Një aksident ajror ndodhi këtë të premte pranë qytetit turistik Hua Hin në Tajlandë, ku një avion i vogël i policisë u rrëzua në det, duke marrë jetën e gjashtë personave.
Avioni i përkiste departamentit të aviacionit të policisë dhe kishte nisur një fluturim testues për stërvitje me parashutë.
Sipas agjencisë Xinhua, pak pas ngritjes, ai pësoi një defekt të menjëhershëm në motor, çka çoi në rrëzimin fatal.
Sipas raportimeve të “The Nation Thailand”, pesë anëtarë të ekuipazhit humbën jetën në vendngjarje, ndërsa i gjashti, i plagosur rëndë, u transportua në spitalin e Hua Hin, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve.
Në bord ndodheshin gjashtë oficerë, përfshirë pilotë, inxhinierë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit teknik.
Hetimet paraprake sugjerojnë se defekti në motor ishte shkaku kryesor i aksidentit. Ndërkohë, autoritetet vendase dhe Forcat Ajrore të Tajlandës po vijojnë punën për të përcaktuar saktësisht rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit.