Guardia di Finanza në Pescara ka vënë në pranga ditën e sotme një shqiptar. Sipas mediave italiane, më konkretisht “Abruzzo Live”, gjatë një kontrolli rutinë në një makinë “Ford Focus” të drejtuar nga një 46-vjeçar shqiptar pranë një karburanti, u zbulua një sasi droge. Shqiptarin e tradhëtoi gjendja e tij nervoze ndaj pyetjeve dhe kontrollit të ushtruar nga policia.
Me ndihmën e një qeni të stërvitur, i cili ndërhyri në vend dhe raportoi me këmbëngulje praninë e substancës narkotike nën kabinën e panelit të përparmë në ana e pasagjerit, u bë i mundur zbulimi.
Brenda panelit, i çmontuar menjëherë nga patrulla operative, u gjet një mbështjellës celofani me vakum, i mbuluar me një tullumbace gome, që përmbante rreth gjysmë kilogram kokainë. Një paketim artistik, i bërë posaçërisht për t’i shpëtuar nuhatjes së qenve të drogës, por që nuk rezultoi efektiv.
Korrieri shqiptar, pa precedentë penalë në trafikun e drogës, iu nënshtrua një kontrolli personal dhe u dërgua në kazermë për hetime të mëtejshme të çështjes. Policia e Pescarës sekuestroi automjetin e përdorur për transportin, si dhe rreth gjysmë kilogram kokainë. Shqiptari u arrestua për krimin e trafikut dhe tregtimit të drogës, të parashikuar dhe dënuar nga ligji italian me disa vite burg.