Shefi i Komisariatit të Policisë së Delvinës, Agim Troci, është lënduar gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në fshatin Senicë. Ai ka pësuar djegie në disa pjesë të trupit, përkatësisht në bark, krah dhe këmbë, teksa ndodhej në terren së bashku me forcat zjarrfikëse dhe efektivët e tjerë të policisë.
Fillimisht, Troci mori ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, por për shkak të gjendjes shëndetësore është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Zjarri në zonën e Senicës është përhapur me shpejtësi dhe raportohet se ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve që po punojnë për neutralizimin e flakëve.