Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Fadil Likajn, i cili plagosi me armë zjarri ish-të dashurën e tij 20 vjeçe.
Ai mbërrit në masa të rrepta sigurie në Gjykatë, ndërsa seanca u drejtua nga gjyqtari Enkel Peza, me prokuror të çështjes Klodjan Llaho.
Akuzat ndaj tij janë për vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy ose më shumë personave dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Vlorë dy ditë më parë, kur Likaj plagosi me armë zjarri ish-të dashurën e tij pranë zonës së njohur si Poliklinika. Ai e qëlloi të renë me armë zjarri në këmbë dhe hodhi edhe një granatë pranë ambienteve të lokalit ku ndodhi ngjarja. Fatmirësisht granata nuk shpërtheu, duke shmangur kështu një tragjedi. E reja ishte në Vlorë për studime, ndërsa Likaj e ka tërhequr atë zvarrë nga lokali dhe më pas e ka qëlluar me armë.
Likaj u arrestua nga policia, e cila sekuestroi armën e krimit dhe një granatë dore.
“Në cilësinë e provës materiale Policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit me të cilën dyshohet se autori ka kryer plagosjen, një grantë dore në ambientet e lokalit si dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar në cantën e autorit iu gjetë dhe sekuestrua një granatë e dytë”, njoftoi policia pas arrestimit të tij.