Autoritetet e Policisë së Durrësit kanë parandaluar disa ditë më parë një ngjarje të rëndë duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tre shtetasve me precedentë të theksuar kriminale. Aldi Mustafa, 35-vjeç, Uran Zyka 40 vjeç dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, do të mbahen prapa hekurave. Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë për tre të arrestuarit, që u kapën me armë pa leje dhe që dyshohen se ishin nisur për të vrarë dikë.
Arrestimi:
Pak ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Misioni” u arrestuan; Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani
Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminale në fushën e krimeve ndaj personit si dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.
Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës. Sekuestrohen 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, vlera monetare dhe sende të tjera.
Sipas informacvioneve të siguruara nga ‘BalkanWeb’ mësohet se një prej të arrestuarve, që kishin planifikuar një vrasje, Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani, nuk është një emër i panjohur për policinë.
Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Sipas Bezatit, Mustafa është shok i Alekasandër Lahos, ose ndryshe Pëllumb Muharremit, i njohur si i ‘Forti i Shijakut’, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë makinës së ish-prokurorit.