Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një mbledhje me kryetarët e bashkive dhe prefektët. Qëllimi kryesor i mbledhjes ishte për të diskutuar mbi menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve.
Kryeministri u shpreh se situata është problematike dhe se i duhet dhënë një zgjidhje. Ndër të tjera Rama u shpreh se qeveria nuk do rrijë pasive para kësaj gjendje por do ndërhyjë duke mos kaluar asnjë buxhet në rast se nuk do jetë parashikuar sipas kostimit, pastrimi.
“Panorama është e qartë për të gjithë besoj. Asgjë e re nuk u tha në sensin që nuk ka shqiptar që jeton në Shqipëri apo vjen në Shqipëri për të kaluar pushimet që nuk ngacmohet drejtpërdrejt nga këto pamje të cilave duhet tu japim fund me sezbën.
Patjetër që nëse kthejmë kokën mbrapa, ministrja solli 2-3 të dhëna e fakte që e bëjnë të qartë se ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm, por siç thotë ajo fjala, populli nuk pyet si ke qenë dje, por si je sot. Sot situata është në udhëkryq dhe nga ky udhëkryq duhet të dalim me sezbën dhe tani, jo pas disa vitesh. Ka gjëra që duan vite, por ka dhe gjëra që duan vetëm qartësi dhe vullnet. Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon qendrën, periferinë dhe zonën rurale dhe për fat të keq kemi sot që flasim në territorin e Shqipërisë një vend të papranueshëm depozitimesh, abuzive, kriminale, në shkelje të plotë të detyrimeve ligjore të cilat çdo ditë përdoren nga ju. Kemi pastaj pirgjet e plehrave lartë e poshtë dhe që janë të panumërta anembanë, të cilat jo çdo ditë pastrohen prej jush. Kemi rrugët kombëtare që janë një problem më vete dhe ku ju nuk konsideroheni përgjegjës, pavarësisht se kur vjen puna për dhënie të paligjshme lejesh për karburante, hyni dhe ju.
Për atë karburant të prishur dje do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës. Për rrugët kombëtare nuk kanë asnjë të drejtë të japin leje bashkitë.
Kemi bregdetin që është bërë problem i madh dhe do të jetë problem gjithmonë e më i madh sepse çdo vit e më shumë rritet numri i turistëve. Por ndërkohë përtej sezonit kemi këto pamje këtu që janë e përditshmja e turpshme e bashkisë Himarë që është simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut, maskarallëkut. Kemi zonat e mbrojtura dhe zonat me rëndësi të veçantë kulturore dhe patjetër dhe tokën e bukës që nuk mund të jetë vend për të hedhur plehrat.
Qeveria nuk do të rrijë më në këtë pozicion, por do të ndërhyjë drejtpërdrejt. Ndërhyrja e parë që do të bëjmë është kjo, asnjë buxhet nuk do kalojë në rast se nuk do jetë parashikuar sipas kostimit për të cilin qeveria do punojë për ju, pastrimi. Ministrja do jetë vetë në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë. Do ishte mirë që krerët e bashkive as të mos e çojnë fare një buxhet në Këshill në rast se nuk është parashikuar pastrimi. Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve nga pikëpamja financiare”, tha Rama