Prokuroria e Tiranës ka njoftuar publikisht se ka nisur verifikimin e fakteve të bëra publike nga gazetari Artan Hoxha lidhur me ngjarjen e “21 janait” të vitit 2011, ku mbetën të vrarë në protestën e opozitës 4 demonstrues.
“Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, kanë kryer edhe veprimet hetimore të deleguara prej prokurorit në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit Artan Hoxha, fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në televizionin “Top News”, shkruan Prokuroria në njoftimin e saj.
Artan Hoxha është shprehur se ai dhe famijarët e njërit nga viktimave të kësaj ngjarjeje, Aleks Nika disponojnë materiale audio.
Bëhet me dije se të gjitha këto prova do të dëgjohen para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, kur të thirren dëshmitarë për ngjarjen e 21 janarit.
Njoftimi i plotë:
Duke marr shkas nga interesimi i mediave të ndryshme, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285 I vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Në datën 18.04.2012, është vendosur ndarja nga procedimi penal dhe dërgimi për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i çështjes së numërtuar 285/21, të viti 2012, i materialeve për të pandehurit Ndrea Prendi akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79 gërma “ë” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe të pandehurit Agim Llupo, akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer kundër dy ose
më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode. Për gjykim në këtë procedim janë dërguar edhe materialet në ngarkim të të pandehurit Margarit Kume, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore u kryen të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk u bë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosur shtetasit Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës 28.02.2020, prej Prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda.
Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, kanë kryer edhe veprimet hetimore të deleguara prej prokurorit në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit Artan Hoxha, fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në televizionin “Top Channel”.
Me qëllim disponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore është pyetur shtetasi Artan Hoxha, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas shtetasit Artan Hoxha, disponojnë materialen audio. Por në deklarimet e dhëna prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.
Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.