetarin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka thirrur një mbledhje të Kolegjit të Kryetarëve të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë. Kjo do të jetë edhe mënyra që mesa duket ka zgjedhur ta presë protestën e thirrur nga Sali Berisha.
Sipas njoftimit të bërë nga Sekretari i Përgjithshëm, pritet që më pas, brenda po të njëjtës ditë, të mblidhet edhe Kryesia e Partisë.
Kjo mbledhje e Kolegjit të Kryetarëve bëhet në vijim të vendimit të Kuvendit Kombëtar të datës 18 Dhjetor, ku u miratua Programi Organizativ i PD. Sipas këtij programi rezulton se brenda datës 15 Shkurt 2022 do duhet të përfundojnë zgjedhjet në nivel seksioni dhe grupseksioni, ndërsa brenda datës 15 mars 2022 do duhet të përfundojnë zgjedhjet në organet drejtuese të degës ku është krijuar vakancë dhe konstituimi i Kryesisë së Degëve pas procesit të organizimit.