Epidemiologu Pëllumb Pipero, ka folur ditën e sotme rreth situatës së COVID-19, në Shqipëri. Ndër të tjera ai ka folur edhe lidhur me imazhin e tij në spote të bëra nga Partia Socialiste.
Pipero u shpreh se imazhi i tij është përdorur për të dhënë një mesazh sensibilizimi, dhe se do e bënte një gjë të tillë edhe nëse do ja ofronte një parti tjetër politike. Ai tha se në rastin e mjekëve apo të tij, që doli me një mesazh në një spot të një partie politike, ndoshta media ndikoi më tepër që ta kthente në një imazh me të meta apo të mira. Mjeku ndër të tjera ka shtuar se në një situatë të tillë ne duhet që të rujm qetësinë. Pipero shtoi se duhen lënë mënjanë paragjykimet dhe të gjithë të bashkohen që të mposhtin pandeminë.
“Unë dhe kolegët e mi kemi disa ditë që nuk kemi raste të reja në telefon. Ka rënë edhe numri i rasteve të reja në spital. Nuk duhet ta mohojmë se procesi i vaksinimit luan dhe do të luaj rolin kryesor në frenimin e pandemisë. Sa i takon pjesëmarrjes nëpër spote, qëllimi i tij ishte sensibilizimi i personave që të vaksinohen. Nuk mund ti shpëtojmë edhe keqkuptimeve. Duhet që jo vetëm të kontribuojmë në nevojat e pacientit, por edhe duke dhënë mesazhe sensibilizimi. I mirëkuptoj edhe ata që më keqkuptojnë. Duhet që në këtë kohë dhe situatë, secili nga ne të ruaj qetësinë. E kam thënë që në mars të vitit të kaluar që të gjithë së bashku, qytetarë, mjekë, politikanë, mund ta përballojmë pandeminë. Pas kësaj është më e lehtë për të na bërë gjyqin ne, se sa të na paragjykoni tani.
Të bashkojmë forcat për ta përballuar sa më mirë. E kjo gjë arrihet duke bashkëpunuar, duke dhënë mesazhe realiste dhe optimiste. Duke mbështetur fort procesin e vaksinimit në vendin tonë. Nëse mesazhi im është që i shërben frenimit të pandemisë dhe vaksinimit, edhe nëse do ma propozonte një parti tjetër politike, do pranoja. Dua mirëkuptimin e të gjithëve , e kam ndjerë dhe e ndjej si mjek dhënien e një mesazhi sensibilizues”, u shpreh mjeku epidemiolog Pëllumb Pipero në emisionin “Breaking”.