Kryeministri Edi Rama akuzoi nga Vlora Presidentin Meta se po zvarrit për një firmë një projekt të këtij qyteti. Rama ka qenë në Vlorë, nga ku ka inspektuar tre projekte të rëndësishme të financuara nga qeveria shqiptare, të cilat do të pasohen nga projekti përmbyllës i furnizimit me ujë 24 orë të krejt Vlorës, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, ka vënë në dukje se kërkohet një firmë nga presidenti Ilir Meta për të përfunduar këtë projekt.
Më pas Rama ka thënë se nuk ka dashur të bëjë një debat publik, por nuk kupton se pse Meta e ndalon këtë projekt vetëm për një firmë.
“Tani ne nuk kemi dashur që të bëjmë debat publik, për ta politizuar këtë gjë, po është fakt që ka qysh nga fillimi i nëntorit që presim një autorizim formal të presidentit”,- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet për Lungomare + në Vlorë. Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ka bërë një prezantim të punës së deritanishme, ndërsa theksoi se vija bregdetare në atë zonë i ngjante Karaibeve.
Kreu i qeverisë shoqërohej nga deputeti për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.
“Këtu është fillimi i pjesës së re të investimit. Është Lungomare 2. Është 1 km. Shëtitorja thuajse ka përfunduar në 95% të saj. Kanë nisur të mbuillen pishat e reja. Do vazhdojë deri në fund fare ku e gjithë shëtitorja do të jetë e mbuluar me pisha. Ka funksionuar shumë mirë sistemimi i plazhit, me pjesën dekorative me atë natyrale. Kemi rreth 6 mijë metra katrore plazhe të krijuara, pavarësisht se në disa raste njerëzit ankohen; jo s’do kemi më plazhe, por beton’. S’ka pasur asnjë standard të tillë plazhe publike. Standard plazhi me 5 yje. U tha se plazhi do të mbushej nga inertet, por shikoni si është bërë. Plazhi është kthyer si në Karaibe”, tha Leli.
Në këtë projekt është parashikuar 1 kilometër plazh, urban dhe natyral, pishinë olimpike e pishina e fëmijëve, parkingu nëntokësore, shëtitore me pisha, si edhe njësitë e reja të shërbimit për pushuesit në standardet e një hapësire publike turistike me 5 yje.
/Gazetareforma.com/