Ndodhemi para situatës që prokurorja Antoneta Sevdari, e cila duhet thënë se është cilësuar si një nga profesionistët më të zonja, është shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit,i cili vendosi që kjo e fundit nuk justifikonte dot pasurinë e të shoqit dhe për këtë arsye duhet të humbiste vendin e punës.
Vendimin e dhënë në 28 shkurt, Sevdari nuk e ka komentuar, ndryshe nga shumë kolegë dhe profesionistë të tjerë që e kanë vlerësuar atë si një prokurore me moral dhe integritet të lartë dhe kanë folur rreth asaj që i ka ndodhur.
Por sot e gjendur para faktit, ashtu si tha xhaxhi i saj, pedagogu Sadik Bejko, ajo tashmë “është pa punë, pa profesion, e turpëruar, pa nder”, ka vendosur që ta çojë zërin duke i drejtuar një letër zyrtare të hapur përfaqësuesve më të lartë të shtetit e njëkohësisht edhe ndërkombëtarëve, duke filluar nga Ambasadorja në detyrë e SHBA në Shqipëri, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Anëtarëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit nr. 115/2016, “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”, Presidentit, Kryeministrit, Prokurores së Përgjithshme, Ministres së Drejtësisë si dhe qytetarëve të vendit.
Në letër ajo ka shprehur indinjatën e dhe shqetësimin, por dhe arsyet e forta që dyshon tek procesi i Vetting-ut.
Sevdari paralajmëron se nuk do të heqë dorë dhe se do vazhdojë protestën e saj ndaj këtij vendimi.
“Unë isha, jam dhe do të mbetem një prokurore krenare. Beteja ime nuk përfundon këtu. Unë jam betuar solemnisht t’ju shërbej dhe do ta bëj këtë, edhe më e fuqishme, edhe më e guximshme!”, thuhet ndër të tjera në letrën e hapur.
Mirëpo janë shumë koleg të cilët i kanë dalë në krahë, ku njëra prej tyre, e cila nuk është identifikuar pasi ashtu siç edhe e shkruan “çekani” i qëndron tek koka, ka thënë se me shkarkimin e Antonetës drejtësia tregon se ka dështuar dhe për më tepër ka pasur edhe shumë koleg që kanë menduar dorëheqjen në momentin që u bë publik lajmi se Vetting-u e kishte rrëzuar.
“Vendimi i KPA-së ishte shokues për të gjithë Ne. Disa menduan dorëheqjen, e të tjerë u dekurajuan. Sepse një zonjë e ligjit, që e deshi dhe respektoi atë, që luftoi për drejtësi, nuk mund të hidhet në rrugë. Jam e bindur që Ti do dish të ringrihesh, sepse brenda vetes ke forcë, energji, dinjitet, ke njerëz që të mbështesin për atë çfarë je, por tani barra e rëndë bie mbi Ne”, ka shkruar ajo
Një tjetër personazh, gazetari Arsen Rusta në një postim në rrjetin e tij social, Facebook thotë se, kalimin e Vetting-ut, pjesës së parë, prokurorja e ka festuar në një Pizzeri 700 lekëshe dhe nëse do ishte aq e pasur e aq e kamur, do ia lejonte vetës një darkë të mirë, ashtu siç jemi mësuar rëndom të shohim gjyqtar e prokuror në restorante fine dhe të shtrenjtë, por ky nuk ka qenë rasti.
Gazetari Flamur Vezaj gjithashtu e ka cilësuar këtë akt si “Turp të kolegjit” dhe kjo me të drejtë, pasi të kalojnë Vetting-un, figura të tilla si: A.Malaj, S.Çomo, I.Rama, A.Dvorani, Xh. Zagonjori etj., të cilët nuk munden dot asnjëherë të justifikojnë pasurinë e tyre, do gjejnë rrugën më të shpejtë dhe do të largojnë Sevdarin, e cila nuk ka mbështetjen e atyre që janë përmendur më lartë.
Nuk iu intereson Sevdari, pasi ka marrë përsipër shumë dosje që prokurorët e tjerë nuk i kanë prekur me dorë, pikërisht se e dinin se “mund t’ju fluturonte koka”.
Një prej këtyre dosjeve, ndoshta më e njohura, ka qenë Afera CEZ-DIA çështje tek e cila ka mbajtur rolin e prokurores dhe ka kërkuar sekuestro 4.5 milionë USD dhe 15 vite burg për Kastriot Ismailajn.
Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës në atë kohë ishte:
“Prokuroria e Tiranës, në përfundim të gjykimit në ngarkim të të pandehurit Kastriot Ismailaj kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Kastriot Ismailaj për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit penal (të ndryshuar me ligjin nr.36 të vitit 2017) dhe dënimin e tij me 10 vjet burgim. Po ashtu, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Kastriot Ismailaj për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 28/2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim. Nё bashkim tё dënimeve, prokuroria kërkoi që i pandehuri Kastriot Ismailaj tё dёnohet me 15 vite burgim ndërsa shuma 3,215,176 USD dhe 451.132 euro të sekuestruara pranë bankës Credit Agricole, si dhe shuma 938.868 USD, 1028 Euro si dhe 12.360.000 lekë, pranë Bankës Venetto, nё llogaritё e shoqёrisё “Adriatic Development Corporation Ltd” me NIPT K71319002B tё konfiskohen dhe tё kalojnё nё favor tё shtetit.”
Ky vendi ynë i vogël ka shumë hallka të cilat duhet të rregullohen dhe ne si qytetarë të thjeshtë së pari, duhet të kuptojnë se jo të gjithë gjyqtarët, prokurorët, mjekët, mësuesit etj., janë të njëjtë dhe nuk e bëjnë punën e tyre. Përkundrazi ka shumë persona që janë profesionistë dhe janë aty sepse kanë punuar, janë papjekur, kanë studiuar e janë përgatitur për të mbajtur atë post që mbajnë dhe figura e tyre nuk mund të shuhet nga disa të tjerë të papërgjegjshëm. Një ndër këto figura, të pastra, me integritet, strikte dhe me moral është edhe Antoneta Sevdari, e cila sot po lufton për një të drejtë legjitime dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë se me këtë veprim të bërë ndaj prokurores, KPA-ja dhe procesi i Vetting-ut në përgjithësi ashtu siç thotë Elton Qyno, “… bie erë Merda”.