Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën disa ditë më parë,, ku u plagosën me armë zjarri dy persona tek zona e ish-Parkut. Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për tre të arrestuarit.
Mësohet se Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy të arrestuarit Daniel Manushi dhe Fatjon Palushi. Ndaj tyre rëndon akuza e “vrasjes me dashje, mbetur në tentativë”. Ndërsa për të plagosurin Aleksandër Nikolla i arrestuar për moskallëzim krimi, gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje”.
Gjithashtu mësohet se pas ngjarjes së rëndë dy autorët e dyshuar u fshehën në një banesë në kryeqytet, ndërsa arrestimi i tyre i bë i mundur pas lokalizimit nga policia. Sipas dosjes hetimore në banesë e tyre është gjetur edhe një armë e markës “Stey” me numër serial të fshirë.
Në dëshmitë e dhëna përpara autoriteteve dy të rinjtë kanë thëne se konflikti ka ndodhur për shkaqe banale, Daniel Manushi pretendon se kishte shkuar aty për tu qethur dhe më pas kanë debatuar me persona që nuk kanë pasur njohje të mëparshme.
Ndërsa për sa i përket armës së krimit në deklarimet e tij Manushi shton se arma e krimit nuk ka qenë e tyre po shoku i tyre Farjon Palushi ja ka marre nga dora personave me te cilët u konfliktuar, ndërsa kur i ka shkuar policia në banesë, ai ja ka treguar vetë bluve vendndodhjen e saj.
Po ashtu në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe i akuzuari tjetër Fatjon Palushi, i cili u shpreh se disa persona kanë goditur shokun e tij, e për këtë arsye ai ka marrë armën nga dora për vetëmbrojtje një personi që nuk e njihte dhe sipas tij në ketë moment arma ka bërë qitje të pavullnetshme.
Sipas Palushit, ai është goditur në qafë e kokë nga disa persona. Ndërsa Aleksandër Nikolli i cili edhe u plagos në këtë ngjarje dhe do hetohet në gjendje të lirë, në dëshminë e tij thotë se nuk di asgjë për këtë ngjarje dhe nuk ka parë asgjë, e për këtë nuk ka se çfarë të tregojë për rrethanat e ngjarjes.
Referuar dosjes hetimore gjatë këtij konflikti është qëlluar 5 herë, pasi përpara berberhanes ku edhe ndodhi konflikti u gjetën 5 gëzhoja.