Ditën e sotme grupi Parlamentar Demokrat ka vendosur që të shkarkojë Rudina Hajdarin si kryetare dhe të emërojë në vend të saj Myslym Murrizin.
Pas shkarkimit, Hajdari ka mbajtur fjalën në foltoren e Kuvendit ku ka goditur dy partitë politike kryesore në vendin tonë, duke u shprehur se Parlamenti shqiptar i ngjan një lavatriçeje pastrimi parash dhe se pas çdo politikani fshihet një biznesmen.
Ajo ka thënë se quhet Rudina Azem Hajdari dhe se kurrë nuk do të bëhet pjesë e pazareve të politikës në vendin tonë.
Së fundmi, gazetarja e ABC News Esjona Konomi ka zbardhur “prapaskenat e Rudina Hajdarit”, në lidhje me tryezën për reformën zgjedhore në të cilën Hajdari është pjesë por jo vetëm.
Lidhur me shkarkimin e Rudina Hajdarit, Konomi u shpreh se e sheh si një lëvizje politike nga Murrizi për të maksimalizuar atë çfarë do të vijë më pas.
Ajo listoi dy pakënaqësitë ndaj Hajdarit, që mund të kenë çuar në shkarkimin e saj:
- Pakënaqësitë e para kanë lindur pikërisht se Rudina Hajdari në çdo udhëtim jashtë vendit, shkonte vetë.
- Pakënaqësitë e dyta lidhen me të tashmen dhe pikërisht me Reformën Zgjedhore dhe me faktin se Rudina Hajdari duke qenë se është kryetare e grupit parlamentar opozitar më të madh, ka synim të ndryshojë sistemin zgjedhor për të cilën dy partitë e mëdha nuk janë të interesuara për ta bërë këtë gjë.
“Është edhe pushtet në zonën e caktuar, eksperienca e tij është shumë më e madhe në angazhimin politik krahasuar me Znj. Hajdari. Kujtojmë që Z. Murrizi është edhe nën/ kryetar Kuvendi dhe kjo nënkutpon që lëvizja e tij nuk është për një post më shumë. Mendoj se është një lëvizje politike për të maksimalizuar atë që do të vijë më pas. Nëse do ti bënim një analizë zhvillimeve në grupin parlamentar demokrat ato ndahen në 3 kohë. Së pari Rudina Hajdari u pompua dhe menjëherë iu dha një protagonizëm i lartë për faktin se ishte e bija e Azem Hajdarit, të cilës iu besua edhe roli i kryetares së grupit parlamentar. Duke qenë kryetarja e grupit parlamentar, u bë kryetarja e Komisionit të Integrimit të cilën e vendosi në pozicion shumë të mirë me ndërkombëtarët. Për shkak se Rudina Hajdari sapo mori kryesimin e grupit parlamentar demokrat mori edhe disa favore të tjera parlamentare, që për disa deputetë të futur rishtaz në Kuvend shihen si luks dhe kënaqësi. ”, tha Konomi.
Gazetarja u shpreh se mazhorancës, duke qenë se ka qenë në pozita komode me Hajdarin në krye të grupit opozitar, nuk do i pëlqej ky ndryshim dhe kjo sipas saj kuptohet edhe nga fakti se kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci prej dy ditësh e ka në tryezën e tij këtë shkresë, dhe ende nuk është shprehur se si do vijohet më tej.
“Gramor Ruci ka dy ditë që e ka proces-verbalin e grupit parlamentar demokrat dhe nuk është shprehur në lidhje me këtë. Mazhoranca ka qenë në një pozitë më të mirë me Rudina Hajdarin në krye dhe kanë komunikuar në mënyrë më komode me të ndërsa z. Murrizi ka një eksperiencë më të madhe politike, është më këmbëngulës dhe ka një pushtet elektoral më të madh dhe një mbështetje financiare më të madhe. Nëse sistemi ndryshon apo listat hapen, një nga njerëzit më të fuqishëm për të fituar një mandat është z. Murrizi”.