Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO një pjesë të dosjes voluminoze të njohur si “Plumbi i Artë”, e ngritur mbi bazën e dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Ky fraksion përfshin 11 të pandehur, mes tyre emra të rëndësishëm të botës së krimit.
Në listën e të akuzuarve përfshihen figura si Suel Çela (Marjus Lulaj), Florenc Çapja, Talo Çela, Festim Qoli, Kamber (Agron) Mehja, Eljo (Ervis) Bitri, si dhe Ervis Martinaj, biznesmeni i njohur i kumarit, i zhdukur pa gjurmë prej tre vitesh.
Të pandehur të tjerë janë edhe Abedin Mama (Dine Çami), Aleks Çela (Tom Qorri), Alket Xhixha dhe Elvin Merlika. Qoli, Suel Çela dhe Martinaj vijojnë të jenë në kërkim.
Dosja ndodhet aktualisht në fazë paraprake në Gjykatën e Posaçme, dhe përfaqësohet nga prokurorët Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra.
Të akuzuarit përballen me një sërë veprash penale, që përfshijnë vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, atentate me eksploziv dhe tentativa vrasjeje.
Një prej çështjeve kyçe në këtë fraksion është vrasja e dyfishtë e nënë e bir, Fatmira dhe Elvis Dedaj, e ndodhur më shumë se një dekadë më parë.
Sipas SPAK, urdhri për ekzekutimin e Dedajt erdhi nga ish-ortaku i tij, Festim Qoli, pas një konflikti mbi ndarjen e biznesit. Më pas, Qoli dyshohet se urdhëroi edhe eliminimin e nënës së viktimës, ndërsa vrasjen e ka kryer Talo Çela, sipas dëshmive të Dumanit.
Gjithashtu, Eljo (Ervis) Bitri akuzohet për disa ngjarje të rënda, përfshirë atentatin me tritol ndaj Mustafa Subashit më 29 janar 2020 në Durrës, si dhe vrasjen e dyfishtë të Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës më 2 mars 2020 në Shkozet.
Dosja përfshin edhe atentatin ndaj Emiljano Ramazanit në Elbasan, më 20 korrik 2020, një nga vrasjet që, sipas rrëfimeve të Dumanit dhe Alibejt, është kryer me porosi të këtij të fundit.
Hetimet për pjesët e tjera të dosjes “Plumbi i Artë” vijojnë ende.