Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka prezantuar këtë të premte kreun e ri të AMP-së, pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Florjan Sulejmani do të jetë tashmë kreu i Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Balla në fjalën e tij i ka dhënë edhe porositë kreut të ri të AMP-së, ku ndër të tjera vuri theksin se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit të tij.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të fitojë në terren me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, abuzivizmit, bashkëjetesës me krimin – besimin e publikut dhe partnerëve tanë, kjo edhe falë bashkëveprimit në rritje me agjencitë e tjera ligjzbatuese, në mënyrë të veçante me SHISH dhe SPAK”, tha Balla.
“Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai I kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur”, theksoi ministri.
Fjala e ministrit Balla:
Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm.
Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.
Nuk dua ta harroni për asnjë moment se roli i AMP është jetik. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.
Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai I kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur.
Kur një vajzë, një grua, një nënë denoncon një rast dhune, dhunë seksuale, dhunë me bazë gjinore, veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, sipas një protokolli të detajuar mirë. Ju takon ju të verifikoni çdo rast, derisa të mos guxojë më askush brenda policisë të mbajë anën e dhunuesve duke mos regjistruar kallëzimin dhe duke mos marrë menjëherë në mbrojtje viktimën.
Po ashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të marrë rolin e vet sa i takon Paketës së Sigurisë në shkolla, kopshte, çerdhe. Shkoni dhe verifikoni a e ka bërë Policia e Shtetit detyrën e vet.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të fitojë në terren – me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, abuzivizmit, bashkëjetesës me krimin – besimin e publikut dhe partnerëve tanë, kjo edhe falë bashkëveprimit në rritje me agjencitë e tjera ligjzbatuese, në mënyrë të veçante me SHISH dhe SPAK.
Komunikimet në aplikacionet e koduara që implikojnë oficerë të Policisë së Shtetit janë dëshmi e qartë e nevojës për një punë intensive e pa kompromis të AMP-së, për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë brenda radhëve të Policisë së Shtetit, dhe për t’i dhënë dinjitetin dhe respektin e merituar në shoqëri kësaj organizate, që ka në gjirin e saj qindra e mijëra të rinj e të reja që punojnë me dedikim, pasion e profesionalizëm krah qytetarëve.
Sa i përket fenomenit të aplikacioneve të koduara, kam kërkuar që verifikimi i përdorimit të këtyre aplikacioneve nga punonjësit e policisë të jetë pjesë e formularit të vetë-deklarimit të kryer nga çdo punonjës e që, në rast deklarimi të rremë, do të pas-sjellë përjashtimin përfundimtar të tij nga radhët e policisë.
Vettingu i drejtuesve të Policisë është po ashtu një proces i rëndësishëm që duhet të ecë me ritme të shpejta, në përmbushje të pritshmërive të publikut për institucione me integritet të lartë në shërbim të qytetarëve.
Procesi i vettingut duhet të jetë një tregues i pastrimit të Policisë, proces i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, por mos e harroni asnjëherë është një kusht i madh që AMP duhet të përmbushë për seriozitetin, paanshmërinë në drejtim të kryerjes të këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Kush nuk tërhiqet nga procesi i vettingut, nuk ka më vend në asnjë karrige në Policinë e Shtetit.
Duke kaluar te prezantimi i Drejtorit të ri, jam i kënaqur që për herë të parë, e pavarësisht se kjo procedurë nuk ishte e parashikuar në ligj, ne hapëm një procedurë konkurrimi publike për përzgjedhjen e
kandidatit më të mirë.
Falënderoj partnerët tanë – ICITAP dhe EU4LEA – për mbështetjen gjatë gjithë këtij procesi përzgjedhjeje dhe gjithashtu edhe të gjithë kandidatët për besimin që i dhanë procesit. Niveli i kandidatëve që aplikuan ishte i lartë dhe me ata që u përzgjodhën në listën e 5 të parëve do të kem mundësinë dhe kënaqësinë t’i ftoj në takim për të vlerësuar forma bashkëpunimi me Ministrinë dhe AMP-në.
- Sulejmani ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare. Ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si kusht i domosdoshëm për këtë pozicion drejtues dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.